E Diel, 1 Nëntor 2026

Refuzon avokatin, Lulzim Berisha deklaron se ka konflikte familjare me të



Maratona e shtyrjeve të seancave gjyqësore për të pandehurit e “Bandës së Durrësit” vazhdon. Gjithçka ndodhi në momentin kur gjithë avokatët kanë qenë të pranishëm dhe prokurori do kërkonte të procedohej me dëshminë e të penduarit të kësaj bande kriminale, Adriatik Coli. Lulzim Berisha kërkoi të merrte fjalën, duke u kërkuar togave të zeza përjashtimin e avokatit të caktuar kryesisht për mbrojtjen e tij. “Kam konflikt familjar me të”, - është shprehur kapobanda Berisha, duke kërkuar mbrojtjen nga dy avokatët e tij të mëparshëm, Ilia Ilia dhe Arben Qeleshi. Por, kërkesa e tij u rrëzua nga kryesuesi i seancës, Brahimllari, duke e detyruar të pandehurin Berisha të braktisë sallën e gjyqit. Në këtë moment të seancës ka reaguar nën zë edhe rivali i Berishës, Indrit Dokle, i cili i ka kërkuar avokatit të tij, Petraq Semani, të largohen nga salla e gjyqit, në mbështetje të armikut të tij të betuar. Dokle kërkoi nga avokatët e tij ndërprerjen e seancës pas refuzimit të kërkesës së Berishës, duke u deklaruar avokatëve se gjykata duhet të pranonte kërkesën e rivalit të tij. Në këtë moment të seancës ka reaguar edhe avokati i caktuar kryesisht nga gjykata për mbrojtjen e Berishës, Agron Gjedia, i cili ka refuzuar mbrojtjen e mëtejshme të klientit të tij dhe duke u larguar nga trupa mbrojtëse e të pandehurve të kësaj bande. Në këtë moment të heqjes dorë nga mbrojtja, gjyqtari Brahimllari i ka kujtuar avokatit detyrën e tij si mbrojtës, duke u shprehur se “për këtë heqje dorë si mbrojtës i caktuar nga shteti, do njoftohet Dhoma Kombëtare e Avokatisë për marrje mase ndaj tij”. Gjyqtari e ka akuzuar avokatin Agron Gjedia si neglizhent dhe largimin e tij nga mbrojtja e Berishës si një veprim të qëllimshëm për të dështuar këtë proces. Sipas gjyqtarit kryesues, avokati Gjedia është caktuar si mbrojtës i Berishës 3 muaj më parë dhe asnjëri prej të dyve, klient-avokat, nuk kanë paraqitur pretendimet e ngritura në seancën e djeshme. I gjendur përballë një situate të tillë, gjyqtari kryesues i trupës gjyqësore vendosi t’i drejtohet sërish Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe Ministrisë së Drejtësisë për ndihmë, duke u vënë në dispozicion vendimin e marrë gjatë seancës së djeshme dhe procesverbale të të gjitha seancave të shtyra për mungesë të avokatëve apo dhe braktisje të sallës së gjyqit po prej tyre. Bashkë me seancën e djeshme numërohen plot 37 seanca të shtyra nga 53 seanca të zhvilluara në këtë një vit e gjysmë, të gjitha të dështuara për faj të avokatëve. Gjithashtu, gjyqtari kujtoi avokatët se gjyqi do zhvillohet dy herë në javë, të hënë dhe të enjte, dhe se do lajmërojë dy avokatët e të pandehurit Berisha për t’u paraqitur në seancën e ardhshme.

Akuzat e gjyqtarit

Pas 30 minutash në dhomën e këshillimit, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Brahimllari ka marrë vendim për shtyrjen e seancës dhe sqarimin e deklarimeve të avokatit Gjedia dhe pretendimeve të ngritura nga i pandehuri Lulzim Berisha. “Pretendimi i ngritur nga i pandehuri Lulzim Berisha dhe avokati i caktuar për të, Agron Gjedia, janë të padrejta dhe konstatoj se është i qëllimshëm për shtyrjen e seancave. Sjellja e avokatit Gjedia është neglizhente dhe e qëllimshme për dështimin e gjyqit. Seanca e sotme do të ndërpritet dhe nuk mund të vazhdojë për shkak të largimit të avokatit Gjedia. I pandehuri Lulzim Berisha nuk ka ngritur pretendime lidhur me avokatin. Madje, është shprehur në seancën e datës 30 tetor se do të mbrohet nga avokati kryesisht. Më 13 nëntor, Gjedia është shprehur se nuk ka pasur kohë të mjaftueshme të njihet me aktet dhe ka kërkuar kohë, duke u shtyrë seanca. Më 18 dhjetor u shty sërish, se avokati Gjedia njoftoi se ishte në një gjykim tjetër dhe më 29 dhjetor nuk ka pasur pretendime si këto të sotmet”, - është shprehur në vendimin e ndërmjetëm gjyqtari Brahimllari, duke njoftuar edhe pezullimin e afateve të paraburgimit për të gjithë të pandehurit deri seancën e radhës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›