E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vijnë ndihmat e para, mjete fluturuese dhe ushqime



Pas apelit të qeverisë shqiptare vijnë ndihmat e para nga vendet anëtare të NATO-s. Turqia, Italia dhe Greqia janë bërë pjesë e kontributeve për përballimin e emergjencave civile në Shqipëri. Burimet zyrtare të Shtabit të Emergjencave Civile kanë bërë të ditur se janë ofruar mjete ajrore për transport mallrash dhe njerëzish dhe ushqime. Pasditen e së shtunës erdhën nga Italia katër trajlera me ushqime, ndërsa Greqia dhe Turqia kanë dhënë 5 helikopterë transportues dhe ekspertë të çështjeve të emergjencave civile. Presidenti turk, Abdulla Gyl, i bëri një telefonatë homologut shqiptar, Bamir Topi, ku shprehu gatishmërinë e vendit të tij për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë. Ky kontingjent i është bashkuar ekipit të Forcave të Sigurisë së Kosovës, të cilët erdhën në zonat e përmbytura dy ditë më parë dhe po punojnë me ekipet shqiptare për minimizimin e dëmeve.

Ndihma
Shtimi i sipërfaqeve të përmbytura dhe numri i lartë i banorëve të zhvendosur kanë sjellë reagimin e disa vendeve europiane anëtare të NATO-s, për të ofruar ndihmë, ndonëse pjesa më e madhe e Europës ndodhet në kushte të vështira klimaterike. Pas Kosovës, sinjali i parë vjen nga Turqia. Gjatë një komunikimi telefonik me presidentin Topi, kreu i shtetit turk, Abdullah Gyl, shprehu solidaritetin e plotë dhe mbështetjen për të gjithë ata njerëz, të cilët janë duke u përballur me pasojat e rënda të këtyre përmbytjeve. Zoti Gyl e siguroi presidentin Topi për gatishmërinë e tij institucionale për të ndihmuar Shqipërinë në këto momente. Menjëherë, pasditen e djeshme erdhën tre helikopterë transportues së bashku me një kontingjent prej 22 oficerësh dhe nënoficerësh, ekspertë të emergjencave civile. “Helikopterët, pjesë e ushtrisë turke, do të jenë të gatshëm për t’u përfshirë në operacionet e evakuimeve dhe furnizimit të banorëve në Shkodër që në orët e mëngjesit të ditës së sotme”, - thonë burimet zyrtare të Ambasadës Turke në Tiranë.
Të njëjtit apel, të lëshuar që prej datës 1 dhjetor në Qendrën Operacionale të Emergjencave Civile të NATO-s, i është përgjigjur edhe Greqia, e cila solli ditën e shtunë 2 helikopterë transportues dhe një grup specialistësh. Komiteti i Emergjencave pranë Prefekturës së Shkodrës njoftoi se katër trajlera të mëdhenj, të mbushura me ushqime, veshmbathje dhe detergjente, erdhën nga Italia drejt Portit të Durrësit. Në pikën e rezervave në Aeroportin e Gjadrit po bëhet magazinimi i ndihmave dhe më pas shpërndarja e tyre sipas destinacioneve. Kreu i shtetit, Bamir Topi, pohoi gjatë inspektimeve në Shkodër se ka kërkuar ndihmën e vendeve anëtare të NATO-s, e cila pritet të mbërrijë së shpejti.

SOS
Që më datë 1 dhjetor qeveria shqiptare kërkoi ndihmën e vendeve anëtare të NATO-s. Me shpalljen e gjendjes së emergjencës në Shkodër dhe dy ditë më parë në Durrës dhe Lezhë, u pa e mundur që të shtrihej dora te aleatët, ku u kërkuan mjete lundruese për transport, karburant, ushqime dhe detergjente. Shqipëria është vendi më i prekur nga përmbytjet në rajon, me sipërfaqen më të madhe të mbuluar me ujë dhe me numrin më të lartë të personave të zhvendosur. Një situatë e tillë në të gjithë Europën ka kushtëzuar kontributet e vendeve anëtare të NATO-s për të përshpejtuar ndihmën për Shqipërinë.

NDIHMA NDËRKOMBËTARE

Kosova
59 forca të Trupave të Sigurisë së Kosovës

Greqia
Dy helikopterë transportues
11 ekspertë të emergjencave civile

Turqia
Tre helikopterë transportues
22 oficerë dhe nënoficerë

Italia
Katër trajlera me ushqime dhe veshmbathje

Box 1
Ushtria “feston” në operacione 98-vjetorin e krijimit

Dita e lindjes së Ushtrisë shqiptare ka qenë e pazakontë këtë vit për Forcat e Armatosura. Teksa dje është shënuar 98-vjetori i krijimit të saj, pjesa më e madhe e strukturave të saj kanë qenë në operacionet e ndihmës në zonat e përmbytura. Kjo ka pamundësuar zhvillimin e ceremonive festive, siç ndodh çdo vit, por në adresë të personelit të FA janë drejtuar dy mesazhe urimi nga presidenti i vendit, zoti Bamir Topi, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të FA dhe nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami. “Në këtë ditë të shënuar përshëndes të gjithë personelin e FA, ushtarë, nënoficerë, oficerë dhe punonjës civilë, për përkushtimin, profesionalizmin dhe kontributin që kanë dhënë e vazhdojnë të japin në sigurinë e vendit e të Aleancës, si edhe në emergjencën civile e në mbështetje të popullatës”, - thuhet në urimin që përcolli dje ministri Imami. Gjatë këtyre ditëve janë përfshirë në operacionet e emergjencës 625 ushtarakë, 96 mjete transporti, 12 mjete të rënda (8 Astra, 2 fadroma, 2 Tatra,) 24 motobarka dhe barka (10 motobarka dhe 14 varka), 2 skafe dhe 3 ambulanca.

6 Dhjetor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›