Aleancat shqiptaro-kroate, faktor stabilizues
Institucionet shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë, por edhe institucionet kroate në Zagreb, duhet të përpunojnë një strategji shumë më të frytshme të afrimit të ndërsjellë në interes të përbashkët për t’iu kundërvënë të njëjtit armik historik e aktual.
“Beogradi po e cyt edhe një luftë në Ballkan dhe synon krijimin e Serbisë së Madhe”, - citohet nga mediat botërore Presidenti kroat, Stipe Mesiç. Këtë cilësim zyrtari më i lartë kroat e bëri pas përpjekjeve të Serbisë për të akuzuar Kroacinë për gjenocid (ndërsa ishte e kundërta, ishte Serbia ajo që bëri gjenocid në Kroaci, në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë) dhe pas presionit të Serbisë ndaj Kosovës, nëpërmjet gjashtë pikave të OKB-së, përkatësisht përpjekjes për të krijuar rrëmujë (kaos) në veriun e Mitrovicës, pikën më të ndjeshme në gadishull. Kjo deklaratë duket se u dha edhe pas thënies së një zyrtari të lartë serb se Serbia do të inkuadrohet në Bashkimin Evropian me Kosovën në kuadër të Serbisë! Vlerësimi i Mesiçit është një vrojtim i drejtë (Serbia po e cyt një luftë të re në Gadishullin Ilirik përmes përzierjes në veriun e Kosovës) dhe është një sinjal shumë i qartë për bashkësinë ndërkombëtare që ta dinë se është në prag të një luftë të re në gadishull, të cilën ashtu sikurse të gjitha luftërat e deritashme i ka cytur dhe i ka bërë Serbia.
Sinjali i Mesiçit është edhe një vërejtje serioze ndaj atyre shteteve të cilat e kanë mbështetur Serbinë herën e fundit, ndërsa në fakt, po e mbështesin apo i qëndrojnë prapa një aventure të re shumë më të rrezikshme, në të cilën mund të përfshihet edhe Rusia, sepse në këtë rast sheh një mundësi të mirë që të zhvatë diçka në gadishull dhe njëkohësisht të bëjë një bazë të qëndrueshme në Evropë. Rusia ka kohë që i ka humbur Veriun dhe Perëndimin me shkëputjen e shteteve baltike, më shkëputjen e Ukrainës, pastaj inkuadrimin e Bullgarisë e të Rumanisë në BE etj. Rusisë i ka mbetur vetëm Serbia si pikëmbështetje dhe për këtë gjë duhet ta ndihmojë të shkëpusë apo të mbajë pezull një pjesë të veriut të Kosovës. Me këtë synon që ta bllokojë funksionimin e shtetit të ri, Kosovës, sepse ta kthejë mbrapsht historinë, nuk ka asnjë mundësi. Mirëpo, askush nuk do të investojë në Kosovë me veriun problematik.
Sinjali i Kroacisë duhet të kuptohet edhe mundësi për diplomacinë tonë që të shikojë edhe aleancat në rajon, krahas aleancave me shtete të fuqishme, sepse aleancat e këtilla njëkohësisht janë shumë të dobishme dhe shumë të rëndësishme. E para, Kosova dhe Kroacia armikun më të rrezikshëm dhe potencial e kanë Serbinë. E dyta, Kosova dhe Kroacia kishin një miqësi të lëvdueshme edhe më herët, duke filluar nga vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, madje edhe më parë. Miqësia vazhdoi edhe në vitet tetëdhjetë, pavarësisht se zyrtarët kroatë të asaj kohe ishin nën presionin e madh nga Beogradi për të dënuar lëvizjet nacionaliste shqiptare në Kosovë. E treta, në luftën kombëtare të Kroacisë, shqiptarët morën pjesë, duke dhënë kontribut të rëndësishëm për çlirim nga armata jugosllave dhe lukunia serbe. E katërta, Kroacia ka interes strategjik, ekonomik e politik që ta ketë Kosovën dhe Shqipërinë aleatin kryesor, sepse në fakt, ka mbështetjen e një potenciali të madh me mbi 7 milionë shqiptarë dhe ka një hapësirë me mbi 40 mijë kilometra katrorë, duke mos llogaritur edhe hapësirën etnike shqiptare në Maqedoni, Kosovën Lindore dhe në Mal të Zi. Kroacia ka interes të plasojë mallin dhe idetë e veta në këtë hapësirë, ndërsa Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë për investime e konsulenca.
Shqipëria këtë mundësi e ka shfrytëzuar në masë të madhe, sepse ishte shumë më herët shtet i pavarur. Të qenët në paradhomë të NATO-s, këto dy shtete i bënë më të afërta dhe me interesa strategjike shumë më të mëdha. Kroacia ishte ndër të parat që na pranoi. Ky shtet i ri tregoi afri ndaj Shqipërisë.
Deri tash, pavarësisht sinjaleve të mira nga të dy shtetet, pavarësisht vullnetit të mirë e gatishmërisë, gjërat po shkojnë me ngathtësi të pakuptueshme dhe të pafalshme, ndërsa janë në dëmin e të dy shteteve, përkatësisht të tri shteteve, edhe Shqipërisë. Kroacia me potencial më të madh ekonomik, ushtarak e politik nuk e ka shfrytëzuar këtë mundësi, sikurse që këtë mundësi nuk e kanë shfrytëzuar as institucionet e Kosovës. Një lidhje të mirë tradicionale, një dashamirësi dhe ajo që është më kryesore vetëm me kroatët nuk patëm armiqësi historike e aktuale dhe as nuk u gjakosëm, gjë që nuk mund ta themi për popujt e tjerë të Gadishullit Ilirik, sidomos ata që i patëm një fqinjësi. Po ashtu, gjatë të kaluarës patëm një fat të përbashkët dhe një fatkeqësi: edhe ne, edhe kroatët, Jugosllavinë e përjetuam shtet armiqësor dhe e luftuam si të tillë. Të dyja palët kontribuuam në shkatërrimin e arsyeshëm të kësaj krijese të mjerë të Versajës.
Natyrisht, për krijimin e një aleance të fuqishme shqiptaro-kroate, që duhet të jetë synim parësor yni, lypet një punë e madhe e institucioneve të Kosovës dhe e institucioneve të Kroacisë, sepse të dyja palët duhet të lidhin perin e këputur diku, duhet të heqin ndonjë rezervë a paragjykim, sidomos kjo vlen për kroatët, sepse duket se ndonjë paragjykim e kanë trashëguar apo ua kanë imponuar nga periudha e sundimit të Jugosllavisë sesa që mund të kenë ndonjë bazë reale. Pastaj është komuniteti shqiptar i biznesit dhe i mëhershëm ai që do të na lidhë, sepse gjatë gjithë kohës shqiptarët në Kroaci ishin shumë konstruktivë, ndërsa ndonjë grup që merret me punë të pista a të dyshimta, nuk duhet të jetë përcaktues i të gjithë shqiptarëve, sidomos nuk duhet të jetë përcaktues i së ardhmes se aleancës së fuqishme shqiptaro-kroate, që mund të jetë kaptina më e ndritshme e historisë më të re të gadishullit.
Një kohë të gjatë jemi dhënë pas politikës së madhe dhe pas shteteve të fuqishme, por është koha që edhe ne, edhe Kroacia t’i kthehemi njëri-tjetrit, t’ia qajmë hallet. Është fatbardhësi e përparësi që kemi një përcaktim politik perëndimor, i takojmë të njëjtit qytetërim - Perëndimit - dhe synojmë të shkëputemi përgjithmonë nga fatkeqësia historike - Lindja. Me këtë nuk duam ta rrezikojmë askënd, edhe më pak të prishim aleancat ekzistuese që në pjesën më të madhe i kemi të njëjtët aleatë dhe të njëjtat shtete, vetëm se duhet të imponohemi si faktorë stabilizues e rregullues të rajonit. Deri tash nuk ishim faktorë në gadishull, ndërsa janë të gjitha gjasat që të bëhemi faktori më i fuqishëm, me këtë edhe të neutralizojmë ndikimet armiqësore të cilat i ndoqën shqiptarët dhe kroatët.