E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i ri akciza ne baze te perqindjes se alkoolit

Pijet alkoolike do të paguajnë akcizën në bazë të përqindjes së alkoolit dhe jo më për sasinë. Ndryshimi i ri në ligjin për këtë taksë përcakton që kjo pagesë të jetë e përshkallëzuar duke ndjekur shembullin e vendeve të Bashkimit Europian. Sipas drejtuesve të Doganave drafti ligjor tashmë është gati për diskutime.

“Akciza për pijet alkoolike të distiluara llogaritet në bazë të përqindjes së alkoolit të pastër. Në ligjin ekzistuese akciza llogaritet mbi volumin e lëngut, pavarësisht sa është përqindja e alkoolit që ka në përbërje të kësaj pije alkoolike. Në ligjin e ri, në përputhje edhe me standartet në fuqi në vendet e BE, akciza do të lloaritet mbi bazën e përqindjes së volumit të alkoolit”- tha nëndrejtori i Doganave, Sajmir Laçej.

Drejtuesit e Doganave ishin në një takim me anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë. Këtu ata dhanë detaje për performancën e doganave. Duke folur për tregun e karburanteve u bë me dije se ka rënie të importeve dhe kërkesë më të madhe të prodhimit vendas. “Karburantet të cilat në gjashtëmujorin e parë të këtij viti kanë pasur një rënie për shkak të vënies në funksionim të prodhimit të brendshëm, kryesisht të Ballshit i cili ka pasur një funksionim përgjatë gjithë periudhës së gjashtë mujorit të parë”- tha drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Flamur Gjyrmishka.

Në takim, anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë kërkuan që punonjësit e doganave të respektojnë çmimet referencë në zhdoganimin e mallrave të ndryshme. Po kështu u fol për praktikat për faljen e detyrimeve si dhe për kodin e ri doganor, drafti i të cilit i është dorëzuar para pak javësh Ministrit të Financave nga kreu i delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë.

Florian Papadhimitri

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›