E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët, fluks kërkesash për kartat e identitetit

Shtimi i kërkesave për pasaporta biometrike ka çuar në shtimin e radhëve pranë zyrës së aplikimeve në Korçë. Ardhja e emigrantëve nga shteti grek për pushime ka rritur edhe kërkesat për këtë dokument, ndërkohë që pavarësisht nga fluksi i lartë i aplikimeve ditore, duket se situata nuk mund të përballohet nga ana e operatorëve. Janë të paktën 300 kërkesa për aplikim që drejtohen çdo ditë nga studentë të cilët kanë ardhur me pushime dhe emigrantë të cilët jetojnë në shtetin fqinj. Operatorët kanë reduktuar numrin e kompjuterëve, pas periudhës së zgjedhjeve të 28 qershorit dhe pranë qendrës funksionojnë vetëm dy të tillë, edhe pse ka një shtim të interesit dhe aplikimeve për kartat e identitetit dhe pasaportat e reja. Nga dhjetë kompjuterë dhe operatorë që punonin më parë me kapacitet të plotë, pranë kësaj zyre punojnë vetëm dy të tillë, një prej të cilëve për shpërndarjen e dokumenteve dhe vetëm një për kryerjen e aplikimit. Kjo ka bërë që të rikthehen radhët e gjata pranë zyrës së aplikimit, ndërsa dhjetëra persona qëndrojnë në pritje për të kryer aplikimin apo tërhequr dokumentin. Gjatë këtij muaji ka pasur të paktën 5300 kërkesa për pasaporta biometrike dhe shumë të tjera për kartat e identitetit, kryesisht këto të fundit nga shtetas që kanë pasaportë ndërkombëtare. Por vonesat dhe mungesa e operatorëve ka bërë që me shtimin e aplikimeve të ketë edhe radhë, ndërkohë që gjatë muajit gusht pritet të ketë një fluks edhe më të lartë emigrantësh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›