Prokurorja rrëfen incidentin me Krenar Ahmetin
TIRANË- Incidenti mes prokurores së Krimeve të Rënda, Elizabeta Ymeraj dhe kreut të qarkullimit rrugor të Tiranës, Krenar Ahmeti, është ritreguar dje në sallën e gjyqit nga vetë protagonistët. Ka qenë ora 12:50 kur i pandehuri Ahmeti, i veshur me uniformë policie ka hyrë me motor brenda oborrit të Gjykatës së Tiranës për të ndjekur procesin gjyqësor ndaj tij dhe dy vartësve, të cilët akuzohen nga prokuroria për “ kryerje të veprimeve arbitrare” në bashkëpunim. Në ora 13:00 të ditës së djeshme, gjyqtari Martin Deda e deklaroi të hapur seancën gjyqësore duke ftuar në sallë dëshmitaren e parë të akuzës, prokuroren Ymeraj.
Në fjalën e saj para gjykatës, prokurorja shpjegoi me detaje të gjitha lëvizjet e saj ditën e 17 majit, ditë kur ajo dhe bashkëshorti i saj u shoqëruan në Komisariatin nr.2 me dhunë nën urdhrat e drejtorit të Qarkullimit të Policisë Rrugore Ahmeti. “Më datë 17 maj 2008 rreth orës 21:00 të darkës, unë (Elisabeta Ymeraj) bashkë me vëllanë, dy motrat dhe nënën me makinën e tipit “Benz” që po e drejtonte vëllai po ktheheshim nga Spitali ku e kishim marrë nënën dhe po e dërgonim në shtëpi. Në kohën që kalojmë në bulevard një polic i rrugores na ndalon dhe kërkon dokumentet, të cilat i merr dhe i vonon për kthim. Duke i pritur marrje dokumenteve të cilat po i verifikonte polici, pas disa minutash vëllai i thotë, “o shef mbarove se na duhet të ikim se kemi njeri të sëmurë në makinë”. Polici nuk reagoi dhe dola unë dhe i tregova se jam prokurore dhe i shpjegova problemin familjar duke ia kërkuar të procedoj me masë administrative nëse ka shkelje të Kodit Rrugor në të kundërt t‘i kthejë dokumentet. Në këtë moment ai reagoi duke me fyer dhe i kërkoi vëllait t’i japë çelësat e makinës me pretendimin se kishte pirë alkool dhe duhej t’i frynte në fytyrë pasi nuk kishin fryrëse për matjen e alkoolit. Ne nuk duhej të vononim pasi në makinë ishte nëna e sëmurë dhe brenda saj kisha dosjet pasi atë ditë isha e gatshme dhe nuk mund ta lije makinën në atë gjendje. Në atë moment i jam afruar një makine me targa të policisë 0044 ku brenda ishte shtrirë në sedilje ky i pandehuri që nuk e njihja. I kërkova ndihmë se nuk po merresha vesh me policin, ai më ktheu me të njëjtën gjuhë si vartësit e tij, duke më fyer dhe fliste turqisht në radio dhe më tha një vartësi i tij se është shefi Krenar Ahmeti. I kam telefonuar shefit tim, zvprokurorit të Krimeve të Rënda Kosta Beluri dhe i kam thënë foli këtij shefi se nuk po merremi vesh, dhe ky i pandehuri më ka hedhur telefonin në tokë”,- tha prokurorja Ymeraj. Vetë Krenar Ahmeti ka dëgjuar dëshminë por nuk ka reaguar në asnjë rast.
Pas prokurores ka dëshmuar edhe i shoqi, i cili ka shpjeguar momentin e shoqërimit të tij. “Më lajmëroi në telefon kunati dhe shkova aty me makinën time ku bashkëshortja po i sqaronte këtij të pandehuri, (duke drejtuar gishtin nga Ahmeti) se po silleshin shumë keq dhe do i kallëzoi në prokurori. Ahmeti në atë moment, u shpreh “unë e kam mirë me Sali Berishën dhe ai më ka emëruar e më mbron për këtë vend ku jam, sa për të tjerët nuk më rr...fare, as për prokurori e as për gjykatë”. Vetë Ahmeti edhe gjatë dëshmisë së avokatit nuk ka preferuar të flasë e t’iu përgjigjet akuzave, për sjellje të dhunshme ndaj qytetarëve. Pas dëgjimit të dëshmitarëve, seanca u shty për të thirrur kallëzuesin tjetër në këtë proces, Hasan Nezaj i cili ka akuzuar shefin e policisë rrugore për dhunë dhe fyerje. Flamur Vezaj