“Armo”; Jemi të hapur me të gjitha kompanitë, nuk ka monopol
Kompania “Armo” ka reaguar dje ndaj akuzave se po monopolizohet tregtimi i naftës D2 në vend. Me anë të një deklarate për shtyp “Armo” ka deklaruar se “është e hapur dhe bashkëpunuese më të gjitha subjektet tregtare të karburanteve pa kryer asnjë diferencim duke shmangur çdo insinuatë për krijimin e bizneseve preferenciale, pra dhe të një situate monopol”. Sipas deklaratës, përfshirja në debatet e fundit e kompanisë “Armo”, e cila përfaqëson industrinë e vetme të përpunimit të naftës në vend, në vorbullën e së cilës fatkeqësisht është përfshirë dhe autoritetit i konkurrencës, nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e dështuar për shkatërrimin përfundimtar të kësaj industrie, e cila përbën nga të paktat pasuri kombëtare të mbetura, me vlera të pallogaritshme për ekonominë shqiptare. “Armo” ka bërë të ditur se edhe pse nuk ka marrë ende asetet e kompanisë, i ka shlyer tashmë të gjitha detyrimet dhe ka rritur pagat e punonjësve me 30%. “Nuk ka tashmë as dhe një qytetar shqiptar i cili të mos kuptojë se kjo industri me teknologji të viteve ‘50 që nga krijimi i saj është shfrytëzuar maksimalisht dhe pa asnjë strategji për zhvillimin në standarde të teknologjisë bashkëkohore për shkak të kostos mjaft të lartë të këtij procesi”, – deklaron “Armo”. Sipas saj, periudha njëvjeçare e lënë në dispozicion nga qeveria shqiptare për të kryer ndërhyrjet e nevojshme për ndryshimin e teknologjisë së prodhimit të gazoilit, megjithëse është e pamjaftueshme, do të kryhet brenda afateve.