Arratiset Dinamo, tani +17 e gjithnjë e më pranë titullit
Dinamo nuk fal as kësaj radhe dhe merr tri pikë shumë të rëndësishme duke afruar gjithnjë edhe më shumë zyrtarizmin e saj si kampione e Shqipërisë në sezonin 2009-2010. Në Krujë, në një fushë asnjanëse në fakt, edhe pse u detyrua Dinamon të luante si pritëse, nga që stadiumi “Qemal Stafa” mbylli dyert, kanë triumfuar kryesuesit e kampionatit. Blutë, që tashmë nuk kanë asnjë rival në luftën për titullin kampion, titull të cilin presin ta bëjnë të tyre edhe matematikisht, kanë triumfuar përballë kolonjarëve të Gramozit me rezultatin 1-0. Ndryshe nga dy skuadrat ndjekëse të saj, Besa dhe Tirana, Dinamo nuk ka pasur asnjë pikë mëshire për Gramozin e vendit të fundit, që rrezikohet seriozisht për të rënë një kategori më poshtë. Edhe pse dukej se impenjimi i kryesuesve të tabelës së klasifikimit dukej se nuk ishte në nivelin më të lartë, sërish ata e kanë kontrolluar ndeshjen nga minuta e parë deri në fund. Blutë ishin të vendosur mirë në fushë dhe kanë bërë një qarkullim të mirë të topit, duke i lënë pak shanse kundërshtarit të ndërtojë aksione në drejtim të portës së saj. Po ashtu, mbrojtja e tyre ka qenë në një ditë të mirë. Goli i vetëm i ndeshjes është shënuar në minutën e 56’ dhe ka për autor argjentinasin Malakarne. Me këto tri pikë, Dinamo ngjitet në kuotën e 57 pikëve, +17 nga ndjekësja më e afër Besa dhe tani shkon e sigurt drejt kurorëzimit.
#