E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjedhjet e shkollave, arrestohet grupi i hajdutëve minorenë



Vodhën kompjuterat dhe vulën e drejtorit në disa shkolla

Të miturit vodhën “Mësonjëtoren e Parë Shqipe”

Një grup minorenësh janë ndaluar në qytetin e Korçës, të akuzuar për vjedhje të ndryshme. Gjashtë të miturit të moshave kryesisht 13-17 vjeç akuzohen se në kohë të ndryshme kanë vjedhur kompjuterat e disa shkollave. Policia e Korçës bëri të ditur se është duke punuar për kapjen e një adoleshenti, bashkëpunëtor i grupit, ndërkohë që në gjendje të lirë është duke u hetuar një i mitur që ende nuk e ka mbushur moshën 14 vjeç. Vjedhjes së shkollave nga minorenët nuk i ka shpëtuar as shkolla e parë shqipe në Korçë, përkatësisht “Mësonjëtorja e Parë Shqipe”. Policia e Korçës, në një njoftim zyrtar bëri të ditur se kishte rënë në gjurmë të autorëve të vjedhjeve në disa shkolla dhe dy ditë më parë ka bërë të mundur prangosjen e 7 nga 8 personat e implikuar në këto vjedhje. Burimet zyrtare nga uniformat blu të Drejtorisë së Policisë së Korçës thanë se është goditur grupi i vjedhjes së shkollave në qytetin e Korçës. Sipas po të njëjtave burime, në prangat e policisë kanë rënë të miturit Th. N., 15 vjeç, A. C., 15 vjeç, M. P., 16 vjeç, J. J., 15 vjeç, C. H., 14 vjeç, si dhe N. L., 15 vjeç, të gjithë lindur dhe banues në Korçë. Gjatë një deklarimi për shtyp, policia tha se prangosja e tyre është bërë, pasi dyshohet se janë autorë të vjedhjes së disa kompjuterave në shkollat e qytetit të Korçës. Bashkëpunëtor i tyre është dhe E. K., 13 vjeç, që ndiqet në gjendje të lirë, ndërkohë që po punohet për arrestimin e 17-vjeçarit, T. K. Sipas burimeve zyrtare policore, të ndaluarit akuzohen se kanë vjedhur: shkollën “Mësonjëtorja e Parë Shqipe”, në datën 14 korrik 2008 në lagjen numër 12 Korçë, ku janë vjedhur disa kompjutera; shkollën “Stavri Themeli”, në datën 19 shtator 2008 në lagjen numër 1, Korçë, ku është vjedhur vula e drejtorit të kësaj shkolle; shkollën “Sotir Gura”, në datën 20 shtator 2008, në lagjen numër 9, Korçë, ku janë vjedhur disa kompjutera. Gjithashtu, sipas burimeve, ata akuzohen se kanë vjedhur dhe një banesë në qytetin e Korçës ku kanë marrë një kompjuter dhe disa bizhuteri. Adoleshentët akuzohen për veprat penale të “vjedhjes në bashkëpunim”. Hetimet për këto vjedhje dhe të ndalurit si autorë të tyre do të vazhdohen të bëhen nga prokuroria e Korçës.

U arrestuan

Th. N., 15 vjeç, lindur dhe banues në lagjen 18, Korçë

A. C., 15 vjeç, lindur dhe banues në lagjen 18, Korçë

M. P., 16 vjeç, lindur dhe banues në lagjen 12, Korçë

J. J., 15 vjeç, lindur dhe banues në lagjen 12, Korçë

C. H., 14 vjeç, lindur dhe banues në Korçë

N. L., 15 vjeç, lindur dhe banues në Korçë.

Vjedhjet

* Shkollën “Mësonjëtorja e Parë Shqipe”, në datën 14 korrik 2008 në lagjen numër 12 Korçë, ku janë vjedhur disa kompjutera;

* Shkollën “Stavri Themeli”, në datën 19 shtator 2008 në lagjen numër 1, Korçë, ku është vjedhur vula e drejtorit së kësaj shkolle;

* Shkollën “Sotir Gura”, në datën 20 shtator 2008, në lagjen numër 9, Korçë, ku janë vjedhur disa kompjutera

* Një banesë në qytetin e Korçës ku kanë marrë një kompjuter dhe disa bizhuteri

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›