E Diel, 1 Nëntor 2026

Arratiset kirurgu i onkologjikut, Agim Karaj

Mjeku ndodhej në arrest shtëpie por kur policia ka shkuar që ta arrestojë sërish ka zbuluar se kishte ikur pa lënë gjurmë

TIRANË- Arratiset kirurgu Agim Karaj, i cili ishte arrestuar pak kohë më parë me akuzën e korrupsionit. Ndaj tij gjykata kishte vendosur masën e sigurisë arrest shtëpie por dje Apeli ka ndryshuar masën duke kërkuar që mjeku të rikthehet në qeli. Kur policia ka shkuar të ekzekutojë vendimin e gjykatës ndaj shefit të Onkologjikut, ai nuk ndodhej në banesë. Familjarët e tij janë justifikuar pasditen e djeshme duke thënë se nuk e dinin se ku kishte shkuar doktori. Ky është rasti i dytë i arratisjes së doktorëve të arrestuar për korrupsion.

Arratisja

Paraditen e djeshme policia e Tiranës është urdhëruar të ekzekutuar urdhrin e Gjykatës së Apelit për të rikthyer në qeli shefin e kirurgjisë së Onkologjikut pranë spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë. Policia ka mbërritur menjëherë pranë banesës së mjekut 58-vjeçar me qëllim komunikimin e masës së arrestit. Burime nga policia thanë se ditën e djeshme, fill pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila ndryshoi kryekëput masën e sigurisë së dhënë një muaj më parë nga gjykata e Tiranës, Karaj nuk është gjetur në banesë. Dyshohet se ai është arratisur pasi ka mësuar vendimin e gjykatës së Apelit e cila do ta rikthente në burg. Policia ka shpallur në kërkim kirurgun 58-vjeçar, i cili deri në orët e vona të mbrëmjes nuk është gjetur nga efektivat blu. “Sapo jam kthyer në banesë dhe nuk e gjeta babin këtu. Aktualisht nuk e di ku mund të ketë shkuar. Ndoshta te të afërmit, nuk di të jetë arratisur”,- u shpreh për “Shekullin” pasditen e djeshme djali i mjekut të njohur të Onkologjikut. Sipas policisë, Agim Karaj ka shkelur vendimin e gjykatës së Tiranës e cila e la atë në “arrest shtëpie” po ai është larguar nga banesa.

Arrestimi

Shefi i Onkologjikut, kirurgu Agim Karaj, u arrestua nga policia më tre nëntor të këtij viti. Gjykata e Tiranës lëshoi fillimisht një mandat arresti, i cili u ekzekutua brenda pak orësh nga specialistët e antikorrupsionit. Kjo e fundit në bashkëpunim me Taks-Forcën e Prokurorisë, kishin më shumë se një muaj që hetonin mjekun Agim Karaj dhe provat e mbledhura ndaj tij iu depozituan gjykatës së Tiranës, e cila dha miratimin e saj për arrestimin e kirurgut. Shefi i kirurgjisë së Onkologjikut në QSUT ishte pritur nga policia të mbarojë detyrën e tij dhe sapo kthehej për në banesë ai u ndalua nga specialistët e Antikorrupsionit, të cilët i komunikuan mandatin e arrestit për veprën penale të “mitmarrjes”. Mësohet se Karaj nuk ka bërë rezistencë, duke “shkuar” pas oficerëve të policisë. Policia deklaroi pas arrestimit se Agim Karaj kryente operacione kundrejt një shume parash por pa dhënë detaje rreth numrit të pacientëve që kishin dhënë para te mjeku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›