E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arratisja në burg rrezikoi ndeshjen

• Ndonjëherë nuk nevojiten forcat e policisë për të siguruar rendin në stadium, madje kjo është e vlefshme edhe për stadiume të “nxehta” si ai i Burrelit.

Këtë e vërtetoi ngjarja e së dielës pasdite, kur forcat e policisë së Burrelit braktisën totalisht stadiumin, për shkak se dy të burgosur ishin arratisur nga burgu i Burrelit. Uniformat blu u larguan vetëm 20 minuta pasi kishte filluar ndeshja, por gjithçka vijoi normalisht, edhe pse në stadium nuk kishte asnjë polic. Të shtunën, rreth orës 16:00, Preng Lleshi dhe Fran Marashi janë arratisur nga burgu i Burrelit. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, policia e këtij qyteti është vënë në lëvizje për kapjen e dy të arratisurve. Gjatë kësaj kohe po luhej edhe ndeshja Burreli-Skrapari, të cilën e fituan matjanët me rezultatin 1-0. 20 minuta pasi kishte filluar takimi, policët që ndodheshin në stadium janë larguar në mënyrë urgjente, sepse janë njoftuar për ngjarjen që kishte ndodhur në burgun e qytetit. Të gjithë punonjësit e rendit që ndodheshin aty janë larguar, duke lënë gjithçka në dorë të ndërgjegjes së tifozëve. Ndeshja ka vijuar normalisht, por gjithsesi mungesa e policëve mund të kishte krijuar probleme dhe mund të ishte bërë shkak për ndonjë incident të rrezikshëm gjatë saj. Trajneri i skuadrës së Skraparit, Luftar Guri, tha se gjithçka shkoi mirë, pavarësisht se policët u larguan nga stadiumi që në gjysmën e pjesës së parë. “Gjithçka shkoi mirë, megjithëse policët u larguan herët. Ne jemi të kënaqur nga mënyra e organizmit të ndeshjes dhe nga mikpritja e skuadrës së Burrelit. Kishim dëgjuar më parë se aty ndodhin episode nga më të dhunshmet, por në fakt nuk pati asnjë problem”, tha Guri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›