E Diel, 1 Nëntor 2026

Arratisja nga burgu, dy oficerë në pranga e tre policë në hetim



Artan CENA
TIRANË - Dy oficerë të arrestuar dhe tre policë nën hetim është përfundimi i parë i hetimeve për arratisjen e Ajet Markut, 20 vjeç nga Burgu 313 dy ditë më parë. Në pranga nga Policia e Tiranës janë vënë, Kamber Hoxha, 46 vjeç, shefi i Policisë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimit Penal, pranë Burgut 313 dhe Eqerem Disha, 49 vjeç, specialist i sigurisë në këtë burg. Hetimet në lidhje me arratisjen e 20-vjeçarit janë bërë nga Policia e Tiranës dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në burgje. Pikërisht këta kanë nxjerrë si përgjegjës, dy personat e mësipërm të cilët janë vënë në pranga. “Të gjendur para këtij fakti dhe duke u bazuar në veprimet proceduriale u provua se, përgjegjësi i sigurisë së “Jordan Misja”, Kamber Hoxha dhe specialisti i trupës së regjimit të brëndshëm, Eqerem Disha, kanë konsumuar të gjitha elementet që kërkon vepra penale “shpërdorimi i detyrës”, ndaj për ta është proceduar me masën “arrest në flagrancë”.
HETIMET
Arrestimi i dy personave të mësipërm dhe vendosja nën hetim e tre policisëve, Xhevat Hidri, Frrok Binaku dhe Dritan Rama, është bërë pasi dy ditë më parë në orën 10:47, në ambjentet e ajrimit të Burgut 313, dyshohet se kanë ulur masat e sigurisë duke përfituar për t’u larguar nga vëndi i qëndrimit, i paraburgosuri Ajet Markut, 20 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Paskuqan Tiranë. Aktualisht, në ngarkim të paraburgosurit Ajet Markaj është bërë shpallja në kërkim policor dhe nga strukturat e hetimit të krimit të policisë së kryeqytetit po punohet intesivisht për kapjen e tij. Hoxha ishte në pozicionin e Përgjegjësit të Sigurisë në burgun “Jordan Misja” dhe Eqerem Disha është emri i specialistit të trupës së rregjimit të brëndshëm të cilët, janë vënë nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Dhe për tre policët, është ngritur akuza e “shpërdorimi të të detyrës”, dhe hetimi ndaj tyre do të bëhet në gjëndje të lirë.
ARRATISJA
Ishte duke lozur futboll bashkë me disa persona të tjerë, por në një moment, kur ka qenë afër portës, ka ndryshuar mendje. Nuk ka shkelmuar topin, por ka kërcyer dhe është ngjitur në trarin e portës së fushës duke u hedhur në mur. Më pas është ngjitur në një tarracë dhe është hedhur në pjesën e pasme të burgut. Një prej rojeve të burgut ka qëlluar me armë në ajër për të parandaluar arratisjen, por ka qenë e kotë. Marku ishte përleshur dhe me një gardian në momentin që është ngjitur në murin e parë, por ka mundur të shpëtojë. Pasi ka kërcyer në tokë ai ka kaluar përmes godinës së shërbimit të provës, e cila është në ndërtim, dhe është larguar me shpejtësi. Menjëherë pas kësaj është hedhur në një prej mureve rrethuese duke e kapërcyer atë dhe duke u hedhur nga lartësia e soletës së murit, rreth 2 metra, drejt e në rrugën “Jordan Misja”. Më pas, dëshmitarë vërtetuan se e kanë parë Markun të largohej me shpejtësi. Priten hetimet që do të zbardhin nëse Marku ka pasur ose jo ndihmës në këtë arrati spektakolare.

Familja i bën thirrje të arratisurit që të dorëzohet
TIRANË - Familja e Ajet Muratit, i cili u arratis nga paraburgimi 313 dy ditë më parë, i bëjnë apel tashmë të kërkuarit kryesor në vend që të vetëdorezohet. Gjyshi i tij, i cili ka mbërritur menjëherë pas ngjarjes nga Kukësi, pret njerëzit që interesohen për fatin e të riut, në shtëpinë e nipërve në Paskuqan 2. I arratisuri Ajet Murati është marrë me sport për dy vjet në një skuadër futbolli për të rinjtë në Kamëz, çka i jep përgjigjje edhe enigmës se si, ai arriti të kalojë lehtësisht murin ndarës mes gjykatës, burgut dhe shërbimit të proves. Dy vëllezërit e tij jetojnë duke punuar në punë të zezë në ndërtim, profesion të cilin e kishte tentuar edhe Ajeti. I riu kishte përfunduar shkollën e mesme në Laprakë, mandej ka përfunduar shërbimin ushtarak të dëtyrueshëm, kohë gjatë të cilës i ka vdekur edhe e ëma. Pikërisht pas kësaj fatkeqesie, Ajeti tentoi të grabise një bankë në Tirane, pasi nuk kishte arritur të gjente një pune në Greqi ku emigroi për dy muaj dhe pasi nuk arriti të përshtatej edhe me punën e krahut që ja kishin gjetur të vëllezërit.

Qëllohen me armë zjarri, vdes 1 shqiptar 2 të plagosur
BERGAMO- Qëllohen me armë zjarri tre emigrantë shqiptarë në Bergamo të Italisë. Mediat italiane bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 1:30 të natës duke u gdhirë dita e djeshme, kur dy grupe të rinjsh nga Shqipëria janë përleshur mes tyre, duke përdorur edhe armë zjarri. Si rezultat, ka mbetur i vdekur 26-vjeçari, Ervin Tafa dhe është plagosur vëllai dhe një shok i tij, ende i paidentifikuar. Karabinierët kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë konstatuar se të rinjtë kanë qëlluar shumë herë me armë tip pistolete dhe pushkë. Sipas policisë, nga një makinë kanë zbritur gjashtë persona, të cilët kanë nisur të qëllojnë me armë drejt grupit tjetër dhe më pas janë larguar me shpejtësi. Sipas hetimeve paraprake, autoritetet italiane dyshojnë se ngjarja është një larje hesapesh mes grupeve, e lidhur me shfrytëzimin e prostitutave. Mësohet se të plagosurit janë dërguar me urgjencë në spital, ndërsa viktima ishte emigrant i rregullt në Itali dhe kishte disa precedentë penalë.

“Gërdeci”, mungon avokati, shtyhet seanca
TIRANË - Gjykata e Tiranës shtyu për të hënën e ardhëshme seancën për çështjen "Gërdeci" me 29 të pandehur, pjesa më e madhe, ish- funksionarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes. Seanca e parashikuar për t'u zhvilluar ditën e djeshme, ku pritej të shqyrtoheshin disa nga provat e organit të prokurorisë kundër të pandehurve, u shty për shkak të mungesës së njërit prej avokatëve mbrojtës në proces. Të pandehurit e kësaj çështjeje akuzohen si përgjegjës për ngjarjen e ndodhur më 15 mars 2008 në fshatin Gërdec të Tiranës, kur si pasojë e një shpërthimi në ish- fabrikën e demontimit të municioneve luftarake, humbën jetën 26 persona, ndërsa shumë të tjerë u plagosën. Nga kjo ngjarje, pati deme të shumta materiale në zonën përreth.

Shtyhet seanca ndaj Prodentinos, nuk u paraqit avokati
VLORË - Procesi gjyqësor ndaj shtetasit italian Albino Prudentino është shtyrë për në datë 6 dhjetor. Shkak për këtë shtyrje është bërë mungesa e avokatit të tij Ferdinand Ndoi. Vetë avokati Ndoi u shpreh se, “nuk ishte njoftuar për seancën e ditës së sotme (dje)”. Po dje gjykata vendosi ndërrimin e avokatit për shtetasin Prudentino, duke caktuar në vend të Ferdinand Ndoit avokatin Arjan Çela. Ndërkaq pak kohë më parë ka mbërritur në Gjykatën e Vlorës kërkesa për ekstradimin e Prudentinos, i akuzuar si kreu i organizatës mafioze "Sacra Corona Unita" në Itali. Lajmi u konfirmua nga Prokuroria e Vlorës, e cila ka bërë me dije se dosja tashmë i është përcjellë Gjykatës lokale. Në kërkesën që ka mbërritur në gjykatë janë të renditur të gjitha akzuat që rëndojnë mbi italianin Prudentino.

4 Dhjetor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›