E Shtunë, 31 Tetor 2026

Halim Shehu: Bexhetin e vrava se shkonte me gruan time



Vrau fqinjin, e akuzon për tradhti bashkëshortore me gruan

Dyshohet që vrasja të ketë ndodhur për motive pronësie

Vret gruan dhe fqinjin e tij, i dyshuari si autor pranon autorësinë e krimit, ndërkohë që jep edhe versionin e tij lidhur me motivin e kryerjes së vrasjes së dyfishtë. Gjatë zhvillimit të seancës, sipas burimeve nga gjykata, mësohet që shtetasi Halim Shehu të ketë rrëfyer me detaje arsyen pse qëlloi me armë mbi gruan e tij dhe fqinjin. Ashtu sikundër kishte deklaruar gjatë komunikimit të parë me policinë, edhe para gjyqtares së gatshme, Shehu ka dhënë të njëjtin version, atë të tradhtisë bashkëshortore. “Fqinji im, Bexhet Xhabrahimi, shkonte me gruan time, Fatimen. Për këtë arsye e thirra për një kafe në shtëpi dhe për disa momente i lashë vetëm me gruan në dhomë për të verifikuar dyshimet e mia. Nga jashtë dhomës pashë se Bexheti i hodhi dorën në qafë gruas sime. Shkova mora një pistoletë që e kisha në shtëpi dhe fillimisht qëllova mbi fqinjin, i cili u përpoq të dilte me vrap nga shtëpia. E vrava te dera e jashtme, ndërsa gruan e vrava në dhomë. Më pas shkova dhe u vetëdorëzova në komisariatin nr. 1 të policisë”, - ka rrëfyer para gjykatës 70-vjeçari Shehu, i cili nuk ka ngurruar të akuzojë sërish viktimat për një lidhje jashtëmartesore mes tyre. Pasi ka dëgjuar të dyja palët, prokurorin me versionin e tij të fakteve dhe palën mbrojtëse, me pretendimin e një tradhtie bashkëshortore, gjyqtarja ka caktuar masën “arrest me burg” për të akuzuarin. Ngjarja për të cilën akuzohet 70-vjeçari ka ndodhur katër ditë më parë në Sauk të Tiranës. Ora shënonte 18:50, kur i moshuari ka qëlluar mbi fqinjin e tij dhe bashkëshorten me një pistoletë tip TT. Nga hetimet e para u dyshua se ai kishte kryer vrasjen e dyfishtë për çështje të pronësisë. Sipas hetimeve, dyshohej se viktima Xhabrahimi i kishte lënë 70-vjeçarit që të mblidhte ullinjtë, ndërsa këtë vit kishte vendosur që me ullinjtë të merrej një tjetër person. Autori e kishte thirrur në banesë të tij dhe më pas e kishte qëlluar. Ndërsa, nga hetimet e para dyshohej se bashkëshortja e tij kishte mbrojtur Xhabrahimin, fakt i cili nuk i kishte pëlqyer bashkëshortit të saj, i cili qëlloi më pas mbi të. Por, ndonëse u fol për një vrasje për motive pronësie edhe nga të afërm të viktimave, Shehu sërish ka këmbëngulur se vrasja ka ndodhur për tradhti bashkëshortore dhe jo çështje pronësie.

Dëshmia

“Fqinji im, Bexhet Xhabrahimi, shkonte me gruan time, Fatimen. Për këtë arsye e thirra për një kafe në shtëpi dhe për disa momente i lashë vetëm me gruan në dhomë për të verifikuar dyshimet e mia. Nga jashtë dhomës pashë se Bexheti i hodhi dorën në qafë gruas sime. Shkova mora një pistoletë që e kisha në shtëpi dhe fillimisht qëllova mbi fqinjin, i cili u përpoq të dilte me vrap nga shtëpia. E vrava te dera e jashtme, ndërsa gruan e vrava në dhomë. Më pas shkova dhe u vetëdorëzova në komisariatin nr. 1 të policisë”, - u shpreh 70-vjeçari Shehu

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›