Përplasen dy automjete, dy vetë të plagosur
DURRËS - Një automjet i Beratit dhe një furgon i Tiranës ka nisur serinë e aksidenteve të javës pas përplasjes që bënë në një sektor të plazhit të Durrësit. Rreth orës 12:00, pikërisht në sektorin “Iliria” në afërsi të rezidencës shtetërore janë përplasur dy automjete. Policia ka konstatuar se aksidenti ka ardhur si pasojë e shpejtësisë dhe mosrespektimit të rregullave të qarkullimit nga ana e dy automjeteve. Si rezultat i përplasjes, janë dëmtuar të dy mjetet. Po dhe dy prej pasagjerëve pas përplasjes nuk janë ndier mirë dhe për këtë policia i ka bllokuar për disa orë në vendngjarje deri në sigurimin se ata pas marrjes së asistencës së shpejtë mjekësore të kishin dalë nga rrezikshmëria për jetën. Mjeti “Tojota” me ngjyrë të bardhë me targë BR 3937 A në momentin që po merrte kthesën është përplasur nga pas nga furgoni blu me targë TR 9849 A. Të dy mjetet kanë marrë dëmtime të shumta pasi kanë qenë dhe me shpejtësi duke e mbushur sipërfaqen e rrugës me copëza të thyera xhamash dhe stopash. “Tojota” është dëmtuar si rezultat i përplasjes në pjesën e pasme të saj, ndërsa furgoni blu i Tiranës kishte marrë goditje në pjesën ballore duke e bërë të pamundur lëvizjen e mëtejshme pa një mjet ndihmës. Policia ka ardhur menjëherë në vendngjarje dhe ka filluar procedimin penal ndaj shoferëve për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.