Arratisja e Admir Tafilit, policët e burgut marrin pafajësinë
SHKODËR- Gjykata e Shkodrës ka dhënë pafajësinë për 13 të akuzuarit për shpërdorim detyre, për shkak se i dhanë mundësinë shtetasit Admir Tafili të largohej në momentin kur kishte marrë një leje për të vizituar të ëmën e sëmurë në shtëpi.
Seanca
Gjyqtari i gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër, Aleks Nikolli, ka dhënë vendimin duke u bazuar vetëm në pretendimin e të arrestuarit Admir Tafili, i cili nuk pranoi gjatë marrjes në pyetje të ketë paguar për arratisjen e tij, apo edhe të ketë qenë dikush tjetër në dijeni përveç tij, për planin e arratisjes. Tafili ka deklaruar në gjyq se është larguar nga gardhi i fqinjit.
Gjykata e Shkallës së Parë ende nuk ka dhënë një zbardhje të vendimit, por gjatë shpalljes deklaroi se gjatë procesit gjyqësor nuk u arrit të jepeshin prova që implikonin ish-drejtorin e Burgut të Shën Kollit, ish-përgjegjësit e sektorit të shëndetësisë dhe sigurisë, mjekët e spitalit, si edhe për policët e togës së shoqërimit, në arratisjen e Tafilit, i cili më pas edhe ekzekutoi dy vëllezër për gjakmarrje.
Ndërsa prokuroria e rrethit Shkodër ka vendosur ta apelojë këtë vendim, duke e konsideruar arbitrar, pasi, sipas saj, ka patur prova të mjaftueshme për dënimin e të akuzuarve. Sipas prokurorisë, e gjitha praktika e dhënies së lejes për të dënuarin ka qenë e gabuar.
Arratisja
Tafili mori leje për të vizituar nënën e sëmurë, por, sipas prokurorisë, e ëma as nuk ishte shtruar në spital dhe as ishte e sëmurë, dhe e gjitha kishte qenë një mashtrim. Prokuroria pretendon se ka shkelje të rënda në përpilimin e të gjitha dokumenteve për të cilat të pandehurit u mbrojtën duke deklaruar se nuk ishin falsifikime por pakujdesi.
Ndërsa pretendimi i prokurorisë për togën e shoqërimit është se, asnjë ata nuk mbajtën nën ruajtje shtëpinë e Tafilit, i cili pasi hyri brenda u largua nga dritarja për të mos rënë më në duart e policisë, derisa kreu krimin e radhës. Vëllezërit Nik dhe Gjovalin Pjetrushi, me banim në fshatin Grudë e Re, të Shkodrës, janë ekzekutuar me armë zjarri teksa po shkonin për në punë. Sipas burimeve të policisë, mendohet se autorët i kanë ngritur pritë dy vëllezërve Nik dhe Gjovalin Pjetrushi, përkatësisht 42 vjeç dhe 25 vjeç, të cilët prej vitesh jetonin bashkë me familjet e tyre në këtë fshat. Dy viktimat janë vëllezërit e ish-oficerit të policisë Prel Pjetrushi, i cili në fillim vitet 2000 ka pasur poste drejtuese në Policinë e Shkodrës e Malësisë së Madhe dhe që më 21.12.2001 ishte plagosur rëndë në një pritë, jo larg banesës së tij. Ndërsa Pjetrushi ka marrë pjesë në vrasjen e babait të Tafilit, ku mbeti i vdekur dhe drejtori Arben Zylyftari.