E Diel, 1 Nëntor 2026

Hamdi Salihi, lamtumirë Riedit në janar

Golashënuesi shkodran pohon se me shumë mundësi do të largohet, sepse është në interes të vetë klubit

Ndeshja kundër Kapfenbergut këtë të shtunë, me shumë mundësi është e fundit për Hamdi Salihin me fanellën e Riedit. Këtë e konfirmon në një intervistë nëpërmjet linjës telefonike vetë sulmuesi i kombëtares. "Klubi ka filluar të bëjë përpjekje për të më shitur që tani në janar, pasi është e vetmja mundësi që të mund të fitojë nga transferimi im,"- pohoi ndër të tjera Salihi. I kthyer në idhull te Riedi (62 ndeshje, 22 gola), tashmë golashënuesi kërkon të vazhdojë karrierën drejt një kampionati më të fortë. Ai nuk dëshiron të nxitohet, aq më tepër që gjithçka është në dorë të klubit austriak, pasi kontrata me të i përfundon në verën e vitit 2009. Gjithsesi, ekipe në Turqi, Ukrainë, Francë dhe Gjermani, kanë shprehur interesim për shërbimet e sulmuesit kuqezi. Për më tej, ja si e sqaron këtë situatë futbollisti 25-vjeçar:

- Hamdi, së pari duam të dimë se në çfarë gjendjeje jeni, pas dëmtimit në kavilje?

- Besoj se e kam kaluar plotësisht. Një garanci ishte ndeshja e fundit me Salcburgun, ku luajta 90 minuta dhe nuk ndjeva dhimbje.

- Në janar hapet merkatoja. E mendon Salihi largimin në këtë periudhë, apo klubi kërkon t'u mbajë deri në fund të sezonit?

- Nga bisedat e fundit që kam bërë me drejtuesit e klubit dhe natyrisht nga ato që unë di, mund t'ju them se me shumë mundësi do të largohem që në janar. Çdo gjë është e qartë: klubi nëse do të përfitojë nga shitja ime, nuk ka rrugë tjetër, veçse unë të largohem në janar. Në të kundërt, në verë unë jam lojtar i lirë, pasi më përfundon kontrata. Objektivi i klubit është që unë të transferohem në janar dhe për këtë po punohet, në mënyrë që ata të bien dakord me një klub, i cili natyrisht jep më shumë lekë.

- Nëse nuk e mbani sekret, në adresë të menaxherit tuaj cilat klube interesohen për t'ju marrë që në janar?

- T'ju them sinqerisht, janë shumë emra, por është e kotë që të përmendim ndonjë prej tyre, pasi kjo zgjedhje është edhe në dorë të Riedit. Megjithatë, po ju bëj të ditur se oferta mjaft të mira kam nga klube në Francë, Turqi, Ukrainë dhe së fundi ekipe të Bundesligës 2 në Gjermani. Unë shpresoj të bëhet më e mira, qoftë edhe për sa i përket nivelit të kampionatit, ashtu dhe vendit ku mund të shkoj. Më besoni, këtu në Ried ndihem si në shtëpinë time. Jam bashkë me familjen dhe jemi ambientuar shumë mirë.

- Megjithatë, cilat janë parapëlqimet tuaja?

- Tani për tani, mendoj se në Turqi nuk është keq. Eshtë një kampionat i mirë dhe me skuadra që bëjnë gjithnjë paraqitje dinjitoze edhe në Kupat e Europës. Gjithsesi, nuk ia vlen të flas para kohe, pasi gjatë merkatos mund të dalin variante të tjera, ndoshta edhe më të mira. Në përgjithësi, parapëlqimi im është që të vete në një vend, ku në radhë të parë të jetohet mirë. Në fund të fundit, futbolli dy-tri orë në ditë të merr.

- Thatë që në Ried ndiheni shumë mirë...?

- Po, sepse këtu njerëzit janë shumë dashamirës. Kudo që shkoj, më ndalojnë, qoftë për të bërë një fotografi, apo për një autograf. Duke e ditur që do të largohem, më vjen gjynah edhe për familjen, pasi, siç e thashë, është ambientur mirë në këtë qytet të vogël, por mjaft të bukur dhe me njerëz të mirë.

"Basti" i shkodranit: Vllaznia del kampione

Thotë që nuk ka lënë ndeshje pa parë të Vllaznisë, gjithashtu edhe të Tiranës, ku ka luajtur në kampionatin shqiptar. Por për Hamdi Salihin, ekipi i tij i zemrës, Vllaznia, do të shpallet kampion këtë sezon. Ish-sulmuesi i kuqebluve jep edhe sqarimin e tij bindjen që ka. "I kam ndjekur ndeshjet e Vllaznisë, qoftë nëpërmjet televizorit, gjithashtu edhe në stadium, kur kam ardhur në Shkodër. Duke folur edhe me shokët e ish-ekipit, qoftë me Sinanin dhe të gjithë çunat, jam në dijeni të paraqitjes së mirë të Vllaznisë dhe çelësit të suksesit. Tashmë janë në rrugë të mbarë, pasi edhe rivalët po gabojnë, gjithashtu janë të ndërgjegjshëm se Tirana do të luftojë për titull deri në fund. Katër pikë larg nuk janë shumë, por, megjithatë, duke parë ambientin e ngrohtë që është në Shkodër, tifozët të cilët i rrinë afër ekipit, gjithashtu edhe garancinë financiare nga presidenti Valter Fushaj, jam i bindur se do të shpallet kampione,"- ka thënë Salihi për Vllazninë e tij. Golashënuesi jep edhe një sugjerim. "Për të vazhduar këtë ecuri pozitive, që në fund të sezonit të jetë kampione, mendoj se Vllaznisë i nevojiten edhe dy përforcime cilësore në merkaton e janarit. Besoj se klubi do të ndërhyjë,"- thotë ai. Duke e falënderuar për përgjigjet dhe gatishmërinë, në fund futbollisti shkodran pyeti për ditën se kur luhen ndeshjet e kësaj jave të kategorisë superiore. Pasi e njoftojmë që ato do të luhen të gjitha ditën e shtunë, ai shprehet: "Mos, jam i pafat. Të shtunën kam ndeshjen e fundit me Riedin dhe, nëse do të ishin të dielën ndeshjet, do të kisha mundësi të shikoja Vllazninë me Flamurtarin."

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›