Emigrimi në BE, rikthehet në diskutim “Karta Blu”
Bashkimi Evropian ka rikthyer në diskutim mundësinë e krijimit të një sistemi të përbashkët për emigrimin e punëtorëve të kualifikuar drejt vendeve të BE-së. Ky emigrim është menduar të bëhet me anë të “Kartës Blu”, analoges së “Kartës Jeshile” amerikane. Propozimi konkret është kryer nga Gjermania, e cila ka bërë thirrje për një sistem unik të pranimit të emigrantëve në vendet e Bashkimit Evropian dhe lëvizjen e lirë të tyre në të 27 vendet anëtare.
Sistemi i propozuar nga Gjermania parashikon një sistem pikëzimi, të ngjashëm me atë të Britanisë së Madhe, Kanadasë dhe sistemit që do të hyjë në fuqi në Shtetet e Bashkuara në vitin 2011. Plani është mirëpritur nga kryekomisioneri Barrozo, i cili ka bërë thirrje për një studim të hollësishëm të detajeve dhe miratimin e projektit nga ana e Këshillit të Bashkimit Evropian, që është dhoma e lartë e legjislativit të përbashkët të BE-së.
Projekti
Projekti është paraqitur në Komisionin Evropian për diskutim pas një sërë debatesh të mëparshme në Këshillin e Bashkimit Evropian. Gjermania është vendi propozues, sipas mediave britanike, ndërkohë që Komisioni ka nisur shqyrtimin e projektit dhe vendosjen e parametrave teknikë, në mënyrë që ta kalojë më pas për miratim në Parlamentin Evropian dhe në Këshillin e BE-së. Por, sipas të përditshmes belge “Lë Suar”, vendimi real do të merret në mbledhjen e Këshillit Evropian, që është mbledhja e të gjithë krerëve të ekzekutivit të shteteve anëtare të BE-së.
Duke folur për mediat, kryekomisioneri Barrozo ka deklaruar se e mirëpret këtë propozim dhe se shumë shpejt drafti do të jetë gati. “Besoj se duhet të kemi një politikë të përbashkët në pranimin e emigrantëve, pasi prania e tyre në një shtet ndikon pashmangshmërisht vendet e tjera”, – citohet Barrozo nga “London Tajms”. Ndërkaq, komisionari për Punësimin, Çështjet Sociale dhe Shanset e Barabarta, çeku Vladimir Spidla, është shprehur se në kushtet e krizës ekonomike botërore është e nevojshme që politikat e emigrimit të jenë të përbashkëta, duke i vendosur një theks të veçantë thithjes së punëtorëve të kualifikuar nga vendet jashtë BE-së, në mënyrë që emigrantët të mos mbeten pa punë kur emigrojnë, duke krijuar kaos shoqëror.
Karta Blu
Ideja e një sistemi të përbashkët emigrimi në vendet e BE-së është hedhur për herë të parë në vitet ‘80 nga kryekomisioneri i atëhershëm, Zhak Delor. Por, në modelin aktual është artikuluar nga Kancelarja gjermane, Anxhela Merkel, në fillim të mandatit të saj. Emërtimi “Karta Blu” (anglisht: Blue Card) është modeluar në bazë të “Kartës Jeshile” amerikane (anglisht: “Green Card), por duket se vetëm emërtimi është i përbashkët.
Kjo, pasi, nëse “karta Blu” kthehet në realitet, në vendet e BE-së do të hyjnë vetëm punëtorët e kualifikuar, pra ata që kanë një shkollë apo kurs të specializuar për profesionin e tyre. Ndërkohë që rëndësi do t’u jepet moshave që janë më të afta për punë, si edhe atyre që dinë gjuhën e vendit të BE-së që përcaktojnë si parësor për të emigruar. Tashmë, pritet strukturimi përfundimtar i draftit nga ana e Komisionit Evropian, që më pas do të kalojë për miratimin në Parlamentin Evropian dhe në mbledhjen e 27 ministrave përkatës të Këshillit të Bashkimit Evropian. Por, vendimmarrja duket se do të merret nga kryeministrat dhe presidentët e 27-shes, gjatë mbledhjes që kryejnë një herë në gjashtë muaj në Këshillin Evropian.