“Armiku” i përbashkët
Më gjithë përpjekjet, nuk kam mundur dot të gjej më asnjë dallim midis opozitës së E. Ramës dhe prokurorisë së I. Ramës, kur është fjala për qëndrime ndaj qeverisë në mënyre të veçantë ndaj pjesës më të spikatur të saj, siç është ministri i Jashtëm, Lulzim Basha. Emrat Rama mund të jenë rastësi, por nuk mund të jenë të tilla akuzat, mllefi e agresiviteti i përbashkët i kryetarit të PS-së dhe kryeprokurores ndaj ministrit dhe politikanit Basha, “armiku” i përbashkët i tyre.
Fushata politiko-juridike ndaj zotit Basha është e njohur për shqiptarët dhe ka nisur paralelisht me karrierën politike të shënjestrës së tij. Mendoj se opozita shqiptare është tejet e motivuar dhe e justifikuar në “luftën” ndaj Bashës, pasi strategjia e saj ka qenë përherë e orientuar kundër çdo suksesi të qeverisjes aktuale, gjë që nëse nuk do të ndodhte, do të përbënte pa dyshim një surprizë për elektoratin dhe publikun shqiptar. Ajo që duket se përbën një problem real është përfshirja apo përdorimi i institucionit të prokurorisë në luftën politike, një shkelje e drejtpërdrejtë e ligjit kushtetues dhe një shprehje po aq e drejtpërdrejtë e kontrollit politik mbi një prej institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë. Politizimi apo mungesa e pavarësisë së sistemit gjyqësor në Shqipëri vazhdon të jetë një shqetësim kombëtar dhe ndërkombëtar. Ky konstatim aq i përsëritur, sidomos nga ekspertët ndërkombëtarë, deformohet qëllimisht kur i paraqitet nga mediat dhe politikanët publikut shqiptar që e trajtojnë kontrollin politik si monopol vetëm të qeverisë apo mazhorancave. Në rastin konkret, jemi përpara një fakti të pakontestueshëm, ku prokuroria është vënë në mos nën kontroll, në shërbim të opozitës apo të grupimeve të tjera politike antiqeveritare. Ky është vetëm njëri prej aspekteve të mungesës së reformave institucionale në Shqipëri, pasi edhe institucione të tjera të rëndësishme vazhdojnë të jenë nën kontrollin e opozitës falë drejtuesve dhe stafeve militante të ndërruar gjatë tetë viteve në pushtet të së majtës ish-komuniste. Nëse ka aspekt të reformave ku mazhoranca aktuale ka dështuar, është pa dyshim ajo administrative dhe prokuroria përbën shembullin më të qartë të saj.
Mendoj se në rastin konkret po tejkalohen të gjitha normat, madje edhe hamendjet për shkak të rëndësisë që ka për opozitën shqiptare mjegullimi i personit të akuzuar, ministri Basha, dhe veprës për të cilën ai akuzohet, rruga Durrës-Kukës-Morinë.
Vetë zoti Basha përbën një arritje politike të mazhorancës dhe qeverisjes. Ai erdhi në politikë si pjesë e një risie me kontribut të jashtëzakonshëm në fitoren e mazhorancës në 2005-ën. Shkollimi në Perëndim si dhe përvoja politike falë bashkëpunimit me stafet ndërkombëtare në Kosovë, i dhanë atij mundësinë për t’u treguar shqiptarëve një politikë dhe politikan ndryshe nga ata që kishim parë në 15 vitet e pluralizmit politik deri në 2005-ën. Ky format i ri u pasqyrua dukshëm edhe në punët që ai kreu si ministër i MPPTT-së dhe i Jashtëm. Nuk ka nevojë shumë për fjalë, pasi falsin evenimentet që mbajnë firmën e tij. Rruga Durrës-Kukës-Morinë dhe ftesa e anëtarësimit në NATO janë pa dyshim dy kulme historike ku kontributi i z. Basha është pa dyshim përcaktues. Ka edhe dhjetëra suksese të tjera, sidomos në raportet ndërkombëtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve, por besoj se këto dy punë që përmendëm më lart, janë të mjaftueshme për ta bërë atë figurë të suksesshme të politikës dhe qeverisjes, njëherazi edhe kundërshtarin kryesor të opozitës ish-komuniste dhe institucioneve të kontrolluara prej saj. Përpjekjet e opozitës për të penguar apo zhvleftësuar këto arritje kanë qenë të qarta e të hapura që me fillimin e tyre. Opozita ka kundërshtuar në mënyrë të vazhdueshme ndërtimin e rrugës më të rëndësishme në historinë e shqiptarëve, por ka bërë të njëjtën gjë edhe për arritjen tjetër historike, anëtarësimin në NATO. Dua t’u kujtoj lexuesve se pikërisht në ditën kur në Bukuresht firmosej marrëveshja historike, Edi Rama protestonte në shesh në vend që t’i bashkohej festës së një fitoreje për të gjithë shqiptarët. I solla këto ilustrime faktike për të kuptuar qëndrimin konsekuent anti- Basha të opozitës, gjë që siç thamë me lart, nuk përbën një surprizë. Mirëpo duket se lufta politike e mediatike nuk mjafton për të mjegulluar në sytë e opinionit Bashën dhe vlerat e tij. Nuk ka tjetër arsyetim ky agresivitet përtej të drejtës ligjore, i prokurorisë, “prangat” e të cilës janë arma tradicionale që Rama ka nxjerrë nga arkivi më shumë se politik i partisë së tij.
Gjithsesi, nuk besoj se ky moment përbën një rrezik personal për ministrin dhe karrierën e tij. Ajo që rrezikohet, madje seriozisht, është pavarësia e pretenduar e sistemit gjyqësor, sidomos prokuroria, vënia e së cilës në kontroll apo shërbim të politikës, qoftë kjo edhe opozitë, përbën pa dyshim një krim kushtetues.
Në fillim të shkrimit shpreha pamundësinë time për të bërë dallimin midis dy Ramave dhe midis PS-së e prokurorisë. Në fund të argumentit serish nuk arrij të gjej ndonjë kontrast. Më thoni ju nëse e gjeni një të tillë. Nëse jo, mos u befasoni nga ngjashmëria më shumë politike e të dy(ja)ve.