E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, me dyer hapura për të tharë ujin

SITUATA/ Dhjetëra automjete, pajisje kanë dalë jashtë përdorimit. Po kështu edhe dyqanet


DURRËS - Vazhdon situata emergjente në Qarkun e Durrësit. Rrjedhja e ujërave nga përrenjtë që vijnë nga zonat malore të vendit ka vazhduar duke fryrë nivelin e ujërave në zonat e ultësirës në rajonin e Fushë-Krujës.


Një pjesë e mirë e dëmeve natyrore është deklaruar se do të rimbursohet nga pushteti qendror dhe ai vendor. Këtë deklaratë e ka dhënë prefekti Genc Alizoti pas konstatimit që ka bërë mbi normalizimin e pjesshëm të gjendjes.


Por situata vazhdon të jetë dramatike për shumë shtëpi të Spitallës, Porto-Romanos, Shkozetit dhe ish-Kënetës, ku megjithëse niveli i ujit ka rënë, familjet kanë frikë të ndezin dritat nga lagështira që kanë marrë muret dhe instalimet elektrike.


Shtëpi të përmbytura, mijëra lavatriçe, televizorë, radio, frigoriferë etj pajisje elektro-shtëpiake të dala jashtë përdorimit, dhjetëra automjete, si dhe një numër i konsiderueshëm minimarketesh, njësish tregtare, madje edhe farmacish kanë pësuar dëme të pariparueshme të artikujve të tyre.


Lidhur me zonën periferike të qarkut janë konstatuar dëme të rënda si në bujqësi, ashtu edhe në blegtori. Prefekti Alizoti ka deklaruar se shumë zona janë ende nën ujë dhe se për këtë situata po monitorohet me kujdes.


Ai ka shtuar se stacionet e pompimit në qark, ai i Porto-Romanos dhe i Hamallajt, janë duke punuar me kapacitet maksimal. Por megjithatë, shumë familje ndihen të braktisura në fatin e tyre. Vetëm në zonën e Porto Romanos me dhjetëra familje që u janë përmbytur banesat nga rrebeshi i madh, kanë braktisur shtëpitë që janë bërë thuajse të pabanueshme dhe janë strehuar tek të afërmit e tyre. Në këtë vend pamjet janë dramatike. I gjithë segmenti prej 7 km në rikonstruksion e sipër, është përmbytur në të gjithë gjatësinë.


Dyert e shtëpive të banimit përgjatë rrugëve janë të hapura për tharje, por koha është e vranët dhe nuk u premton shumë.
Shumë kryefamiljarë të cilët kanë mbetur në mëshirë të fatit janë ankuar dje në prefekturë dhe në bashki.


Nga shtëpitë e tyre nuk ka mbetur asgjë. Ata i bëjnë apel bashkisë dhe qeverisë të verifikojë situatën e tyre. Sipas banorëve, janë mbi 50 familje të cilat kanë pësuar dëmtime të pariparueshme. Muharrem Poli, një prej banorëve, tregon për minutat që pasuan pas mesnate.


"Një tub që shërben për mbledhjen e ujërave, mbi të cilin gjendet një shtresë betoni, shpërtheu para oborrit të shtëpisë. Fuqia e ujit ishte shumë e madhe dhe brenda pak sekondash uji kish arritur 1,5 metra lartësi në shtëpi, ndërsa ne u ngjitëm në tarracë. Menduam se kish ardhur deti dhe shpresonim që të dilnim gjallë nga e gjithë kjo.


Tre fëmijët dhe gjyshja e tyre qanin të lebetitur. E gdhimë natën nën shi, mbi shtëpi. s'kishim ku të shkonim. Në terrin e natës vetëm ujë na zinin sytë. Por jemi të gjithë gjallë. Vetëm në mëngjes pamë se kishte shpërthyer kanali i ujërave dhe na kish bërë gjëmën".


Gjendja e rënduar shikohet edhe në Shkozet. Këtu përveç banorëve që u ka hyrë uji në banesë, janë rënduar edhe shkollat në të cilat nuk vijon normalisht mësimi.


Kjo gjendje është edhe në shkollën profesionale "Hysen Çela", e cila ndodhet në lagjen 18 të Durrësit. Një pjesë e mirë e mjediseve të mësimdhënies kanë dalë jashtë funksionit. Nga katet e sipërme të kësaj shkolle ka hyrë ujë, duke krijuar përmbytje në klasa dhe lagështirë, ndërsa ujërat rrjedhin edhe në katet e poshtme. Ndonëse prej kohësh ekziston një fond i vënë në dispozicion nga Bashkia e Durrësit për investime riparuese në këtë shkollë, deri më tani ai nuk është zbatuar.


Stafi mësimdhënës i shkollës "Hysen Çela" i bën thirrje Bashkisë së qytetit për të ndërhyrë sa më parë me investimet e premtuara, pasi shirat e kanë shpënë situatën ku nuk pritet më. Përveç kësaj shkolle të mesme, gjendje e rëndë është paraqitur nga situata e reshjeve të pandërprera edhe në shkollat e tjera të Shkozetit, si tek "Olsi Lasku", në ish-Kënetë dhe Porto-Romano.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›