Shopping në Europë, si të mos ngatërroheni me tregtarët me çanta
Ervin KOÇI
U desh vendimi për liberalizimin e vizave që dogana të kujtohej për të sqaruar procedurat e kalimit në kufi dhe detyrimet e udhëtarëve për blerjet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Administrata doganore njoftoi ditët e fundit për udhëzimin që duhet ndjekur dhe detyrimin që i takon udhëtarit të paguajë në momentin e mbërritjes në kufirin shqiptar. E rëndësishme është që të kihet parasysh fakti i moskalimit të vlerës së mallit përtej 30 mijë lekëshit, pasi mbi të duhet paguar një tarifë doganore 2 për qind mbi vlerën e produktit. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave thotë se VKM nr. 205, datë 13.4.1999 “Për Dispozitat Zbatuese të Kodit Doganor”, neni 506, 507, 508 ka vendosur normativa në lidhje me kufirin e pataksueshëm për mallrat e ndodhur në bagazhin personal të udhëtarëve. Këto dispozita përcaktojnë se përjashtimi jepet për një shumë prej 30.000 lekësh për çdo udhëtar. Për udhëtarët nën 15 vjeç kjo shumë reduktohet në 15.000 lekë. Gjithashtu, këto dispozita përcaktojnë kufirin e pataksuar sasior për çdo udhëtar për një grup të veçantë mallrash që janë pijet alkoolike, cigaret dhe parfumet. Për këto produkte janë vendosur norma të caktuara sipas peshës dhe sasisë. Në listën e produkteve me vlerë të konsiderueshme futen edhe ilaçet, sasia e të cilave duhet të jetë brenda nevojave të lejueshme. Për të katërta llojet e produkteve, nuk do të bëhen përjashtime sikurse u përmend më lart në varësi të moshës së udhëtarit, pra nuk do t’u lejohen udhëtarëve që nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç. Gjithashtu, dogana sqaron se mallrat e ndodhur në bagazhin personal të udhëtarëve që vijnë nga një vend tjetër, lejohen duke përfituar përjashtim nga detyrimet e importit, me kusht që këto importe të mos kenë natyrë tregtare. Pra, bëhet fjalë vetëm për blerjet për qëllime personale. Administrata doganore thotë se informacioni, pjesë e legjislacionit doganor hartuar me asistencën e BE-së, prej shumë vitesh është i disponueshëm për të gjithë udhëtarët që hyjnë në Shqipëri.
Tregtia me çanta
Nëse planifikoni të blini mallra gjatë udhëtimit tuaj jashtë shtetit, pas liberalizimit të vizave, kujdes me sasinë e blerjeve tuaja me qëllim që të mos ngatërroheni nga doganierët si tregtar me çanta. Niveli i ri i taksave do të vendoset pas janarit të vitit 2011. Një procedurë e tillë do të zbatohet në aeroport, porte apo pika të kalimit kufitar tokësor. Por me shtimin e fluksit të udhëtarëve, pritet që ndryshimet e reja ligjore të cilat kanë marrë miratimin e qeverisë dhe presin vulën e Kuvendit, të frenojnë pikërisht tregtinë me çanta. Por në shumë raste, produktet dhe mallrat që vijnë nga vendet europiane e kanë tarifën doganore zero, çka do të thotë se do të paguhet vetëm TVSH-ja, ose akciza në rast se do të blini më shumë se një stekë cigare. E njëjta gjë vlen edhe për blerjet që vjen me postë.
Legjislacioni
Në bazë të protokolli 4 të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit "Përkufizimi i Produkteve Origjinuese", neni 26, "Përjashtimi nga vërtetimi i origjinës" përcaktohet se nuk është nevoja për paraqitjen e vërtetimit të origjinës për të përfituar tarifat preferenciale në momentin e zhdoganimit për importet, të cilat janë të rastësishme dhe përbëjnë vetëm produkte për përdorim personal nga marrësi ose udhëtari ose familjarët e tyre dhe nuk do të konsiderohen si importe për qëllime tregtie nëse nisur nga pikëpamja e natyrës dhe sasisë së produkteve është evidente që nuk ka qëllime tregtie për to. Për më tepër, sqaron autoriteti doganor, vlera totale e këtyre produkteve nuk duhet të tejkalojë 500 euro në rastin e pakove të vogla ose 1200 euro në rastin e produkteve që janë pjesë e bagazheve. "MSA për rastet dhe shumat e mësipërme parashikon përjashtimin e udhëtarëve që vijnë nga BE nga detyrimi për paraqitjen në doganë të Vërtetimit të Origjinës për të përftuar nga tarifat preferenciale në momentin e deklarimit dhe zhdoganimit të këtyre mallrave dhe jo përjashtimin e udhëtarit nga detyrimet doganore, TVSH-së apo akciza",- thanë burimet zyrtare doganore. Në bazë të legjislacionit doganor, hartuar me asistencën e BE-së, për udhëtarët që hyjnë në Shqipëri parashikohet kufiri sasior i produkteve të pataksuara.
Tarifat
Nëse blerjet tuaja personale e kalojnë vlerën prej 300 mijë lekë ju duhet të deklaroni në doganë ngarkesën personale. “Nëse malli vjen dhe është për natyrë jotregtare çdo udhëtar përjashtohet nga detyrimet e importit dhe nuk ka detyrim të deklaruar në doganë për një vlerë deri në 30 mijë lekë. Nëse malli vjen në rrugë postare kjo vlerë është më e ulët, 10 mijë lekë. Për sa i përket kufizimeve që lidhen me mallra të akcizës ka një limit deri në një stekë cigare dhe në nivelin e një litri pije alkoolike dhe dy litra verë”, - ka shpjeguar, drejtor i origjinës dhe vlerësimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Saimir Lacej. Thjeshtimi i procedurave, për rastet kur mallrat duhet të deklarohen pasi e kalojnë vlerën 300 mijë lekë të vjetra ka qenë i nevojshëm për të rregulluar pikërisht këtë hallkë që plotëson detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me BE-në. Në rast se doganieri dyshon në vërtetësinë e tij, mund ta penalizojë qytetarin. Madje, nëse këto rregulla do të thyhen penalizimi shkon deri në konfiskim të mallrave.
BOX////////////////////////////
KRYERJA E DEKLARIMIT TUAJ DOGANOR
Kanali i kuq
Ju duhet të kaloni në kanalin e kuq nëse keni mallra që e tejkalojnë shumën e përjashtuar nga detyrimi doganor ose mallra të cilat janë për qëllime tregtare. Ju duhet të paguani detyrimet doganore për çdo artikull të tatueshëm ose mbi masën e përjashtimit. Ju do të merrni një vërtetim për pagesën tuaj që kryhet përpara se ju të largoheni nga dogana. Udhëtarët në kanalin e kuq mund të jenë objekt i kontrolleve.
Kanali jeshil
Kaloni në kanalin jeshil nëse jeni i sigurt se nuk e tejkaloni shumën e përjashtuar nga detyrimi doganor, nuk keni mallra për qëllime tregtare dhe mallra të ndaluara ose kufizuara. Udhëtarët në kanalin jeshil mund të ndalohen për kontroll. Kujdes nëse një udhëtari i gjenden mallra të taksueshëm mbi përjashtimin doganor, mallra që i nënshtrohen qartësisht kufizimit në import ose janë për qëllime tregtare, mallrat mund të sekuestrohen, vendosen gjoba ose udhëtari mund të akuzohet për kryerjen e kundërvajtjes doganore. Udhëtarëve u rekomandohet veçanërisht të zgjedhin kanalin e kuq nëse kanë mallra mbipërjashtimin ose janë të pasigurt për rregullat që duhet të zbatohen. Çdo gjë që nuk deklarohet saktë mund të konfiskohet dhe deri mund të akuzohet për kryerjen e kundërvajtjes doganore. Mos mbani asnjëherë çanta kur kaloni nëpër doganë për dikë tjetër!
Skema/////////////////////
Mallra të lejuara në bagazhin personal të udhëtarëve:
1. produkte duhani:
200 cigare, ose 100 cigarillo (cigare me peshë maksimale prej 3 gramë secila) ose 50 puro, ose 250 gram duhan, ose përzgjedhje në përpjesëtim të drejtë i këtyre produkteve të ndryshme; nuk bëhet përjashtim për mallrat e përmendura në pikën produkte duhani, për udhëtarët nën moshën 15 vjeç
2. alkooli dhe pijet alkoolike:
1 litër pije e distiluar dhe alkoole me fortësi alkoolike ndaj volumit më të lartë se 22%, ose alkool etilik i pa denatyruar me forcë alkoolike ndaj volumit 80% dhe më shumë 2 litra: pije të distiluara dhe alkoole dhe aperitive me bazë vere ose alkooli, tafia, sake, ose pije të ngjashme me fortësi alkoolike ndaj volumit që nuk e kalon 22%, ose verëra të gazuara, likere, ose një përzgjedhje në përpjesëtim të drejtë e këtyre produkteve të ndryshme, dhe 2 litra verëra të zakonshme. Nuk bëhet përjashtim për mallrat në pikën “alkooli dhe pijet alkoolike për udhëtarët nën moshën 18 vjeç”.
3. Parfume
50 gram parfume ose 0.25 litra kolonjë:
4. Ilaçe
Produkte mjekësore në sasi të nevojshme për të plotësuar nevojat personale të udhëtarit
Kur vlera e përgjithshme, për çdo udhëtar, e dy ose me shumë mallrave, kalon shumat kufi të treguara më lart, jepet përjashtim deri në ato shuma dhe për këto artikuj, të cilëve sikur të ishin importuar veçmas, do tu ishte dhënë përjashtim, me kusht që vlera e një artikulli të veçantë nuk mund të ndahet. Nuk jepet përjashtim për mallrat e përmendura në paragrafin (a), për udhëtarët nën moshën 15 vjeç. Po ashtu nuk jepet përjashtim për mallrat e përmendura në paragrafin (b), për udhëtarët nën moshën 18 vjeç.
Shkurt////////////////////////////
TVSH-ja, pas liberalizimit të vizave parashikohet rritje deri në 11.7%
Të ardhurat në total nga TVSH parashikohen të rriten me 11.7% kundrejt vitit 2010, ose rreth 10.2 për qind të shprehura në raport ndaj PBB. Ekspertë të Ministrisë së Financave kanë bërë disa përllogaritje mbi planin e të ardhurave të TVSH-së, duke u nisur nga politikat fiskale që do të ndiqen vitin e ardhshëm dhe rritja ekonomike 5.5%. Kështu, nga totali prej 136.2 miliardë lekësh të parashikuara për këtë tatim, administrata doganore pritet të mbledhë rreth 96.6 miliardë me një rritje prej 11.1% ndaj vitit 2010. Parashikimi për TVSH nga dogana bazohet në parashikimin e nivelit nominal të importeve, si dhe në prirjen historike të koeficientit të elasticitetit të këtyre të ardhurave ndaj nivelit të importeve të mallrave. Kurse administrata tatimore pritet të mbledhë rreth 38.6 miliardë lekë të ardhura nga TVSH me një rritje prej 13.2% ndaj vitit 2010, parashikojnë Financat.
27 Nentor 2010