E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më shumë gola se gjysma e Evropës

Cristiano Ronaldo ka shënuar 40 gola pas 32 xhirosh në La Liga. Bilanci i jashtëzakonshëm i yllit të Real Madridit është më i mirë se totali i 52 nga 98 skuadrat e pesë ligave kryesore evropiane (La Liga, Serie A, Premierliga, Bundesliga dhe Ligue 1). Për kuriozitet, sulmuesi portugez ka shënuar barabartë gola në ligë sa komplet ekipi i Liverpoolit.

Cristiano Ronaldo, numrat janë të frikshëm. Me het-trikun që realizoi kundër Atletico Madridit në Vicente Calderon, ylli i Real Madridit arriti në kuotën e rekord 40 golave në La Liga, duke barazuar shënimet e tij nga edicioni i kaluar, por kësaj radhe gjashtë ndeshje para fundit.

40 golat e realizuara nga Ronaldo pas 32 xhirosh në La Liga, erdhën me mesatare prej 1.25 gola për ndeshje, e që në fund të sezonit mund të jenë gjithsejtë 47-48. Për të kuptuar më mirë arritjen e portugezit përkujdeset krahasimi në vijim. Ronaldo ka realizuar më tepër gola se gjysma e skuadrave nga La Liga, plot 12.

Për më tepër, nga 98 ekipet që luajnë në pesë ligat kryesore të futbollit evropian (Spanja, Italia, Anglia, Gjermania dhe Franca), Ronaldo ka shënuar më tepër gola se 52 prej tyre. Në Spanjë, ku vuajnë më së tepërmi nga magjia e tij, skuadra si Osasuna, Sevilla, Espanyol, Getafe, Betis, Real Sociedad, Mallorca, Granada, Villarreal, Real Zaragoza, Sporting Gijon Racing Santander, të gjitha kanë shënuar më pak gola se ish anëtari i Manchester Unitedit. Për të ndjekur shifrën e tij vuajnë edhe skuadrat e ligave tjera evropiane.

Në Itali janë zhvilluar njësoj 32 ndeshje, sikurse në Spanjë dhe nëntë skuadra janë nën shifrën e 40 golave të Ronaldos. Chievo, Atalanta, Siena, Cagliari, Bologna, Fiorentina, Lecce, Novara dhe Cesena janë prapa tij. Njësoj është gjendja edhe në Angli. Everton, Stoke, West Bromwich Albion, Swansea, Aston Villa, Queens Park Rangers, Wigan, Bolton dhe Wolverhampton janë skuadrat me më pak gola të shënuara sesa Ronaldo, edhe pse kanë zhvilluar 33 takime. Nga Anglia vjen një statistikë edhe më interesante. Gjiganti Liverpool ka shënuar 40 herë këtë sezon në Premierligë, aq sa Ronaldo i vetëm në La Liga.

Edhe skuadrat nga Gjermania dhe Franca nuk kanë bilanc për t’u krenuar. Tetë skuadra nga Bundesliga (Hannover 96, Hoffenheim, Nuremberg, Hamburg, Augsburg, Koln, Hertha dhe Kaiserslautern) dhe plot 14 nga Ligue 1 (Toulouse, Saint-Etienne, Bordeaux, Marseille, Nancy, Valenciennes, Nice, Dijon, Brest , Caen, Ajaccio, Lorient, Sochaux dhe Auxerre) kanë shënuar më pak se 40 gola.

Krahasim ky që tregon superioritetin e Ronaldos për dallim me skuadrat rivale spanjolle, por edhe ato të shteteve të tjera evropiane, që edhe njëherë tregojnë se portugezi është pa dyshim njëri prej futbollistëve më të mirë të gjeneratës së tij.

Rivali i tij nga Barcelona, Lionel Messi ka shënuar një më pak, 39, por me një paraqitje më pak se Ronaldo, i cili nuk ka munguar në asnjë ndeshje të këtij sezoni në La Liga.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›