E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqtarët-pedagogë, kushtet e reja të KLD-së për të dhënë mësim

Tiranë- Këshilli i Lartë i Drejtësisë ndryshon rregullat e angazhimit të gjyqtarëve në mësimdhënie dhe veprimtari akademike. Nëse deri tani, gjyqtarët nuk kishin asnjë pengesë në mësimdhënie, qoftë në universitete publike apo private, tashmë ata duhet t’u nënshtrohen disa rregullave të përcaktuara nga qeveria e gjyqësorit në mbledhjen e datës 19 korrik. Sipas vendimit të zbardhur të KLD-së, të gjithë gjyqtarët që kërkojnë të angazhohen në veprimtari akademike duhet të dorëzojnë pranë këtij institucioni një kërkesë për autorizim, duke plotësuar disa kritere. Kjo kërkesë dhe të dhënat që do të paraqesin gjyqtarët do të analizohen dhe hetohen nga inspektorët, ndërsa KLD rezervon të drejtën e vendimmarrjes negative, në rast se gjyqtarët nuk plotësojnë kërkesat e përcaktuara qartazi në vendimin nr.278.2. Por sipas këtij vendimi, më parë gjyqtari duhet të vlerësojë pajtueshmërinë e çdo veprimtarie, duke pasur parasysh faktin që ato kryhen pa cenuar nevojat e shërbimit. Në pikën katër të këtij vendimi KLD përcakton se “ushtrimi i detyrës së gjyqtarit është i pacenueshëm dhe ka epërsi në lidhje me veprimtari të tjera akademike. Përfshirja e gjyqtarëve në procesin e mësimdhënies mund të bëhet vetëm nëse është në pajtueshmëri me detyrat zyrtare të gjyqtarit, si dhe gjatë ditëve të fundjavave”. Më tej vendimi i KLD-së sqaron se një gjyqtar mund të përfshihet në procesin e mësimdhënies brenda limitit kohor javor deri në 6 orë akademike brenda orarit zyrtar, ndërsa përcakton se shpërblimi për këtë veprimtari duhet të jetë në përputhje me shpërblimin që universitetet japin për këtë veprimtari. Një nga pikat më të rëndësishme të vendimit të KLD-së është pika nr.6, e cila përcakton hapat që duhet të ndjekë një gjyqtar që dëshiron të angazhohet në veprimtari akademike, përfshi edhe mësimdhënien. Sipas KLD-së, gjyqtari duhet të paraqesë pranë këtij institucioni një kërkesë për autorizim, të paktën 45 ditë përpara fillimit të veprimtarisë së mësimdhënies. Kjo kërkesë duhet të përmbajë disa të dhëna të rëndësishme, të cilat më pas do të vlerësohen në një proces të dytë. Gjyqtari duhet të paraqesë në KLD emrin e universitetit ose institucionin tjetër akademik si dhe detaje të rregullave që parashikojnë caktimin në pozicionin. Gjithashtu, duhet të japë në mënyrë të detajuar natyrën e angazhimit, kohëzgjatjen, veçoritë, mënyrën dhe vendin e kryerjes së detyrave, si dhe angazhimi kohor dhe specifikimi i numrit të orëve të vitit kalendarik. Shpërblimi që do të përfitojë nga kjo veprimtari, sipas KLD-së, është një aspekt i rëndësishëm, i cili gjithashtu duhet të paraqitet nga gjyqtari i interesuar. Bashkëngjitur kësaj kërkese, gjyqtari duhet të vërë në dispozicion të KLD-së numrin e çështjeve të shqyrtuara gjatë dy viteve të fundit, duke specifikuar çështjet e përfunduara dhe ato në shqyrtim, si dhe statistika për punën e dy viteve të fundit, krahasuar me punën e gjyqtarëve të tjerë, të përfshirë në të njëjtin seksion ose gjykatë. Pas depozitimit të kësaj kërkese, Inspektorati i KLD-së monitoron përfshirjen akademike të gjyqtarëve në procesin e mësimdhënies dhe respektimin e rregullave të parashikuara në këtë vendim; mbledh opinionet e kryetarëve të gjykatave dhe dokumentacion tjetër të rëndësishëm për vendimin për autorizim; bën hetimin e nevojshëm dhe përgatit raportin për në mbledhjen plenare të Këshillit” - thuhet në vendim. KLD, bazuar në kërkesën e gjyqtarit, vendos për miratimin e kërkesës, duke marrë në konsideratë nevojat e shërbimit; funksionet që aktualisht kryhen nga gjyqtarët dhe eficencën në detyrë të gjyqtarëve që kërkojnë autorizim për kryerjen e mësimdhënies.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›