Aldo Bare akuzon Gjyqësorin: “Procesi është i paragjykuar”
Laureta Rryçi
Procesi ndaj Aldo Bares ka nisur dje me një dëshmi nëpërmjet video-konferencës. Në seancën e djeshme ka dëshmuar Arben Kicja, i njohur si bashkëpunëtor i Drejtësisë, ku ka folur për dy episode. Po gjatë seancës së djeshme, i pandehuri Bare ka vendosur të flasë për herë të parë në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij dhe qëndrimit që ka mbajtur Drejtësia shqiptare deri tani.
Reagimi
Aldo Bare, i njohur si kreu i bandës së Lushnjës, e ka cilësuar dje procesin e tij gjyqësor si një proces i montuar nga shteti. I pandehuri ka bërë ironi për kundërshtimin e tre kërkesave të tij, duke falënderuar gjykatën për tre pafajësitë që kishte dhënë. “Faleminderit që më dhatë mundësinë të flas. Para se të nisë ky proces gjyqësor dua të them se e gjithë kjo që po thuhet këtu është një farsë, një proces i montuar nga shteti. Dua t’ju falënderoj që më keni dhënë kurajën duke u mirinformuar brenda në qelitë e burgut, që i përngjajnë atyre të Kafkës dhe Dantes, për gjithë këtë dosje voluminoze. Dua t’ju falënderoj për tri vendimet e pafajësisë që keni dhënë ndaj meje. Jeni e vetmja gjykatë që keni dhënë tri pafajësi. Në burg edhe një handikapat më thotë ‘mos shko në gjykatë se vendimi është marrë tani’. Këto vendime, edhe i madhi Kafka do t’i kishte zili”, - tha dje Bare.
Dëshmia
Dëshmitari i thirrur dje nga gjykata për të dhënë deklarimet e radhës ishte Arben Kicja, i njohur si bashkëpunëtor i Drejtësisë. Ndërkohë që dëshmitarët tjerë, Gramoz Selmani, Afrim Daja, Dritan Gjyla, Alfred Gjyla, Lorenc Daja, sipas gjykatës, ndodhen në Greqi. Pas deklarimit se është paraqitur dëshmitari i Drejtësisë, Arben Kicja, Bare ka reaguar sërish. “Ky dëshmitar nuk e di as vetë se për çfarë do të flasë. Ai nuk është as në hasmëri dhe nuk e kuptoj këtë komedi të turpit. Nuk e di kush e ka mbrojtur”, - tha Bare, të cilit iu ndërpre fjala nga gjyqtarja Hajdari. Dëshmia e Kicjes u dha me video-konferencë dhe me dyer të mbyllura për publikun. Dëshmitari, për katër orë me radhë, pa u përballur me Baren, personi i cili tentoi ta vriste, ka treguar atë çka ai dinte në lidhje me ngjarjet kriminale në qytetin e Lushnjës.
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përcaktuar 60 dëshmitarë që, sipas saj, vërtetojnë akuzat ndaj Aldo Bares. Aldo Bare u arrestua në Turqi me kërkesë të Prokurorisë shqiptare. Ai u ekstradua nga Turqia në nëntor të vitit 2009, pas tri vitesh qëndrimi në qelitë turke.
Procesi ka nisur jo vetëm për Aldo Baren (me emër të ndryshuar nga Alfred Shkurti), por edhe për anëtarët e tjerë të grupit të tij; Arben Boriçi, Enver Boriçi, Ilir Stërgu, Erion Cici, Afrim Hoxha, Enver Dondollaku, Rexhep Gina, etj.
AKUZAT PËR ALDO BAREN
Akuzuar për kryerjen e veprave penale të:
“vrasjes me paramendim” të shtetasit Genci Kashari, parashikuar nga neni 78 i Kodit Penal;
“vrasjes me paramendim” të mbetur në tentativë të shtetasit Artur Daja, parashikuar nga neni 78 dhe 22 i Kodit Penal;
“vrasjes me paramendim” të shtetasit Xhevat Demiri, parashikuar nga neni 78 i Kodit penal;
“vrasjes me paramendim” të shtetasit Nimet Zenelit, parashikuar nga neni 78 i Kodit Penal;
“vrasjes me paramendim”, të ngelur në tentativë ndaj shtetasve Gramoz Selmani dhe Masar Aliu, të parashikuar nga neni 78 dhe 22 i Kodit Penal;
“Vrasjes me paramendim” të shtetasit Masar Aliu, parashikuar nga neni 78 i Kodit Penal;
“mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, parashikuar nga neni 278/2 i Kodit Penal;
“shkatërrimit të pronës me zjarr” të banesës të shtetasit Shkëlqim Haxhiu, parashikuar nga neni 151/2 i Kodit Penal;
“krijimit të organizatës kriminale”;
“kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 333 dhe 334 të Kodit Penal.
Shpejtësia e mjetit përplas fëmijën 8-vjeçar, ndalohet shoferi
FIER – Një fëmijë 8-vjeçar është përplasur dje nga një makinë në rrugën Fier-Seman dhe, për pasojë, ka pësuar plagosje të rëndë. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se i lënduari është dërguar me urgjencë në drejtim të Tiranës për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa drejtuesi i mjetit, Nikolasi Hoxha është ndaluar nga policia. Përplasja ndodhi në fshatin Pojan të rrethit të Fierit. Sapo ka ndodhur aksidenti, drejtuesi i makinës, Hoxha ka zbritur dhe ka marrë fëmijën, duke e transportuar atë në Spitalin rajonal në Fier.
Mjekët e këtij qyteti pas ndihmës së parë kanë vendosur të dërgojnë në Tiranë të miturin për shkak të gjendjes së tij të rëndë si pasojë e aksidentit. Policia tha se shkak i aksidentit dyshohet se ka qenë lëvizja e mjetit tej normave të shpejtësisë së lejuar, ç’ka e ka bërë të pamundur parandalimin e aksidentit në kohën kur fëmija ndodhej në rrugë.
Prangoset 24-vjeçari, tentoi të vjedhë zyrat e komunës
LIBRAZHD – Forcat e Policisë së Librazhdit kanë ndaluar në flagrancë një person, i cili, ndër të tjera akuzohet për tentativën e vjedhjes së zyrave të një komune. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Elbasanit pohuan dje se është vënë në pranga shtetasi Altin Dosku, banues në qytetin e Librazhdit, i cili dyshohet se në periudha të ndryshme kohe ka kryer një sërë vjedhjesh. 24-vjeçari dyshohet se më datë 26 shkurt, gjatë orëve të natës, ka tentuar të vjedhë zyrat e një komune. Ndërsa në datën 28 shkurt, në qytetin e Përrenjasit, ai ka vjedhur dyqanin ushqimor në pronësi të F. K., 37 vjeç, etj. Zëdhënësja e Policisë, Valbona Begu njofton se materialet në ngarkim të Altin Doskut iu kaluan Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme.
1 Prill 2010