E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjobitet ACR me 56 milionë lekë, nuk ka realizuar investimet

TIRANË- Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka vendosur penalizimin e shoqërisë koncesionare “Albanian Chrome” sh.p.k, në masën 56 milionë lekë, për shkak të mos realizimit të investimeve të parashikuara në programin e investimeve.

Sipas një njoftimi për shtyp të METE-s, bëhet me dije se “kontrollet e ushtruara nga ana e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore konstatojnë se, për periudhën 2007-2008, shoqëria ACR ka investuar 3 090 000 USD nё Minierën e Kromit Bulqizё, ndërkohë që investimet e kryera, në bazë të kontratës koncesionare që METE ka lidhur me ACR, duhet të ishin 3 400 000 USD. Gjithashtu, nga kontrollet e ushtruara rezulton se për vitin 2009 nuk ka pasur asnjë investim në minierën e kromit të Bulqizës nga shoqëria koncensionare ‘Albanian Chrome’”.

Për këtë arsye, METE vendosi aplikimin e penalitetit prej 56 milionë lekësh për shoqërinë ACR, i cili duhet të shlyhet nga ACR brenda 20 ditësh nga marrja e njoftimit.

Vendimi i marrë nga ana e METE ka ardhur pas kontrolleve të vazhdueshme të kryera nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, si dhe kontrolleve që janë kryer nga Grupi i Punës për vlerësimin e përgjithshëm të aktivitetit minerar të shoqërisë koncesionare ACR. Ky vendim bazohet në pikën 3.2 të Marrëveshjes së koncesionit, ku përcaktohet se “...Mosrespektimi i punimeve sipas projektit në afatet e përcaktuara në kohë sipas nenit 3.1, në çdo fazë, e ngarkon koncesionarin që të paguajë një penalitet prej 0.05% në ditë të vlerës së investimit të parealizuar pas çdo dy muaj vonesë.” Penaliteti i vendosur për shoqërinë “Albanian Chrome” është llogaritur për mosrealizimin të investimeve për 365 ditë vonesë (01.01.2009 deri 31.12.2009), referuar detyrimit për investime në Minierën e Kromit Bulqizë për periudhën 2007-2008.

Greva

Përkeqësohet gjendja shëndetësore e minatorëve të ngujuar prej tri ditësh në grevë urie në thellësitë e minierës së kromit Bulqizë. Qindra minatorë mbajnë nën kontroll situatën në mjediset e jashtë të ACR-së, ndërkaq kolegët e tyre janë ngujuar në 1400 metra thellësi, duke vënë në rrezik edhe jetën, për plotësimin e kërkesave të tyre tërësisht ekonomike. Policia lokale ka dërguar efektivë në afërsi të galerisë së ngujimit për të mbajtur rend e qetësi, ndërkohë administrata e ndërmarrjes nuk është lejuar as dje në hyjë në zyrat e saj. Gjendja dje ishte kaotike kudo. Drejtuesit e minatorëve thanë se ishin në pritje të ndonjë reagimi nga firma austriake apo qeveria shqiptare. Në mesditë minatorët kanë rritur tonet, pasi kanë dëgjuar përfaqësuesin e ACR-së se firma e huaj nuk pranonte të negocionte me sindikalistët, madje i konsideronte ato si sabotatorë. Dje pasdite disa nga minatorët kanë shfaqur probleme shëndetësore. Ata kanë patur të vjella, marrje mendsh, luhatje të tensionit. Disave prej tyre u është kërkuar lënia e galerisë dhe dalja në sipërfaqe, por kjo është refuzuar. Drejtoria e spitalit lokal u ka ofruar grevistëve ndihmë shëndetësore, por grevistët e urisë nuk kanë pranuar që mjekët të zbresin në thellësitë e galerisë. “Kemi vendosur të mos pranojmë mjek nëntokë. Do të sakrifikojmë deri në fund. Nuk do të marrim asnjë ndihmë mjekësore deri në plotësimin e kërkesave” - tha B. Gjoka, minator grevist. “Nuk do të dalim të gjallë nga miniera, presim largimin e drejtorit Medat Zogu, administratës dhe njerëzve të tyre familjarë që na zhvasin çdo ditë, nisjen e menjëhershme të investimeve” - thanë minatorët që kanë marrë një vendim të veçantë, duke qëndruar në grevë urie në thellësitë e minierës. P. HASA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›