E Diel, 1 Nëntor 2026

“Përherë pranë jush”; Aktivitet për integrimin e fëmijëve në nevojë



Shoqata "Për integrim të fëmijëve shqiptarë" me mbështetjen e Ministrisë së Brendshme dhe Oborrit Mbretëror, organizoi të enjten në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar një aktivitet për fëmijët jetimë, romë, tetraplegjikë dhe paraplegjikë të Shqipërisë. Në këtë aktivitet humanitar me logon "Përherë pranë jush" merrte pjesë edhe Princi Leka I, që është dhe president i shoqatës humanitare FIABE në Shqipëri. Pasi falënderoi miqtë italianë për mbështetjen e vazhdueshme me ndihma humanitare për fëmijët shqiptarë dhe veçanërisht, presidentin e FIABE-s (shoqatë humanitare në ndihmë të fëmijëve jetimë në Itali), Xhuzepe Trieste, u shpreh i bindur se këto aktivitete që do të vazhdojnë në vijim, bëjnë të ketë më shumë shpresë për të ardhmen e fëmijëve të mbledhur në këtë takim. Zv.ministrja e Brendshme, Iva Zajmi, falënderoi organizatorët që ftuan edhe Ministrinë e Brendshme në këtë aktivitet, sepse një pjesë e fëmijëve, janë të policëve të rënë në krye të detyrës. ''Kjo është një ditë që shoqata FIABE ka dashur t'jua dedikojë juve që meritoni shumë më tepër nga shkollat, nga pushteti vendor, nga ministritë dhe nga qeveria. Fëmijët nuk ndahen me kategori dhe me grupe, janë të gjithë të barabartë, të gjithë kanë të njëjtat shanse në jetë, ndaj desha t'ju bëj thirrje që të mësoni shumë se e ardhmja është juaja", - u shpreh Zajmi. Ky aktivitet u pasua nga koncerti festiv i grupit ''Kripëmjaltëzat'', ndërsa për fëmijët pjesëmarrës u shpërndanë lodra.

Dita e Ashures

Festohet në të gjithë vendin festa e bektashianëve

Është festuar dje në të gjithë vendin nga Komuniteti Bektashian, Festa e Ashures. Kryegjyshi Botëror, Haxhi Dede Reshat Bardhi, ka bërë thirrje për paqe dhe harmoni në vend dhe në mbarë botën, si dhe ka uruar besimtarët dhe jo vetëm, për një vit sa më të mbarë dhe me sakrifica kundrejt të Gjithëfuqishmit. Festa e Ashures është dita e dhjetë dhe e fundit e kalvarit të nipit të dytë të Muhamedit (a.s.), imamit të shenjtë Hysen dhe të gjithë pasardhësve të Ehli Beitit dhe miqve dhe bashkëpunëtorëve të tyre më besnikë në shkretëtirën përvëluese të Qerbelasë. Ajo është dita kur të gjithë vuajtjet e tyre të jashtëzakonshme kulmuan me sakrificën dhe martirizimin e tyre, dita kur u realizua profecia për çmimin që duhet të paguante Ehli Beiti i Shenjtë për të shpëtuar fjalën e vërtetë të Zotit dhe Islamin nga të gjitha llojet e korruptimit dhe shtrembërimet që përpiqen të imponojnë interesat djallëzore të çdo kohe e brezi. Kjo ngjarje e dhimbshme ishte paracaktuar në rrugë hyjnore në Dhjatën e Vjetër dhe ka të bëjë pikërisht me kurbanin që duhej sakrifikuar në vend të Ismailit me anë të cilit Zoti i Gjithëfuqishëm vuri në provë vërtetësinë e profetit Ibrahim disa mijëra vjet përpara se të ndodhte masakra e Qerbelasë. Ajo ishte paracaktuar në rrugë hyjnore edhe në Kuranin e shenjtë, me emrin "Zibhe-Azeem" (që do të thotë ''Sakrifica më e madhe") si dhe në thënie të shumta të profetit të shenjtë. Askush nuk mund ta mohojë që kjo vepër kurajoze e Ehli Beitit është bërë në emër të një shoqërie më të mirë e më të denjë njerëzore, si e tillë ajo meriton të përkujtohet nga të gjithë ata njerëz që aspirojnë dhe bëjnë përpjekje për të njëjtin qëllim. Sapo Hyseni vdiq dhe ia dorëzoi Zotit shpirtin e tij të shenjtë, vajtimi i engjëjve mbushi çdo kënd e skutë të qiejve të lartë. Ata thoshin: "O Zot i të gjitha botëve e qiejve! Ky është Hyseni, më i dashuri Yt, biri i të Zgjedhurit Tënd dhe i bijës së Profetit tënd të shenjtë''.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›