E Shtunë, 31 Tetor 2026

Armiku ndryshe

Rreth romanit “Hijet e kullave” të Albina Idrizit

Kohët e fundit pata rastin të lexoj romanin “Hijet e Kullave” të shkrimtares dhe poetes kosovare, Albina Idrizi. Befasia e një proze të shkëlqyer, e një konceptimi artistik të veçantë, e një historie lufte sa makabre, po aq edhe pacifiste, një qerthull vigan lëvizjesh, spostim personazhesh e ngjarjesh të krijojnë përshtypjen se shikon një sahat dore, të cilit i është hequr kapaku i pasmë dhe ingranazhet e vegjël e të mëdhenj intonojnë në lëvizjen e njëri-tjetrit. Lufta për çlirimin e Kosovës, një nga historitë më dramatike europiane të fundshekullit XX, do vijojë të tërheqë vëmendjen e letërsisë edhe për shumë e shumë vite të tjera. Por shkrimtarja e re ka preferuar ta shpërfaq atë duke u “vendosur në llogoret armike” dhe prej andej të na tregojë se si shihet një vend i djegur, i vrarë, i përdhunuar dhe një popullsi e gjitha e traumatizuar. Në qendër të romanit është vendosur një ushtarak i lartë serb, Zoran Petroviqi, i cili përshkruhet si një njeri i ndjeshëm, i gjerë në shpirt, një njeri me botëkuptim e kulturë të mjaftueshme për të kuptuar se çfarë është i detyruar të bëjë, por i pazoti për të lëvizur dhe gishtin e vogël të dorës për të shmangur krimet e përbindshme që sheh. Atij i ndërpritet rehatia në Beograd dhe e nisin për në Kosovë, ku ndeshet me një realitet barbar. Trupat serbe janë përshkruar në roman si katilë, pak më keq sesa gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa krimet e tyre nuk kanë të kaluar. Si prototip i etjes, mendjemadhësisë e nacionalizmit primitiv serb, përballë kolonelit Petroviq vendoset ushtar Markoja, një i ri aq katil e i pazemër në krimet e tij, sa nuk ka sesi të mos i ngjallë lexuesit urrejtje për këtë frymë antinjerëzore të përçudnuar në fundin e shekullit XX. Episodet e shumta për krimet serbe në Kosovë, gjendja e traumatizuar e popullsisë, shfaqja në skenën e maleve e Ushtrisë për çlirimin e Kosovës, pushkatimet pa shkak dhe skandalet fyese, ditari i shurdhmemeces së gjorë, i japin romanit një linjë tensioni e tendencioziteti njëherësh, e pajisin me idenë se sa e shtrenjtë dhe po aq e vështirë ka qenë fitorja e lirisë për Kosovën. Brenda romanit lëvizin ngjethshëm tri personazhe shumë interesante, siç janë koloneli Petroviq dhe ushtari Marko dhe një shurdhmemece. Duke gjykuar nga shpirti i butë e i ndjeshëm i kolonelit, lexuesi duhej të priste një duel të vërtetë midis dy serbëve për shkak të pikëpamjeve e qëndrimeve të tyre ndaj luftës në përgjithësi e luftës për Kosovën në veçanti. Por një gjë e tillë thuajse nuk ndodh. Koloneli i shikon me habi e neveri veprimet e ushtarit të tij dhe nuk luan as gishtin e vogël për ta ndaluar qoftë edhe në një rast në barbarinë e tij. Kush e komandon atëherë repartin serb? Autorja do të na tregojnë se si koloneli, ashtu edhe ushtari, janë thjesht mekanizma të verbër, të cilët vihen në lëvizje jo aq nga komanda të caktuara, apo plane operacionale, por nga koncepte nacionaliste, apo edhe humane. Koloneli Petroviq përfaqëson kështu plejadën e intelektualëve serbë, të cilët përkohësisht - duhet theksuar kjo - u ndodhën midis dilemës së të jetuarit si vrasës, apo si njerëz normalë. I gjithë ky konflikt i brendshëm, megjithatë, tregon autorja, nuk sjell asgjë të mirë për popullsinë e pafajshme kosovare, përveçse e dërgon mbrapsht në Beograd ushtarakun e lartë gjysmë të çmendur, por edhe të dekoruar njëherësh. Ushtari Marko është përfaqësuesi i një nacionalizmi sadist, tipik millosheviçian, po ai që bëri masakrën e Srebenicës, po ai edhe i masakrave të Kosovës. Figura të tilla janë hasur edhe në letërsinë për vitet e Luftës së Dytë Botërore. Ndoshta autorja duhej ta zvogëlonte peshën e hanxharit të këtij kasapi për të sjellë në roman një tip më të besueshëm, më racional. Markoja vret veten në fund të romanit për të mos dorëzuar dinjitetin e tij të shtypur tashmë nga lufta çlirimtare e shqiptarëve dhe trupat e NATO-s. Kundërshtari i tyre nuk ka emër të përveçëm. Hijet e kullave ku vazhdimisht endet një shqiponjë, mjaftojnë për të shkaktuar një ngjethje tmerri për pushtuesin serb. Autorja e ka vendosur kolonelin Petroviq midis ushtarit të tij sadist dhe një gruaje shurdhmemece, ditari i së cilës i zbulon atij një jetë të thjeshtë shqiptareje të pa hasur herë tjetër edhe nga ai vetë. Ndonëse ky ditar e tejdukshmëria e tij e ngjeth kolonelin serb, përsëri ai nuk mund të tërhiqet aspak nga misioni i tij pushtues, madje edhe kur i takon të japë një vendim të dhimbshëm kundër ish-mikut të tij shqiptar. Ndonëse ky është romani i parë i Albina (Aliu) Idrizit, ajo vjen në fushën e letrave me disa vëllime poetike si “Heshtja e mbarsur”, “ëndrra me ylbere” dhe së fundmi “Dashuruar në diell”, sikundër do të paraqitej me poezitë e saj si bashkautore e antologjisë poetike në gjuhën rumune, “Templul cavátului” (“Tempulli i fjalës”).

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›