Arratiset nga burgu dëshmitari i vrasjes së Azem Hajdarit
Arratiset nga burgu i Shën Kollit në Lezhë, dëshmitari i vrasjes së Azem Hajdarit, Petrit Çakrri. Në fakt, ky i fundit kishte marrë leje nga ana e drejtuesve të burgut, por nuk është kthyer më në qeli. Ndërkohë, Çakrri pretendon se e ka kryer dënimin e tij dhe se po mbahej padrejtësisht në qeli. Por, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve deklaroi se dëshmitari i vrasjes së Hajdarit, i cili u dënua me 6 vite burg, ka për të vuajtur edhe një vit e dy muaj burg.
Arratisja
Petrit Çakrri, një prej dëshmitarëve të vrasjes së deputetit të PD në shtator të vitit 1998, Azem Hajdari, duhej që të kthehej në ambientet e burgut të Shën Kollit, ditën e djeshme në orën 15:00. Kjo, pasi ai kishte marrë leje disa ditë nga ana e drejtuesve të këtij institucioni. Por, ndërkohë që Çakrri duhej të paraqitej në ambientet e burgut, ai ka vendosur që mos të kthehet më atje. “I arratisuri Çakrri duhej që të kthej dje në orën 15:00 në qelitë e burgut të Shën Kollit, pasi kishte marrë leje. Por, duke përfituar nga leja, ai ka vendosur që të arratiset nga qelia ku ka disa vite që qëndron”, - deklaruan burime nga burgu i Shën Kollit. Lajmi për arratisjen e dëshmitarit në vrasjen e Azem Hajdarit është konfirmuar edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra. Sipas këtij të fundit, Çakrri duhej që të paraqitej në burgun e Shën Kollit pasditen e djeshme, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, pasi ai është arratisur. Vetë Çakrri pretendon se e ka përfunduar dënimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës disa vite më parë, e cila e ka dënuar atë me 6 vjet burg. Ai ka deklaruar se nuk kthehet më në burg i gjallë, pasi dënimin e ka përfunduar prej kohësh. “Vendosa t’i jap vetes liri, pasi po më mbanin në burg padrejtësisht”, - ka thënë dëshmitari i vrasjes së Azem Hajdarit. Tashmë, mësohet se ky i fundit ndodhet në territorin e Malit të Zi, gjë që e ka konfirmuar edhe vetë, ndërsa bëri të ditur se do të shkojë në Kroaci. Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve deklaroi se nuk është i vërtetë pretendimi i Çakrrit, që e ka përfunduar dënimin e tij. Kjo drejtori deklaroi se ai ka për të vuajtur edhe një vit e dy muaj burg. Sakaq, policia është duke verifikuar vendndodhjen e të arratisurit nga burgu, me synim prangosjen dhe kthimin e tij në qelitë e burgut të Shën Kollit. Përveç kësaj, policia është duke verifikuar edhe banesën e të arratisurit, pasi dyshohet që ai të jetë fshehur pikërisht atje.