E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milan prezanton projektet e sezonit 2010 në Shqipëri

TIRANë-Skaudra italiane e Milanit rikthehet në Shqipëri me prezantimin e një sezoni të ri me projekte; edicioni i tretë i “Milan Junior Camp” në Tiranë dhe debutimin e kupës “Milan School Cup”, një turne ku do të marrin pjesë nxënësit e shkollave të kryeqytetit.

Edicioni i tretë i “Milan Junior Camp”, një javë futboll dhe argëtim për lojtarët e vegjël shqiptar, do të mbahet nga 5 deri në 9 korrik.

Ashtu si në dy edicionet e kaluara, 5 pjesmarrësit më të talentuar që do të përzgjidhen gjatë kampit do të dërgohen në Milano së bashku me familjet e tyre për të marrë pjesë në “Milan Junior Camp Day”, së bashku me djem të tjerë nga e gjithë bota.

Gjatë dy ditëve të këtij aktiviteti do të jenë të ftuar edhe në stadiumin “San Siro” dhe do të zbresin në fushë për një përshëndetje dhe një moment argëtimi së bashku me të gjithë pjesmarrësit e tjerë.

Edhe këtë edicion “Milan Junior Camp” u mundësua nga kompania “Taçi Oil”. Sipas zv/presidentes së kompanisë “Taçi Oil”, Anika Taçi, “duke parë numrin e madh të kërkesave për të marrë pjesë në aktivitetin “Milan Junior Camp”, kompania ‘Taçi Oil” do të hedhë një shorte ku do të përcaktohen 100 pjesmarrësit në aktivitet. Në shorte mund të marrin pjesë të gjithë ata që konsumojnë 50 litra karburant në pikat “Taçi Oil”.

Ndërkohë një tjetër projekt i Milanit në Shqipëri gjatë këtij sezoni do të jetë edhe “Milan School Cup”, që zhvillohet prej 5 vitesh në Milano dhe tashmë do të mbahet në datat 8-9 maj edhe në Tiranë.

Turneu që i rezervohet nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të Tiranës, është një nga aktivitetet më të rëndësishme të krijuar për të rinjtë nga klubi i Milanit.

36 ekipe do të përballen në qëndrën sportive të ekipeve Kombëtare në Kamëz. Dy trajnerë zyrtarë të shkollave të futbollit të Milanit do të jenë prezent për të koordinuar aktivitetin, ku më të mirët do të marrin pjesë në “Milan Junior Camp”.

Sipas ambasadorit italian në Shqipëri, Saba D’Elia, “Milan School Cup”, është një nga 80 aktivitetet e projektit “Itali – Shqipëri, dy popuj, një det, një miqësi”.

“Jemi të lumtur që një klub futbolli kaq prestigjoz si A.C Milan merr pjesë në sezonin e madh të aktiviteteve “Itali – Shqipëri, dy popuj, një det, një miqësi”, u shpreh ambasadori D’Elia.

Për të prezantuar klubin e Milanit ishin dy ish futbollistë të kësaj skuadre si Maurizio Ganz dhe Pietro Vierchëood, të cilët shprehën kënaqësinë e tyre për pjesmarrjen në këtë aktivitet si dhe mbështejtjen maksimale të klubit të Milanit për rritjen e futbollit shqiptar.

“Fjalët kyçe të këtyre projekteve janë: argëtim, sport, shëndet dhe garë korrekte”, tha Maurizo Ganz.

(d.b/ATA/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›