E Diel, 1 Nëntor 2026

Në gjyq kazakistanasi i akuzuar për drogë

Aleksandros Zeitinidis është arrestuar teksa po trafikonte heroinë dhe hashash në drejtim të Greqisë

TIRANË- Një shtetas nga Kazakistani do të gjykohet në Shqipëri për veprën penale të trafikut të drogës. Aleksandros Zeitinidis, me pasaportë greke, ka tentuar të kalojë në kufi rreth 13 kg lëndë narkotike të llojit heroinë dhe hashash. Dosja është dorëzuar në gjykatë nga prokuroria dhe sipas saj, Zeitinidis, pasditen e datës 7 prill të këtij viti me makinën e tij të tipit “TOYOTA” me targa greke “IHP 8033” pasi kishte qëndruar disa ditë në Shqipëri ishte ngarkuar me 6.2 kg heroinë dhe 5.57 kg hashash. “Më datën 7 prill 2008 në pikën kufitare të Kakavijës gjatë kontrollit të efektivëve të policisë është gjetur në një automjet të drejtuar nga ana e shtetasit grek Aleksandros Zeitinidis një sasi lëndë narkotike e përbërë nga 12 pako heroinë dhe 24 pako kanabis sativa, të gjetur në makinë. Lënda narkotike është gjetur e fshehur poshtë dyshemesë së automjetit dhe dy pako poshtë sediljeve të përparme të automjetit”-thuhet në kërkesën për gjykim të përpiluar nga prokurori Gent Trenova. Ndërkaq, kjo sasi droge e sekuestruar me akt-ekspertimin e datës 9 prill 2008 të Institutit të Policisë Shkencore, ka rezultuar se kjo lëndë narkotike e sekuestruar në 12 pakot ishte heroinë, ndërsa ajo e gjetur në 24 pako ishte e llojit kanabis sativa (hashash). Sipas prokurorisë, arrestimi i tij është bërë menjëherë nga policia kufitare rreth orës 18:45 minuta të mbrëmjes së 7 prillit, në kohën kur pranë kësaj pike kufitare kishte lëvizje të mëdha të emigrantëve që kalonin aty.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›