E Diel, 1 Nëntor 2026

Armët në shtëpinë e Myslym Pezës, të groposura prej 97-s

Armët e sekuestruara në Pezë

Hetimet kanë lehtësuar disi pozitat penale ndaj kushëririt të deputetit Dashamir Peza, në shtëpinë e të cilit u zbulua një arsenal armësh, si dhe një sasi e dyshuar kokaine. Hetimet e kryera në lidhje me municionin dhe drogën që iu gjet të arrestuarve Armand Peza dhe Xhimi Hasanbega kanë hedhur poshtë çdo dyshim që policia pati disa orë pas arrestimit për ndonjë lidhje të mundshme mes tyre dhe ndonjë organizate kriminale. Nga ekzaminimi në Laboratorin e Kriminalistikës që iu bë armëve të gjetura në shtëpinë e vjetër të Myslym Pezës, rezultoi se ato ishin të pastra. Madje, sipas specialistëve, ato vazhdonin të ishin me graso dhe të papërdorura asnjëherë. Burimet sqaruan se armët u gjetën të groposura brenda shtëpisë dhe Armand Peza, gjatë dëshmisë së tij në Polici, deklaroi se armët janë groposur dhe janë harruar aty që prej vitit 1997. Mbrëmjen e së hënës, gjatë një aksioni të zhvilluar në Pezë, policia zbuloi automatikë Kallashnikov, snajper, antitank, granatahedhës dhe fishekë. Ka qenë një konflikt pronësie në Pezë të Tiranës që ka tërhequr vëmendjen e policisë për të mbërritur në këtë zonë, ndërsa më pas, kontrollet e kryera në bazë të informacioneve operative, kanë zbuluar arsenalin e armëve që ishte fshehur në shtëpinë e vjetër të Myslym Pezës. Policia tha se armët mbaheshin pa leje nga kushëriri i deputetit socialist Dashamir Peza dhe një mik i tij. Policia tha zyrtarisht se në shtëpinë e Armand Pezës, agjentët e rendit sekuestruan edhe 200 gramë lëndë narkotike të dyshuar si kokainë dhe 20 kilogramë përzierës kokaine, që në fakt, pas ekzaminimit të djeshëm, rezultoi që ishte e gjitha përzierës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›