Pas Tiranës shokon dhe Besën, mundet në shtëpi
Hije dyshimi vërtiten mbi kampionatin shqiptar. Java e parë e fazës së tretë ka dhuruar edhe një tjetër rezultat, i cili ka bërë që “gojët e liga” të flasin për kompromise të mundshme. Kështu që në një moment kyç, kur vetëm një ditë na ndan nga asambleja zgjedhore në fushë, tashmë ekziston një pikëpyetje në lidhje me ndershmërinë e kampionatit. Vetëm 24 orë më parë ishte një humbje e Tiranës, e cila u komentua në shtyp si një triumf i dyshimit për Kastriotin. Ndërkohë që 24 orë më vonë është Besa ajo që shokon të gjithë. Skënderbeu e mundi me rezultatin 1-2 në Kavajë. Janë pikërisht këto dy humbje të skuadrave, që duhej të ndiqini nga pas Dinamon, ato që kanë bërë të ngrihet mjegulla mbi kampionat. Dy ndeshje të ditës së djeshme, të cilat i përkasin javës së 23-të të futbollit, kanë startuar në orën 13.00. Në Kavajë, Besa ka pritur Skënderbeun, ndërsa në Laç, skuadra vendase ka pritur Flamurtarin. Verdhezinjtë e vendit të dytë janë mundur 2-1 nga korçarët, të cilët njohin vetëm fitore në transfertë në vitin 2010 (përjashto ndeshjen në Shkodër, me Vllazninë), duke u përpjekur të largohen sa më shumë nga vendi i fundit, të cilin e kishin “marrë me tapi“. Miqtë kanë kaluar të parët në avantazh me Likën në minutën e 44 të pjesës së parë. Pjesa e parë është mbyllur 1-0 në favor të miqve, të cilët me t’u rikthyer në fushë kanë gjetur edhe golin e dytë me anë të Guerrib në minutën e 58’. Loja në fushë ka lënë shumë për të dëshiruar, por në minutën e 78’ Daniel Xhafaj ka realizuar golin e nderit për kavajasit. Sidoqoftë, fitoret e kuqebardhëve janë shoqëruar edhe me zëra, për lëshime të kundërshtarëve, ashtu siç ekziston një mjegullnajë e tillë edhe për sfidën e Kavajës. Krejt ndryshe, Laçi duket i vendosur të mos lëshojë pe për askënd. Gjë të cilën e ka treguar edhe me Flamurtarin, në ndeshjen e javës së 23-të. Kurbinasit kanë fituar pastër, 3-1, ndaj vlonjatëve, duke i mundur këta të fundit dy herë, brenda një kohe të shkurtër. Pas zërave se janë kërcënuar në fazën e dytë, Laçi ka mbyllur çdo “gojë të ligë” kuqezi, aty në fushën e lojës, me plot 3 gola. Aq sa pjesëtarë të stafit drejtues të Laçit, pas ndeshjes, jo me pak ironi kanë pohuar: “Na thanë se i mundëm me një pistoletë në dhomat e zhveshjes në fazën e dytë, po sot, çfarë do të thonë vlonjatët? Mos vallë do të flasin për kallash?” Me 3 pikët e radhës, kurbinasit e shikojnë veten vetëm 1 pikë larg Tiranës së vendit të tretë, duke konfirmuar kështu një sezon të shkëlqyer të tyre, që akoma mbart në vetvete shpresa për “Kupat e Europës”. Në Durrës, Teuta dhe Apolonia kanë ndarë nga një pikë, falë barazimit 1-1. Të parët kanë kaluar në epërsi miqtë nga Fieri, ndërkohë që në pjesën e dytë kanë barazuar durrsakët.
#