Rama, darkë me ambasadorët, diskutohet për situatën politike
Kryetari i PS, Edi Rama, pati dje një darkë me ambasadorët e vendeve anëtare të BE dhe atë të SHBA. Gjatë këtij takimi mësohet se është diskutuar për situatën politike në vend, kryesisht për çështjet që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor dhe përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore. Burime pranë takimit, thanë dje se biseda është përqendruar te çështja e procesit të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, por nuk janë lënë pa diskutuar edhe çështje të tjera, për të cilat PS ka dhënë qëndrimet e veta kohët e fundit, ku përfshihen edhe akuzat e opozitës ndaj mazhorancës për korrupsion. Të pranishëm në darkën e organizuar nga kryetari i PS ishte ambasadori i SHBA, Withers, ambasadorja e Francës, ambasadori i Britanisë, si dhe ambasadorë të shteteve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian. Kryetari i PS, Edi Rama, ishte i shoqëruar në këtë darkë me ambasadorët nga sekretarja e Marrëdhënieve me Jashtë në PS, Arta Dade, e figura të tjera të rëndësishme të PS. Rama e organizoi darkën e djeshme me ambasadorët e akredituar në Tiranë me rastin e fillimit të vitit.