E Diel, 1 Nëntor 2026

Një film për lirinë “brenda kufijve”

14/09/2011  Nëse të duhet të flasësh për një film, një këndvështrim nga mund të nisësh është tek ndjesitë dhe emocionet që të ngjall.

Në këtë kuptim ajo çka “komunikoi” filmi “Falja e gjakut”, e shfaqur premierë për median në kinema ditën e djeshme ishte më tepër se një emocion i thjeshtë brenda estetikës së kinemasë. Përkufizuar, mbase brenda kornizave, një film për lirinë në dimensionin e saj të prekshëm njerëzor.

Siç pohoi pas premierës edhe bashkëskenaristi dhe një prej producentëve të filmit, Andamion Murataj, filmi nuk është një film kartolinesk, por është gati dokumentaresk. Një “dokumentar” i tillë që të bën të përjetosh vërtetësish, gati natyralisht ngjarjet që përcillen, e në të njëjtën kohë është plot ritëm në dramacitetin dhe tensionin e tij.

Siç vërehet në informacionin për shtypin ky është “një film që do të rrëfejë historinë e një familjeje që jeton një kontradiktë të thellë: mbyllur në ngujim në shekullin XXI. Është rrëfimi i botës moderne që përballet me traditën, historia e një biri në përplasje me të atin dhe historia e një vëllai e një motre, që nga fëmijë shndërrohen në të rritur”.

Publiku arrin të futet në botën e kësaj familjeje dhe të personazheve pa sforcim, duke u bërë pjesë e psikologjisë së tyre, përmes detajeve që duken të thjeshta, por që janë reale dhe që flasin realisht dhe vërtetësish.

Ndryshe nga ç’mund të paragjykohet fillimisht, që mbase kemi të bëjmë me një film klishe për gjakmarrjen, ajo çka ofron filmi është krejt tjetër.

“Nuk kishim asnjë fabrikat, por donim të bënim një film për jetën reale të të rinjve në Shqipëri. Ajo çka kishte lexuar Joshua dhe unë për Shqipërinë ishte fakti që Shqipëria jeton kohën e moderntitetit. Por gazetat në njëfarë mënyre keqinterpretojnë. Erdha me vetëdijen që e njihja Shqipërinë më shumë se ai”, thotë mes të tjerash Murataj, ndërsa vëren se ajo çka zbuloi ishte ndryshe. “Gjakmarrja, konfliktet e interesit nuk janë karakteristikë e maleve. Ajo çka ndodhur gjatë 20 viteve është se ka pasur lëvizje të mëdha urbane dhe një pjesë e popullsisë ka mbartur problemet e pronësisë, të gjakmarrjes, ka mbartur mënyrat se si njerëzit i zgjidhin problemet. Kjo është ajo çka zbulova në proces. Ajo çka na bëri përshtypje është se kishin një rotacion të pushtetit për të zgjedhur problemet. Ekzistojnë mekanizma brenda komunitetit për të zgjidhur konfliktet dhe filmi ynë në esencë ka pikërisht këtë, se si njerëzit nuk zgjidhin sipas traditave”, vijon skenaristi Murataj.

Pikërisht në këtë linjë “jotradicionale” zhvillohen dhe karakteret dhe jepet psikologjia e personazheve.

E dukshme është kjo sidomos në personazhin e Nikut (Tristan Halilaj), adoleshentit të ngujuar, i cili përpiqet të zgjidhë konfliktin sipas mënyrave të tij.

Një prej karaktereve më interesante në film, ai është i riu i integruar në zhvillimet e kohës, (interneti, celulari, bota e komunikimit) dhe i dashuruar si çdo bashkëmoshatar i tij me një vajzë të moshës së vet.

I detyruar të qëndrojë brenda mureve të shtëpisë, në një çast dëshpërimi dhe nervozizmi ai guxon të shkojë te shtëpia e gjakësve të tij, duke i kërkuar që, ose ta vrasin menjëherë, ose ta lënë të lirë përgjithmonë.

Ai “fiton” lirinë e tij, i detyruar të largohet nga familja dhe nga shtëpia, por “me interes” në këtë rast, nuk është ikja e Nikut, por suksesi i negociatave. Siç thotë Murataj, “Niku shkon tek ajo shtëpi për të marrë diçka edhe hap derën e parë të negociatave. Arrin që shkon te shtëpia që i ka detyruar të jenë të burgosur dhe del prej andej i lirë. Ndërton urën e parë të komunikimit”. Ai nuk zgjedh të largohet jashtë shtetit dhe në këtë rast sensi i lirisë është i interpretueshëm. Ai thjesht mban hapur këtë derë që mund ta çojë më tej. “Qëndron përballë palës tjetër dhe merr diçka. Nuk dua të them se është histori optimiste, por është histori suksesi”, nënvizon skenaristi Murataj, ndërsa shton se kjo tejkalon zgjedhjen klasike të kinemasë evropiane.

Ajo çka kanë synuar realizuesit e filmit kanë qenë gjuha autentike dhe karakteret autentike. Personazhet flasin në gjuhën e tyre lokale, në dialektin verior të fshatit të vogël të Shkodrës ku zhvillohen ngjarjet dhe kjo e bën edhe më të vërtetë dhe njerëzore historinë.

Andamion Murataj komenton se skenari nuk është skenar në kuptimin e tij klasik, por është një skenar i mbledhur, pra janë copëza historie që bashkë përbëjnë një mozaik të tërë.

Interesante për t’u vërejtur është linja muzikore, e përzgjedhur nga muzika shqiptare dhe ajo ballkanike e mesdhetare e që “i rri” për shtat filmit.

Konflikti i brezave mund të jetë një pikë e vërejtshme në film, që jepet në marrëdhënien e Nikut me të atin, Mark (Refet Abazi).

“Më vijnë shumë personazhe ndërmend, kush me zë e kush pa zë. Janë dy zgjedhje epokash. Kur hapet filmi Niku dhe i ati, deri te momenti i dollisë janë i njëjti karakter, bëjnë të njëjtat zgjedhje, madje Niku është shumë më agresiv në njëfarë mënyre, më energjik se ati. Ajo që ndodh vjen gradualisht. Sensi i lirisë është në kuptimin më personal. Pavarësisht qëndrimit moral, liria është personale. Kur të vihet liria në pyetje atëherë njeriu vlerëson marrëdhëniet e tij me jetën dhe morali i pranuar social fillon e zhvishet. Ka një motiv shumë të brendshëm. Nuk ka karakter pozitiv apo negativ”, shprehet Murataj.

Interesantë dhe në linjë harmonike me gjithë dallimet e tyre vijnë edhe personazhet e tjerë: Rudina (Sindi Laçej), Drita (Ilire Çelaj), Deda (Çun Lajçi) etj.

Pas premierës së tij mbrëmjen e së premtes, më 16 shtator në kinema “Millenium”, ku do të jetë i pranishëm edhe regjisori amerikan Joshua Marston, filmi “Falja e gjakut” do të shfaqet për publikun shqiptar nga 17 shtatori. Sot ai do të çelë festivalin e Torontos dhe është në të njëjtën kategori me filmat që fituan festivalin e Berlinit apo të Kanës. Pas kësaj ai është zgjedhur të hapë edhe Festivalin e Filmit në Prishtinë.

“Falja e gjakut” ka fituar Ariun e Argjendtë këtë vit në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin për skenarin më të mirë. Ai është një film shqiptar i realizuar në bashkëprodhim mes Shqipërisë, SHBA-së, Danimarkës dhe Italisë.

Në psikologjinë e Nikut…

Një prej detajeve në familjet që vizituan ku kishte të rinj të ngujuar, ndërsa përgatiteshin për filmin, ishte se në të gjitha shihej “Big Brother”. Ishin histori të vockla dhe dëshirat gati minimaliste (një prej këtyre të rinjve dëshironte thjesht të mos kthente kokën mbrapsht ndërsa ecte) të këtyre të rinjve që në fakt i bënim më origjinale dhe më vetjake historitë e secilit. Këto gjëra e bënë Tristan Halilajn, tanimë student në vitin e dytë për aktrim në Maqedoni, ta vishte më mirë personazhin e vet. “Nuk është se kisha ndonjë eksperiencë timen personale familjare që mund ta lidhja me rolin dhe të krijoja idenë e personazhit. Për këtë na kanë ndihmuar shumë takimet që kemi bërë me familje të ndryshme që ose e kanë kaluar ose po kalonin atë fenomen, bisedat me djem ose me vajza të ngujuara. Kërkimi i detajeve që kalonin gjatë ngujimit na kanë ndihmuar të krijojmë një psikologji për personazhin në atë moment të caktuar”, shprehet Halilaj, ndërsa përgjigjet me humor se përvoja e tij e mëparshme lidhur me botën e kinemasë ka qenë thjesht përjashtimi tri herë nga shkolla e mesme.

“Ka qenë e vështirë të silleshin këto detaje me mendimin e realizimit të saktë të personazhit të ngujuar, të marrjes së përgjegjësisë për të qenë ai personazh, për të përfaqësuar atë personazh”, vijon ai, ndërsa pohon se edhe pse loja e tij vjen e natyrshme, në fakt nuk e ka menduar aq të lirë procesin e xhirimit. “Shumë herë kemi pasur dorë për të improvizuar. Kemi bërë shumë improvizime që na kanë lejuar të jemi vetvetja”.

Sindi, një femër e fortë

Ajo që donte të arrinte të përcillja te publiku është që femra pavarësisht gjithçkaje është e fortë. “Ajo arrin t’i bëjë ballë çdo situate pavarësisht se çfarë e pret. Është gati për gjithçka, e ka forcën brenda vetes. Thjesht i duhet një moment, një çast që ta tregojë, ta nxjerrë”, shprehet Sindi Laçej, e cila në film prezantohet si Rudina, vajza adoleshente, e cila merr përsipër gjithë peshën e familjes dhe e mban realisht atë financiarisht, pasi familja futet në gjak. Edhe për Laçejn ishte takimi me shumë vajza me histori të ndryshme ajo çka formoi Rudinën në mendjen e saj. “Më parë nuk është se kisha pasur ndonjë problem të tillë dhe nuk kisha dëgjuar shumë për Kanunin. Por duke takuar ato vajza në njëfarë mënyre të frymëzonin, të përcillnin gjithë ato çfarë kishin me anë të një shikimi, të një fjalie, edhe pse ishin të pakta çfarë thoshin. Ato arrinin brenda pak minutave të sillnin gjithë çfarë kishin kaluar”, rrëfen Laçej, e cila të jep përshtypjen e një vajze të pjekur edhe pse është ende shumë e vogël, sapo ka filluar vitin e parë në gjimnaz. “Ajo që më ka goditur më shumë është besimi se gjërat do të rregulloheshin, se ato do t’ia dilnin mbanë që në një të ardhme të mund të arrinin të kalonin gjithë këto probleme dhe të kishin një jetë normale si më parë, pasi nuk ishte faji i tyre që kishin përfunduar në gjendje të tillë”, vijon Laçej, ndërsa tregon se ka pasur gjithmonë dëshirë për të interpretuar në filma. “Është ëndrra e çdo adoleshenti që të bëhet në të ardhmen një aktor ose aktore e famshme në Hollivud, por dëshira që të vazhdoj më tej sigurisht që do të jetë”.

Tregon se jeta e saj është krejt ndryshe nga ajo çka jepet në film, nga jeta e Rudinës. “Në film unë jam një tip i ndruajtur që kufizohem shumë në shoqëri. Sindi është një person krejt tjetër. Unë nuk kam asnjë ngjarje të tillë që të më ketë ndodhur. Ëndrra ime është të kem një punë si arkitekte”, thekson Laçej, ndërsa shton se do të ishte bukur sikur të arrinte të bëhej një aktore e mirë, mundësisht e ngjashme me Meryl Streep, të cilën e ka të preferuarën e vet.

Një mbështetje e fortë për të kanë qenë prindërit, të cilët e kanë mbështetur shumë. “Fillimisht na dukej e pabesueshme se si një regjisor amerikan mund të vinte pikërisht në Shkodër për të xhiruar një film. Në fillim ishim të befasuar, por pastaj ideja që të merrja pjesë në një rol, ndër kryesorët ishte diçka e madhe dhe më mbështetën gjatë gjithë procesit”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›