E Shtunë, 31 Tetor 2026

Armitage: Siguria e pronës, thelbësore për investimet

14/09/2011  Drejtoresha e BB për Evropën Juglindore vë theksin në një nga çështjet më të ndjeshme

“Perceptimi për korrupsionin ka rënë, por vazhdoni të kryesoni në rajon”

Drejtoresha e Bankës për Evropën Juglindore, Jane Armitage, tha dje gjatë një konference me temë “Drejt një qeverisje më të mirë”, ku merrte pjesë dhe Kryeministri Berisha, se në Shqipëri pronat vazhdojnë të mbeten ende një problem i pazgjidhur, dhe që ndikon drejtpërsëdrejti tek investitorët e huaj. Për Bankën Botërore ulja e korrupsionit dhe zgjidhja e kësaj çështjeje janë jetike për të mos e lënë vendin të rrëshqasë në vorbullën e krizave që kanë shoqëruar disa vende të Evropës. "Në veçanti siguria e të drejtës së pronës është thelbësore. Kjo është një çështje që prek të gjitha vendet e rajonit. Ka një konsensus të gjerë mes gjithë faktorëve se kjo është një fushë ku Shqipëria duhet të përshpejtojë reformat. Të gjithë janë të shqetësuar se kriza e borxheve në Eurozonë dhe normat e ulëta të rritjes do të godasin ekonomitë në zhvillim të rajonit. Shqipëria është shumë e lidhur me prosperitetin ekonomik të Evropës Perëndimore. Normat e rritjes ekonomike nuk janë më si më parë dhe është e rëndësishme që qeveria të ulë borxhin publik, e për këtë i duhet të miratojë buxhete me deficit më të lartë se 3 për qind", tha Armitage.

Korrupsioni

Ndërkohë, sipas drejtoreshës është vënë re një rënie e perceptimit për korrupsionin në vend në tre vitet e fundit, por sërish niveli i tij në administratën publike, sipas saj, vazhdon të jetë i lartë. Armitage tërheq vëmendjen se duhet të bëhet akoma më shumë në këtë drejtim. "Perceptimi i korrupsionit, në sensin e atyre që paguajnë ryshfet, ka ardhur në rënie në tre vitet e fundit, sipas studimeve tona, por është sërish i lartë dhe është më i lartë sesa në vendet fqinje. Mbetet ende shumë punë për tu bërë në këtë drejtim", tha Jane Armitage, drejtoresha e BB-së për Evropën Juglindore. Ndërkohë ajo vuri në dukje se ligji për prokurimet elektronike është nga më të mirët, por ende vazhdon të jetë problem, sipas saj, transparenca në këto prokurime. “Bizneset thonë se transparenca në prokurime është rritur, por disa prej tyre ngrenë shqetësimin se në fusha të caktuara ai nuk po zbatohet plotësisht", tha Armitage. “Menaxhimi në mënyrë transparente i të ardhurave, depolitizimi i administratës, lufta kundër korrupsionit dhe e drejta e pronës janë disa nga çështjet shumë të rëndësishme të cilat do të thithin investimet dhe do të përshpejtonin integrimin në BE", shtoi më tej ajo. Duket se pronat dhe korrupsioni në administratën publike vazhdojnë të mbeten një problem i madh për donatorët. Me gjithë përparimin që është bërë në këta vjet, duhet theksuar se çështja e pronave vazhdon të mbetet në vendnumëro, pavarësisht deklaratave të krerëve të lartë të shtetit për kompensime pronarësh dhe afate të cilat nuk janë zbatuar nga asnjë qeveri. Jo në pak raste konflikti për pronat ka sjellë dhe largimin e investitorëve.

Berisha përqendrohet te lufta ndaj korrupsionit

“Pronat, po përqendrohemi te regjistri themeltar i tokës”

Në takimin e djeshëm të organizuar nga Banka Botërore kryefjala e Kryeministrit Berisha ishte përmirësimi i efeciencës së punës së qeverisë. Sipas shefit të qeverisë, kjo nënkupton zero tolerancë ndaj korrupsionit, i cili sipas Berishës më parë duhet të fillojë nga vetja. Ndërkohë Kryeministri gjatë fjalës së tij foli dhe për çështjen e pronave. “Problemet me pronësinë janë një problem serioz, që duhet të marrë zgjidhje me regjistrin e tokës. Banka Botërore ka angazhuar fonde në këtë drejtim, qeveria ka krijuar një task forcë të kryesuar nga kryeministri, duke e konsideruar regjistrin e pronës pas regjistrit të gjendjes civile regjistër themelor. Regjistri i pronës është kusht themeltar për të zvogëluar rolin e faktorit pronë si gjenerator aktesh korruptive në administratë”, nënvizoi Kryeministri Berisha. Duke prekur problemin e korrupsionit, Berisha tha se asnjë reformë smund të ketë sukses pa një luftë frontale ndaj këtij fenomeni. “Qeveria është e angazhuar me luftën zero tolerancë ndaj korrupsionit, nuk ka armik më të etur për njeriun e lirë se korrupsioni. Ai është fenomeni më negativ në shoqëri. Është përcaktues në suksesin e gjithë reformave të tjera. Asnjë reformë nuk mund të ketë një sukses, pa një luftë kundër korrupsionit, askush nuk është imun ndaj korrupsionit. Luftën kundër korrupsionit do e fillojmë nga vetja jonë.” Duke përmendur arritjet e qeverisë në luftën kundër korrupsionit, Berisha theksoi se brenda një kohe të shkurtër popullata e burgjeve është dyfishuar, ndërkohë deklaroi si primare barazi para ligjit kush kryen vepra kriminale. “Kërkojmë një politikë të ashpër, task forcat kanë zhvilluar çdo vit kontrolle te qindra zyrtarë të niveleve të ndryshme, por do faktojnë se me këtë vepër qytetarët dhe zyrtarët janë të barabartë para ligjit”, theksoi Berisha.

Jane Armitage vlerëson praktikat e ndjekura deri më tani nga Olldashi

Banka Botërore: Ministria e Transportit model transparence

Ministria e Punëve Publike dhe Transportit cilësohet nga drejtoresha e Bankës Botërore, Jane Armitage, si shembull i efeciencës në prokurimet publike që zhvillohen në projektet e financuara nga ky institucion i rëndësishëm ndërkombëtar. Gjatë një konferencë për shtyp, të zhvilluar dje në Tiranë, drejtoresha e Bankës Botërore duke folur për udhëzimet, rregullat dhe politikat e qarta që ndjek ky institucion, në lidhje me prokurimet për projektet që zhvillohen me fonde të saj, mori si shembull Ministrinë e Transportit, si një ndër institucionet më efeciente në përdorimin e fondeve të akorduara nga Banka. Gjatë fjalës së saj, Jane Armitage tha: “Shpeshherë rregullat, udhëzimet, politika që kërkon BB për prokurimet që zhvillohet për projektet me fondet e saj, mund të duken si komplekse, por më lejoni tju përmend një shembull real, të cilin unë e pashë vetë në terren, gjatë këtyre dy ditëve. Banka Botërore po jep fonde për rehabilitimin e Portit të Sarandës dhe në bazë të udhëzimeve për prokurimet u zhvillua tenderin ndërkombëtar, ku rezultoi fituese kompania që kishte ofruar një çmim prej 1 milion $ më të ulët se fondi limit i akorduar. Këto para të kursyera mund të përdoren për ndërtimin e rrugëve, ujësjellësve, sistemit të kanalizimeve etj. Ky është një shembulli konkret i efeciencës në përdorimin e fondeve”. Projekti për rehabilitimin e Portit të Sarandës ka për qëllim ndërtimin e një terminali të dedikuar për tragete pasagjerësh dhe anije cruise/lundruese. Përfundimi këtij projekti do të ndikojë në rritjen e turizmit duke lehtësuar aksesin e pasagjerëve dhe automjeteve në Shqipërinë e Jugut, si dhe do të ndikojë në rritjen e ekonomisë lokale. Fondi limit i akorduar për këto projekt ka qenë 6.7 mln $. Pas përfundimit të procedurës së prokurimit, ku morën pjesë 6 kompani ndërkombëtare (nga shumë kompani të interesuara), u përzgjodh kompania “IONIOS” S.A Construction Company, Greqi.

Kryetarja e Kuvendit, takim me përfaqësi të grave të Kinës

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti dje në takim një përfaqësi të Federatës Mbarëkombëtare të Grave të Kinës, kryesuar nga zv/presidentja, Song Xiuyan. Në këtë takim të pranishme ishin edhe gra personalitete shqiptare të artit, kulturës e fushave të tjera. Xiuyan, duke falënderuar Kryetaren e Kuvendit për mikpritjen tha: “Kjo simbolikë është shumë domethënëse në marrëdhëniet miqësore tradicionale mes dy vendeve dhe dy popujve. Ne jemi fqinj, edhe pse jemi larg gjeografikisht”. Kryetarja e Kuvendit u uroi mikeve nga Kina mirëseardhjen, duke vlerësuar rolin e gruas në Kinë, ashtu si në mbarë botën. “Çdo grua në Shqipëri, në Kinë, kudo, ka një dimension të veçantë, ka një dimension shumë të bukur. Secila prej grave është një kalorëse në fushën e saj, Çdo grua përfaqëson një histori suksesi. Çdo grua e suksesshme është inspiruese në sy të grave të tjera”, tha Topalli.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›