Reshjet e shiut, përmbytje dhe bllokime në të gjithë vendin
Artan CENA
TIRANË - Përmbytjet kanë zgjeruar hartën e tyre në të gjithë Shqipërinë. Jo vetëm Shkodra, Lezha dhe Durrësi, por dje përmbytje ka pasur edhe në Fier, Gjirokastër, Vlorë e qytete të tjera të vendit, ku ujërat e lumenjve kanë dalë nga shtrati. Situata në vend është bërë alarmante dhe nga reshjet e shiut që nuk kanë pushuar deri në orët e pasdites. Rreziku më i madh ka qenë në zonën e Lezhës, ku argjinatura e Torovicës është mbajtur nën vëzhgim të përhershëm dhe diga është rritur në çdo orë. Siç është bërë e ditur, niveli i ujit në Torovicë është rritur dje si pasojë e reshjeve. Forca të shumta ushtrie me mjete të rënda kanë punuar për rritjen e argjinaturës me qëllim bllokimin e daljes së ujit. Nëse ky ujëmbledhës do të dilte nga kontrolli, atëherë Lezha dhe Laçi do të përmbyteshin.
EVAKUIMET
Reshjet e shiut që nuk kanë ndalur për disa ditë kanë zgjeruar hartën e përmbytjeve pothuaj në të gjithë vendin. Zona me problematike mbetet qyteti i Shkodrës dhe fusha e Nën-Shkodrës. Sipas të dhënave më të fundit nga grupi i emergjencës, deri tani janë evakuuar nga kjo zonë më shumë se 9000 banorë. Ndërkohë që është arritur që në çdo fshat ku ka ende njerëz, të stacionohet nga një mjek dhe një infermier. Operacionet e evakuimit të banorëve dhe dhënia e ndihmës emergjente shëndetësore dhe ajo me ushqime nuk janë ndërprerë për asnjë moment nga forcat e ushtrisë. Autoritetet thonë se në Shkodër ka ende hapësira për të strehuar banorët e shpërngulur.
PËRMBYTJET
Por, edhe më emergjente është bërë situata në zonën e Torovicës në Lezhë. Gjatë ditës së djeshme është kërkuar evakuimi i banorëve në këtë zonë, pasi uji rrezikon të kapërcejë pritën. Edhe pse gjatë gjithë natës dhe ditës së djeshme niveli i digës është ngritur nga inertet e shkarkuara, uji nuk ka ngelur më prapa. Gati çdo orë niveli rritej edhe pse niveli është mbajtur nën kontroll të rreptë. Probleme ka pasur dhe në fshatin Adriatik, ku ka pasur probleme me digat e vogla të ujëmbledhësve. Vërshime ujërash ka edhe në Bulqizë. Nga hapja e digave në liqenin e Ohrit në Maqedoni, që shkarkon ujin e hidrocentralit të Spiles në Dibër të Madhe, dhjetëra shtëpi në komunën e Gjoricës janë vënë në rrezik pasi prurjet e mëdha kanë arritur të mposhtin një pjesë të argjinaturës duke e kaluar sipër saj rreth 50 centimetra.
ZONAT E TJERA
E papërmirësuar është situata në Durrës dhe Fushë-Krujë. Niveli i ujit në disa komuna dhe në zonën e plazhit nuk është ulur që prej dy ditësh. Është bërë thirrje për ndihma, por deri tani nuk ka pasur ndërhyrje energjike, pasi gjithë shteti është përqendruar në Shkodër dhe Lezhë. Ndërkaq mësohet se uji ka përmbytur sërish fushën e Maliqit në Korçë. Ende nuk ka informacione për sipërfaqen e zënë me ujë, por situata duket e vështirë. Disa akse rrugore në këtë zonë janë të bllokuara tërësisht. Raportime për bllokime rrugësh vijnë nga Ministria e Transportit në disa zona të ndryshme të vendit. Vështirësi qarkullimi ka më së shumti në Veri të vendit, por edhe disa akse rrugore është bërë e vështirë lëvizja edhe në Jug të vendit.
Personat e evakuuar në Shkodër
Komuna Ana e Malit, 53 familje, 240 persona
Komuna Dajç, 330 familje, 1550 persona
Komuna Bërdicë, 768 familje, 3306 persona
Komuna Bushat, 500 familje, 2000 persona
Komuna Gur i Zi, 320 familje, 1300 persona
Komuna Velipojë, 70 familje, 350 persona
Komuna Rrethina, 20 familje, 102 persona
Bashkia Shkodër, 562 familje, 2175 persona
Rrugët e bllokuara në Shqipëri
TIRANË - Gjysma e rrugëve të vendit janë të bllokuara ose lëvizje në to është shumë e vështirë. Në të dhënat e bëra publike nga Ministria e Transporteve flitet për bllokime rrugësh nga Veriu në Jug. Burimet zyrtare nga MPTT-ja thanë se në vazhdimësi të situatës së krijuar nga reshjet e shumta të shiut, në zonën veriore qendrore dhe lindore të vendit, reshje të cilat kanë fryrë tej normave lumenjtë dhe liqenet, situata në akset rrugore paraqitet si më poshtë:
Në hyrje të qytetit Shkodër, para urës së Bunës dhe te Harku i Bërdicës rruga është e pakalueshme pasi ka përmbytje të rrugës me rreth 1 metër ujë mbi rrugë.
Qarkullimi i mjeteve për në Shkodër bëhet vetëm nga Mjeda.
Qarkullimi për në Muriqan dhe Shirokë është i mundur vetëm për mjetet e larta.
Segmenti rrugor Shkodër-Harku i Bërdicës-Velipojë është i pakalueshëm pasi është rritur niveli i ujit, mjetet qarkullojnë vetëm nga rrugë dytësore.
Në segmentin rrugor Koplik-Dedaj-Bogë, si rezultat i bllokimit te zona e Përroit të Thatë, qarkullimi i mjeteve kryet nëpërmjet një rruge dytësore provizore.
Në segmentin rrugor Shkodër-Hani i Hotit, në vendin e quajtur Vukpalaj, rreth 5 km, deri te dogana, rruga është e pakalueshme pasi uji mbi rrugë është mbi 1 metër.
Në segmentin rrugor Bajram Curri-Fierzë, kilometri 11, lumi ka marrë murin mbajtës të rrugës (shembur), rruga qarkullohet me një kalim.
Në Shishtavec lumi ka marrë një pjesë të rrugës duke e bërë njëkalimshe, gjithashtu në afërsi të tunelit të dytë në Shishtavec, rreth 100 m, rruga është e bllokuar dhe qarkullimi i mjeteve bëhet nga tuneli.
Segmenti rrugor Bujan-Fierzë ka vështirësi në qarkullimin e mjeteve të vogla.
Në segmentin rrugor Sapot-Bujan ka vështirësi në qarkullimin e mjeteve.
Te ura e Çerenecit qarkullohet me një kalim.
Në segmentin Peshkopi-Muhurr-Qafë Drajë, rreth 5 km larg Muhurit, rruga është e bllokuar.
Nga Burreli në Milot rruga është me një kalim.
Në afërsi të Nyjës së Asfaltit në Burrel ka dy shembje, rruga është e kalueshme vetëm për mjetet e vogla.
Në kthesat e Klosit rruga është me një kalim.
Në Bulqizë kalohet vetëm përmes qytetit, unaza është e përmbytur.
Në segmentin Përmet-Çarshovë, në Bablonjë, ka rënë një masiv shkëmbor dhe rruga është e bllokuar.
Në aksin rrugor Vlorë-Sarandë qarkullimi kryhet me një kalim në vendet e quajtura Jonufra 1, Dukat Fshat, Dalje Piqeras.
Në pjesën fundore të rrugës Lushnjë-Fier rruga e re është e përmbytur, qarkullohet nga rruga e vjetër.
Në aksin Fier-Zhulaj, në Visokë, rruga është me një kalim.
Në segmentin Roshbull- Katër Rrugët e Shijakut, rreth 300 metra, ka një vërshim uji 15-20 cm.
Segmenti Fushë-Krujë - Ura e Drojes, ka rënë niveli i ujit rruga është e kalueshme.
6 Dhjetor 2010