Emmy, Kelmendi kërkon falje

Aziz Kelmendi
Nuk ishte vrasje. Ishte fatkeqësi. Ka qenë një aksident. I kërkoj falje familjes dhe farefisit.Aziz Kelmendi, biznesmeni i akuzuar për vrasjen nga pakujdesia të këngëtares Elsina Hidersha, e njohur si Emmy, i kërkoi falje familjes Hidersha për ngjarjen e ndodhur. I çuar në këmbë në kafazin e sallës së gjyqit, Kelmendi u shfajësua mbi ngjarjen e 27 shkurtit të këtij viti, duke pohuar se gjithçka kishte qenë një aksident. Me zë të mekur, volumin e të cilit gjykata i kërkoi që ta ngrinte më pas, biznesmeni ngushëlloi familjarët dhe kërkoi mëshirë nga gjykata. I kërkoj falje familjes. I shpreh ngushëllimet e mia. Ishte një aksident. Nuk dua të futem në detaje për lidhjen time me Emmy-n, pasi e di se do të jetë e rëndë për ta. Ajo nuk ishte një person i huaj për mua. Nuk ishte vrasje. Ishte fatkeqësi. Ka qenë një aksident. U kërkoj falje familjes dhe farefisit. I kërkoj mëshirë gjykatës. Unë kam pasur kontakte edhe me familjen e saj. Kam takuar babanë e saj. Nuk mund ta parashikoja atë që ndodhi. Edhe unë e kam përjetuar me pikëllim humbjen e saj. Nuk kam folur nëpër media, edhe pse kam pasur shumë kërkesa, vetëm për të mos lënduar familjen, tha Kelmendi. Deklarata e Kelmendit u ndoq nga të pranishmit në seancë, mes të cilëve edhe familjarët e këngëtares Emmy.
KERKESAT
Gjykata e pranoi dje kërkesën e të pandehurit Aziz Kelmendi për gjykim të shkurtuar. Gjykata vendosi të pranojë kërkesën e të pandehurit Aziz Kelmendi për vijimin e gjykimit në gjendjen në të cilën ndodhen aktet, thuhej në vendimin e Gjykatës. Për shkak të gjykimit me kohë të shkurtuar, nëse deklarohet i fajshëm nga gjykata për akuzën e ngritur ndaj tij, Kelmendi përfiton uljen e një të tretës të masës së dënimit. Po dje, gjykata u shpreh në lidhje me kërkesën e familjarëve të Emmy-t për tu bërë palë në proces, si palë e dëmtuar. Me vendim të ndërmjetëm, gjykata vendosi veçimin e padisë civile dhe dërgimin e saj në Dhomën Civile të Gjykatës së Tiranës.
DOSJA
Përfaqësuesi i Akuzës në proces, prokurori Ervin Karanxha, lexoi dje kërkesën për gjykimin e biznesmenit. Sipas prokurorit, nga hetimet rezultonte se i pandehuri Aziz Kelmendi kishte kryer veprën penale të vrasjes nga pakujdesia në dëm të këngëtares Elsina Hidersha. Sipas akuzës, Kelmendi dhe Hidersha kishin pasur një lidhje intime 2-vjeçare, që kishte përfunduar pak muaj para ngjarjes. Natën e ngjarjes, Kelmendi ka qenë në shoqërinë e një femre tjetër në të njëjtin ambient ku ndodhej edhe Emmy. Më pas ata kanë debatuar ashpër jashtë ambienteve të pub Venue, ndërsa biznesmeni ishte në automjetin e tij në shoqërinë e një femre, ndërsa Emmy ishte jashtë. Gjatë debatit këngëtarja është kapur në xhamin gjysmë të hapur të automjetit. Shtetasi Aziz Kelmendi, pasi ka ecur disa metra ngadalë, më pas ka rritur shpejtësinë dhe para lokalit Bang-Bang ka frenuar. Në këtë moment viktima është shkëputur nga mjeti duke u rrëzuar në asfalt, ku ka pësuar dëmtime të rënda në kokë, thuhej në kërkesën për gjykim të Prokurorisë. Këngëtarja ndërroi jetë pak orë më pas në spital.
ARMAND BAJRAMI