Zjarret në Berat, supermasa për parandalimin
BERAT – Zjarret në stinën e verës kanë sjellë vëmendjen e PMNZSH-së, e cila ka marrë masa për parandalimin e tyre. Shefi i këtij reparti, Shpëtim Gorica, është shprehur se nga ana e strukturave që ai ka në varësi janë marrë të gjitha masat për parandalimin dhe përballimin e situatave që mund të shkaktohen nga zjarret gjatë stinës së verës. Janë ndërtuar një plan masash për shumë pika strategjike të qytetit, siç është Kalaja dhe mali Partizan. Një masë tjetër është edhe pastrimi i sipërfaqeve të gjelbra në brendësi të lagjes Mangalem, problematikë kjo që ka ekzistuar prej vitesh dhe që është shndërruar në vatra të shumta zjarri në këtë lagje, u shpreh Gorica. Sipas tij, në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimit Pyjor, është hartuar një tjetër plan masash që konsiston në vendosjen e vëzhguesve për ruajtjen e pyjeve e kullotave në të gjithë qarkun. Po kështu, PMNZSH-ja ka kërkuar një bashkëpunim edhe me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Berat, për zhbllokimin e shpejtë të rrugëve në rast të rënies së zjarreve, me qëllim mbërritjen në kohë në vendngjarje të zjarrfikëseve, si dhe arrestimin e personave që vendosin zjarre të qëllimshme. Një tjetër problematikë zjarresh janë edhe puset e naftës. Këtë vit i është paraprirë këtyre situatave, duke kryer pastrimin e rrezeve të puseve që kanë shkaktuar edhe vatrat e shumta të zjarrit gjatë vitit të kaluar, u shpreh Gorica. Shefi i PMNZSH-së u shpreh më tej se reparti disponon të gjitha mjetet e nevojshme për një gatishmëri të plotë, si dhe një staf të trajnuar e të testuar punonjësish për përballimin e situatave të vështira. d.xh