E Diel, 1 Nëntor 2026

Plagoset në atentat, gardisti: Nuk më qëlluan pas sherrit për makinën

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 28-07-2011 10:51

Tiranë- Ish-kampioni kombëtar i mundjes, Roland Tusha, aktualisht punonjës i Gardës së Republikës, u plagos dje pranë shkollës “Kushtrimi i Lirisë” në Tiranë, nga persona ende të paidentifikuar. Ngjarja e përfolur fillimisht si konflikt i ardhur pas përplasjes së dy automjeteve rezulton të jetë atentat për motive ende të paqarta, pas hetimeve paraprake të policisë. Gjithçka ka ndodhur rreth orës 14:00, në rrugën “Ali Demi”, ku Tusha ishte duke kaluar me makinën e tij “Suzuki”. Në rrethana ende të paqarta, makina që drejtohej prej tij është përplasur lehtë me një tjetër automjet tjetër. Gardisti Tusha ka dalë nga makina për të parë dëmin e shkaktuar e në këtë moment ai është qëlluar disa herë nga një tjetër makinë. Fatmirësisht, vetëm një plumb e ka prekur efektivin e Gardës në shpatull, ndërsa plumbat e tjerë kanë prekur automjetin. Sapo ka ndjerë plagën e plumbit, Tushe është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke i shpëtuar të shtënave të tjera. Sipas dëshmitarëve të pranishëm në vendngjarje, mësohet se nuk janë dëgjuar krisma, çka ngre dyshimet se arma mund të ketë qenë me silenciator. “Nuk e di si nisi konflikti, por në një moment pashë Tushen të vraponte nëpër rrugica. Në pjesën e shpatullës kishte një njollë gjaku”, -i tha MAPO-s një dëshmitar në vendngjarje. Pak minuta më vonë, forca të shumta policie kanë mbërritur në rrugën “Ali Demi”, të cilët nisën hetimet dhe mbledhjen e provave në vendngjarje. Fillimisht u ngritën dyshimet se konflikti mund të kishte ardhur si pasojë e përplasjes së dy automjeteve, përkatësisht automjetit të Tushes me targa TR 5019 G dhe makinës tip “Renault” me targa AA 574 AI. Por pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se drejtuesi i makinës nuk kishte lidhje me ngjarjen. Gjithashtu, në pyetje janë marrë dhe dëshmitarët, por asnjëri prej tyre nuk ka mundur të japë detaje në lidhje me autorët. Madje, dëshmitë e tyre janë kontradiktore, pasi disa shprehen se personat që kanë qëlluar janë larguar me një makinë tip “Mercedes Benz”, ndërsa të tjerë kanë deklaruar se janë larguar me motor. Nga ana e saj, Policia e Tiranës është duke vijuar mbledhjen e provave për të zbardhur plotësisht këtë ngjarje si dhe për të identifikuar autorin e saj. Ndërkohë, Roland Tusha është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak, ku pas ndihmës së parë mjekësore është larguar për në banesën tij në gjendje të mirë shëndetësore. I kontaktuar nga gazeta MAPO, Tusha ka deklaruar se nuk ka parë se kush e ka qëlluar dhe se nuk ka pasur konflikte. Gjithashtu, ai është shprehur se ngjarja nuk ka pasur lidhje me aksidentin mes dy makinave, por nuk ka pranuar të japë detaje në lidhje me ngjarjen. “Nuk e di se për çfarë ka ndodhur dhe nuk kam parë gjë se kush më ka qëlluar. Ngjarja nuk ka ardhur pas konfliktit për aksidentin” – shpreh ai. Tusha u shpreh se gjendja e tij shëndetësore ishte e mirë dhe se aktualisht ishte në shtëpinë e tij. Roland Tusha ka qenë për disa vite kampion kombëtar i mundjes së lirë në peshën 80 kg. Prej disa kohësh ai ishte efektiv i Gardës së Republikës dhe angazhohej kryesisht në shoqërimin e personaliteteve kryesore të vendit, ku për disa kohë ka qenë edhe shoqërues i kryeministrit Berisha, ndërsa gjatë muajve të fundit ishte angazhuar brenda ambienteve të brendshme të Parlamentit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›