Armiqësia e pashpallur e privates ndaj publikes
Nëse komunizmi tentoi me të gjitha mjetet e mënyrat ta shuante këtë prirje genetike të individit (të cilit, në çdo kohë e në çdo rast “kërraba” i tërheq përherë nga vetja), duke synuar të bindë dhe të edukojë njeriun e ri me idenë se shoqëria ideale do të ndërtohej pasi të vihej interesi i përgjithshëm mbi atë privat duke zhdukur nga rrënjët këtë të fundit (privaten), gjë që, përveç të tjerash, tekefundit bëri që ai sistem të hante më në fund kokën e vet; ndërsa kapitalizmi alla shqiptar, në këto 20 vjet po realizon të kundërtën: privatja, jo vetëm që ka marrë yrrysh e përparësi, por nuk e teprohet po të them se interesi publik ngjan me një jetim.
Në çdo shoqëri normale e demokratike interesi privat nuk lejohet të jetë e as të vihet në luftë e në kundërshti të hapur me interesin publik. Shteti, qeveritë, parlamentet, udhëheqësit apo edhe simbolet kombëtare lipsen pikërisht për këtë qëllim: të harmonizojnë e të vënë rregull në raportet e vështira të interesit vetjak me atë publik. Përndryshe shoqëria nuk ka pse paguan dhe investon për këtë mekanizëm gjigant që quhet qeveri. Por, a ka ndodhur kështu tek ne?
Diktatura në fakt kishte kultivuar te njeriu i ri të kundërtën e qëllimit: pat mundësuar armiqësinë dhe shpërfilljen ndaj pronës publike të kooperativës apo të ndërmarrjes e njëkohësisht edhe ndaj interesit të përgjithshëm, sepse te shumëkush në fshehtësi ishte himnizuar ajo që nuk lejohej: molla e ndaluar, -privatja, interesi i mohuar vetjak…Ishte kjo mendësi e cila, edhe pas vendosjes së pluralizmit në Shqipëri, do të vazhdonte me të njëjtën sjellje ndaj pronës publike: çdo gjë shtetërore do të trajtohej në mos si armiqësore, si “e kooperativës”, si e tjetërkujt, që nuk do të sillte për qytetarin asnjë dobi…. Prandaj nuk mbeti asgjë publike pa u shkatërruar dhe pa u përkequr.
Të dy këto rrugë “zhvillimi”, ai i socializmit “shkencor” dhe i kapitalizmit “liberal” të tipit shqiptar, përveçse janë rrugë të kuturusë dhe të batërdisë mbi interesin e përgjithshëm, bashkë me atë vetjak, kanë dëmtuar e nëpërkëmbur vendin dhe shoqërinë jo vetëm materialisht, po edhe moralisht. Në këto udhë pa udhë të allasojit e të kuturusë duhen kërkuar arsyet apo sebepet përse ne shqiptarët e kemi pasur dhe ende e kemi të vështirë të jetojmë në komunitet, në pluralizëm, në harmoni e në paqe me njëri-tjetrin, pa e kuptuar se ndërkohë kemi humbur, (duke luftuar, me apo pa dashje kundër interesit publik), jo vetëm territore, por edhe kohë, edhe mundësi, edhe shanse, edhe mirëqenie, krahasuar me popujt e tjerë, qoftë edhe ata që kemi fqinj.
Sepse jashtë gardhit të oborrit, jashtë mureve të shtëpisë tonë ne vazhdojmë të themi vetemevete: le të bëhet qameti, zjarri le të bjerë, mjaft që brenda kullës time unë të jem mirë! Mjerisht akoma nuk e kemi kuptuar se kjo nuk është as liri dhe as demokraci.
Kështu, sa për të sjellë një shembull, le të kujtoj se vetëm në Shqipëri u zbatua eksperimentimi monstruoz i tufëzave dhe arave, pas një kolektivizimi masiv; ashtu sikundër sot zor se gjen një vend të ngjashëm ku pronat dhe pasuritë publike të jenë trajtuar si armiq të përbetuar. Sot vetëm ai që ka pushtet për të bërë tendera, ai që jep leje ndërtimi, ai që bën legalizime, ai që ndërton pa leje, ai që shet apo blen energji, ai që jep me koncesion minierat, , ai që degradon lumenjtë e pyjet, ai që ka në duar doganat dhe tatimet, ai/ata që kanë në dorë shitblerjen e diçkaje publike, ai/ata bëhen sakaq të pasur e të fuqishëm. Sot pronar bëhet ai që është më i fortë, ai që ka mbështetje politike, ai që nuk pyet as për ligjin e as për pronën publike; me një fjalë, ai që shkatërron dhe dëmton sa më shumë interesin publik nëpërmjet shërbimeve dhe klientelizmit politik. Edhe Zogu, edhe Berisha, edhe të gjithë bejlurçinat e këtij kallëpi kanë shpërndarë te besnikët e vet prona e pasuri publike, si të ishin prona të familjes së tyre, njëlloj si bënte Turqia me ata që i shërbenin për të shuar e për të shtypur kryengritjet në Ballkan…
Ndaj kësaj rropame (shkatërrimit të pandalshëm të pronës publike), ne sillemi njëlloj si në komunizëm me indiferencë, sepse në të vërtetë pronën publike nuk e quajmë tonën, nuk e vlerësojmë nj’ashtu si pronën private; ne ende nuk e dimë dhe nuk e kemi mësuar një gjë të thjeshtë: nëse prona publike, bashkë me interesin publik do të jenë të kërcënuar e të rrezikuar, rrjedhimisht edhe prona private, edhe interesi privat do të jenë po aq të kërcënuar e të pambrojtur, madje edhe më shumë. Por shteti, qeveritë, dhe krerët as nuk kanë dashur e as nuk kanë mundur të krijojnë te qytetarët bindjen se edhe prona publike duhet të jetë po aq e shenjtë sa prona private, se njëra nuk përjashton tjetrën, përkundrazi, e fuqizon! Sepse nuk ka e nuk mund të ketë jo komunitet, por as atdhe pa pronë publike; madje edhe koncepti i atdheut në realitet nuk është gjë tjetër veç mishërim i harmonisë mes pronës publike dhe asaj private. Një atdhe që nuk respekton pronën private bashkë me atë publike, nuk ka dreq që e do, pasi ai të trajton si armik. Popujt që emigrojnë me shumicë janë pikërisht ata popuj që e kanë të shkatërruar në themel këtë marrëdhënie të ndërsjellë, mungesa e së cilës pashmangshmërisht sjell varfëri, mjerim, konflikte, katastrofa, sherre, krime, rënie morale, mosbesim…
***
Kështu pra, nëse ajri jashtë është i infektuar, sado të mbyllësh dritaret, nuk mund të shpëtosh dot as fëmijët dhe as veten. Nëse pret pyjet, do të ketë patjetër erozion dhe shtëpia do të shembet e toka do të të rrëshqasë edhe ty, o njeri; nëse e ndërton shtëpinë buzë lumit, nëse nuk kujdesesh për kanalet e kullimit apo për hidrovoret, do të përmbytesh patjetër një ditë me kuç e me maç e nuk ka qeveri që të shpëton e të kompenson; nëse vjedh telat e korrentit apo pusetat, do të mbetesh edhe ti pa dritë elektrike e mund të thyesh këmbën edhe ti apo fëmija yt; nëse hedh plehrat nga dritarja, edhe shëndeti yt do të jetë i rrezikuar…Nëse pushton dhunshëm tokën e tjetrit, nuk mund të jesh i qetë që nesër këtë padrejtësi nuk do ta paguajnë fëmijët e tu. Por ja që edhe mbi bunkerë ka shqiptarë “të lirë” që guxojnë të shkruajnë: “pronë private”! Sot, as dy vëllezër nuk e shtyjnë dot gjatë me një biznes të përbashkët, pasi do të plasë grindja nga tahmaja e privates që ka errësuar tashmë mendjen dhe arsyen e kujtdo që beson e kujton se vetëm ajo që është private, d.m.th, e jotja, jo vetëm që ia vlen, por është edhe më e sigurt. Prandaj nuk ka gjë më të rrënuar e më të djerrëzuar në Shqipëri se sa prona publike e bashkë me të edhe se interesat publike. Mbi to nuk janë lëshuar për zaptim dhe “privatizim”, për legalizim e përvetësim vetëm qytetarët “e lirë”, por është mekanizmi shtetëror ai që fatkeqësisht, jo vetëm i ka mbyllur sytë dhe veshët, por ka krijuar kushte të favorshme për sa më shumë mjegull që…që ujku të bëjë kërdinë e pastaj të ikë në drejtim të paditur.
***
Pavarësisht nga sistemi që kanë aplikuar, shtetarët tanë një gjë e kanë ditur e zbatuar për bukuri: që pushteti qenkësh një minierë e mrekullueshme për pasurim të shpejtë e të kollajtë vetjak (natyrisht jo si minierat e Bulqizës që po vrasin përditë njerëz, më shumë edhe se Gërdeci!). Ndaj, për të mbetur në pushtet sa më gjatë, ata kanë qenë dhe janë të gatshëm jo vetëm të shesin e të falin edhe atë që nuk u takon, -pronën dhe interesin publik, si të ishin sende të tyre private, - po mund të japin e të falin edhe territore, edhe interesa madhore e të pazëvendësueshme të Shqipërisë. Minierat janë shembujt më të shëmtuar të kësaj dukurie ku edhe fëmijët punojnë si skllevër!
Shembuj të tjerë të kësaj rropame kombëtare me pronën dhe pasuritë publike mund të sillen, jo vetëm me kufirin detar apo varrezat e ushtarëve grekë, me ndërtimin e mundshëm të një centrali bërthamor, me shitjen pa kushte të OSSH-së çekëve, me tenderin e rrugës Durrës-Kukës, me shpërthimin e Gërdecit, me Zogun e Zi e së fundi edhe me sheshin “Skënderbej”, me Pallatin e shfytyruar të Kulturës në qendër të Tiranës, me lulishten prapa Pallatit apo me atë te Dhoma e Tregtisë, me Piramidën, me Kinostudion, me Pallatin e Kongreseve, me rrjetin e hekurudhave, me hidrovoret që nuk punojnë, me koncesionet e minierave e hidrocentraleve, me…etj etj… Mjafton të dalësh në cilëndo rrugë që të vëresh se në çdo cep të Shqipërisë, në qendër e në periferi, fushat e bukës apo malet e transformuara në gurore, rrugët rurale, pyjet, lumenjtë, kullotat, ish fabrikat e ish kombinatet, ish repartet ushtarake, ish vatrat e kulturës, ish kanalet e vaditjes, ish kinematë, ish teatrot, të gjitha këto janë bërë gërmadha për të cilat nuk vjen asnjë i huaj t’i blejë qoftë edhe me një euro!…Sot nuk ka gjë që trajtohet më armiqësisht, më babëzisht e më egërsisht se interesi publik, se prona publike, se interesi i përgjithshëm. Shumica janë lënë kështu qëllimisht, që të privatizohen më pas nga klientët e përhershëm të pushtetit për hiçmosgjë.
Kush më shumë e kush me pak, të gjithë krerët tanë çuditërisht kanë qenë e mesa duket janë nipër e stërnipër të Esat Pashës, i cili, siç dihet, do të mjaftohej edhe me gjysmën e Shqipërisë, vetëm për të mbetur vetë i parë! I vetmi ndryshim është që esadistët e sotëm “operacionet” e vjedhjes, të tjetërsimit të pronës publike i bëjnë me ndihmën e bordeve, të Këshillave të Bashkive e të komunave, të KKRTSH-ve, të drejtorëve të drejtorive që pranojnë të hedhin firmat, duke marrë përsipër edhe rriskun që mund të rrasen një ditë në burg…Por edhe në këtë drejtim ata janë të qetë; janë të qetë sepse, akuzave për tenderin mbi një miliard euro të rrugës Durrës-Kukës, Kryeministri doli e tha se vendimi ishte kolektiv ( i qeverisë) dhe se, sipas tij, nuk ka e nuk mund të jepen kurrë në demokraci “dënime kolektive”….A mbajti njeri përgjegjësi për “Zogun e Zi”? Po sa “zogj të zinj” ka në Shqipëri? A kemi ne një inventar të pasurive dhe të pronave publike që mbrohen me ligj e që asnjë pushtet qendror apo lokal nuk ka të drejtë t’i transformojë e t’i tjetërsojë?! Kush e mbron p.sh, pasurinë intelektuale, filmat, muzikën, arkivin, librin, kështjellat, monumentet e kulturës, kronikën, pikturat, gjuhën, etj, që për arsye të ngjashme po degradohen?
Shoqëria shqiptare me siguri do të qetësohet dhe demokracia e pluralizmi do të funksionojnë normalisht vetëm atëherë kur këtu të mos ketë mbetur askurrgjë pa u privatizuar, pa u shitur, pa u blerë, pa u tenderizuar, pa u hapërdarë…Vetëm atëherë ndoshta harmonia dhe shpresa për një demokraci funksionale do të garantohet, sepse vetëm atëherë do të respektohen kufijtë mes privates dhe publikes.