E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, sindikatat në grevë kundër qeverisë

Vendi paralizohet, ndërsa shuhen shpresat për një shpëtim nga Europa
E gjithë Greqia është përfshirë dje nga trazirat pas një greve masive të nëpunësve civilë, si pasojë e së cilës janë mbyllur shkolla dhe janë anuluar shumë fluturime në të gjithë vendin. Bëhet fjalë për një sfidë që sindikatat i kanë shpallur planit të qeverisë për uljen e deficitit jashtëzakonisht të lartë buxhetor, plan që përfshin rritjen e taksave, uljen e shpenzimeve, pra një plan që do të bjerë si gjithmonë mbi kurrizin e popullit. Bëhet fjalë për një krizë financiare, që duke përfshirë mbarë Greqinë, ka tronditur rëndë edhe gjithë zonën Euro dhe vetë Bashkimin Europian. Të gjithë nëpunësit publikë kanë shpallur një grevë 24-orëshe paralizuese. Paketa e propozuar për Kryeministrin, përveç të tjerash kërkon edhe shtimin me dy vjet të moshës për daljen në pension, ngritjen e kredidhënies, të rritjeve të rrogave, reduktimin e shpërblimeve e shumë masa të tjera që do t’u kushtojnë xhepave të qytetarëve. Vetëm spitalet kanë punuar me linjën e urgjencës për rastet e të sëmurëve rëndë, ndërkohë që në vend ka funksionuar vetëm transporti urban. Sipas një përfaqësuesi të sindikatave, kjo është një luftë kundër punëtorëve, e ngritur nga qeveria; një luftë që i duhet përgjigjur me luftë, derisa kjo politikë të ndryshojë. Por pavarësisht grevës së djeshme, situata e tregjeve financiare ka qenë e mirë, që do të thotë se vendet e pasura të kontinentit janë në prag të rënies dakord për dërgimin në Greqi të një pakete shpëtimtare financiare. Aksionet në Europë kanë shënuar rritje për të dytën ditë radhazi, në pritje të një vendimi të shpejtë dhe vendimtar për shpëtimin e Greqisë. Liderët e Bashkimit Europian do të mblidhen sot në Bruksel, për të diskutuar në lidhje me ekonominë greke gjatë një takimi në të cilin do të marrë pjesë edhe presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Trishe, i cili do të bëjë një shfaqje të rrallë në takim dhe ndoshta në këtë takim do të diskutohet në terma konkretë edhe një paketë e posaçme për ndihmat ndaj Greqisë.
Kryeministri i vendit, Papandreu, deklaroi se programi që ai parashikoi për nxjerrjen e vendit nga kriza, do të vihet në zbatim “me çdo kusht”. Pavarësisht retorikës shumë të ashpër të përdorur nga sindikatat, nuk kanë arritur që të mbledhin shumë njerëz në shesh, ndoshta edhe për shkak të motit të keq. Dhe kjo në një vend ku zakonisht në raste të tilla dalin në shesh qindra mijëra vetë. Kryesisht protesta ka qenë e përqendruar në Athinë dhe Selanik. Sipas një sondazhi të kryer nga një gazetë fundjavën e kaluar, 70% e grekëve janë pro marrjes së masave për reduktimin e shpërblimeve të nëpunësve civilë, por janë kundër masave që mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti në kurriz të ekonomisë së njerëzve të thjeshtë, si rritja e taksave, apo shtimi i moshës së daljes në pension.
Greqia, së fundmi, është vënë në një presion të madh nga Bashkimi Europian, pas deklarimit të shifrës jashtëzakonisht të lartë të deficitit buxhetor. Kryeministri Papandreu, që ishte dje në Paris për të diskutuar për krizën ekonomike me Presidentin Sarkozi, tha se ishte i gatshëm që të merrte ço masë të nevojshme për reduktimin e deficitit.
Ndërkohë, Gjermania po përgatitet që të miratojë një paketë shpëtimtare për Greqinë, duke pasur frikë se një përshkallëzim i keqësimit të situatës greke do të përhapej në të gjithë zonën Euro e më gjerë në të gjithë vendet e Bashkimit Europian. Kjo mund të vinte në rrezik bankat gjermane, si dhe vetë euron. Ministri i Financave të Gjermanisë u ka kërkuar zyrtarëve që të përgatisin një plan të caktuar për takimin që do të zhvillohet sot në Bruksel. Madje një nga opsionet thuhet se përfshin dhe një kredi për Greqinë, ose të paktën një përgjigje institucionale për krizën nga ana e Brukselit. Ky ndryshim i madh në politikën gjermane ndaj Greqisë vjen pavarësisht shqetësimit se një gjë e tillë do të dëmtonte disiplinën financiare të vendit dhe do të përbënte një precedent problematik edhe për vende të tjera që ndodhen në zonën Euro në një situatë të ngjashme me atë të Greqisë.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›