E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e dy policëve, i tmerrshmi Rexhepaj kapet në Spanjë

Tiranë- Dritan Rexhepi, një prej personave më të kërkuar në Shqipëri, i akuzuar për vrasjen e dy policëve në Krujë në vitin 1999, është arrestuar pak ditë më parë në Spanjë, si anëtar i një grupi të rrezikshëm që kishte për objektiv grabitjen e bankave dhe qendrave të mëdha tregtare. Përveç Shqipërisë, Rexhepaj është i kërkuar edhe në Itali, ku pak muaj më parë u arratis në mënyrë spektakolare nga burgu i sigurisë së lartë apo në Belgjikë, ku akuzohet për krime të ndryshme. Burime nga Policia e Shtetit bëjnë të ditur se tashmë ka nisur plotësimi i dokumenteve për ekstradimin e Dritan Rexhepajt, për të cilin Shqipëria është në garë me Italinë dhe Belgjikën. Nga ana tjetër, Spanja e akuzon atë për 16 grabitje, çka pritet të pasohet nga një proces gjyqësor. Sipas mediave spanjolle, pak ditë më parë, forcat e policisë së Katalanjës kanë mundur të kapin një bandë kriminale, që ishin të specializuar në vjedhje me dhunë të bankave dhe qendrave tregtare. “Kjo bandë përbëhej nga nëntë persona me origjinë shqiptare, që kishin mbërritur në Katalania nga Franca dhe Italia, ku edhe atje kishin ushtruar veprimtarinë e tyre.

Grupi kishte një strukturë hierarkike, ku funksionet e çdo objektivi nga sigurimi i mjeteve e deri te plaçkitjet shpërndaheshin mes anëtarëve. Keqbërësit bastisnin në veçanti banka ose qendra tregtare që regjistronin një numër të madh shitjesh. Ata hynin nga çatia ose nga ndonjë ndërtesë e cila ndodhej ngjitur me bankën ose qendrën tregtare. Grupi, i cili kishte planifikuar ikjen nga Katalinja zotëronte makineri të specializuara për shembjen e mureve të betonit që arrinin një vlerë prej rreth 7 000 euro. Ndër krimet më të njohura të kësaj bande është edhe grabitja e bankës së Castelldefels, ku vodhën më shumë se 60 000 euro si dhe valuta të huaja. Grabitësit bënin jetë luksoze falë parave të vjedhura. Ata kishin një apartament me qira në Castelldefels, si dhe një tjetër në Les Corts de Barcelona, qytet i cili njihet për jetën e natës. “Ky grup vepronte në të gjithë Katalanjën, grabiste në veçanti bankat dhe qendrat tregtare, si dhe zotëronte makineri të specializuara për vjedhjet e tyre”- tha shefi i policisë së rajonit jugor metropolitan, Joan Vives.

Nga ana e drejtësisë shqiptare, Rexhepaj akuzohet si vrasës me pagesë dhe është duke u gjykuar aktualisht në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë për vrasjen e dy policëve në Krujë, në vitin 1998. Th.Samarxhiu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›