Marrëveshja ; Dokle mbështet rivalin Berisha, u kërkon avokatëve ndërprerjen e seancës
E deklaruar disa seanca më parë se mes Indrit Dokles dhe Lulzim Berishës ka një marrëveshje të heshtur, për të shtyrë sa të jetë e mundur këtë proces gjyqësor, edhe dje kjo marrëveshje u bë e dukshme nën zë. Pas refuzimit të kërkesës së rivalit të tij, Berisha, për përjashtim të avokatit mbrojtës të caktuar kryesisht dhe largimit nga salla e gjyqit, Dokle u kërkoi nën zë avokatëve të tij të ndërpresin seancën. “Ndërprisni seancën, nuk u pranua kërkesa e tij”, - i tha avokatit Petraq Semani, i pandehuri Dokle. Ky i fundit i tha të rrinte i qetë, pasi do reagonte vetë avokati i Berishës, Agron Gjedia, i cili ishte duke kërkuar të fliste rreth kërkesës së klientit të tij, Lulzim Berisha. Mbështetja e Dokles për armikun e betuar ka ardhur pikërisht në atë moment kur gjykata refuzoi kërkesën e Berishës dhe nëse nuk do refuzonte mbrojtjen avokati Gjedia, do vijohej me dëshminë e të penduarit Coli. Dhe, pikërisht shtyrja sa të jetë e mundur e kësaj dëshmie është edhe pika e marrëveshjes mes dy rivalëve Dokle-Berisha.
Somario
“Ndërprisni seancën, nuk u pranua kërkesa e tij”, - i tha avokatit Petraq Semani, i pandehuri Dokle
Detaj
37 seanca janë shtyrë nga 53 të zhvilluara që nga nisja e gjyqit për Bandën e Durrësit në gjykatë
1 vit e gjysmë ka çelja e shqyrtimit gjyqësor e dosjes së “Bandës së Durrësit” në Gjykatën e Krimeve të Rënda
Debatet mes gjyqtarit dhe Lulzim Berishës
Berisha: Kërkoj përjashtimin e avokatit që më keni caktuar si mbrojtës.
Gjyqtari: Keni arsye pse kërkoni përjashtimin e tij?
Berisha: Kam konflikte familjare të hershme me familjen e tij.
Gjyqtari: Nuk pranohet kërkesa juaj. Nuk keni ngritur pretendime të mëparshme për avokatin.
Berisha: Dua të mbrohem nga avokatët e mi, Ilia Ilia e Arben Qeleshi. Ata e njohin dosjen time.
Gjyqtari: Ftuesi të shohë nëse avokatët e të pandehurit janë në korridore. (Pasi ftuesi deklaron se nuk ka asnjë nga avokatët e Berishës, reagon gjyqtari). Gjyqi do vazhdojë me avokatin Gjedia derisa në sallë të paraqiten dy avokatët mbrojtës të të pandehurit Berisha.
Berisha: Nuk pranoj të qëndroj më në seancë. Po largohem, më gjykoni në mungesë.
Gjyqtari: Nëse kështu dëshironi, mund të largoheni.