Arrest me burg për 3 ish zyrtarët e pronave në Vlorë
Vlorë- Gjykata e Faktit në Vlorë vendosi sot masën e sigurisë, arrest me burg për tre ish zyrtarët e zyrës së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në këtë qytet.
Sipas gjykatës, Genci Panozaqi, ish-drejtor i Zyrës Rajonale të kthimit e kompensimit të pronave, Sokol Kucaj, ish-jurist pranë zyrës së kthimit e kompensimit të pronave dhe Fatmir Xhena, specialist topograf, janë lënë në arrest me burg, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës gjatë punës për kthimin dhe kompensimin e pronave në bregdet.
Seanca e vlerësimit të masës së sigurisë ndaj tre të pandehurve është zhvilluar me dyer të mbyllura, pa lejuar praninë e mediave. Akuza është përfaqësuar nga prokurori Tafili.
***
ipas burimeve nga prokuroria e Vlorës mësohet se janë rreth 30 ha truall në zonën e Orikumit, që kanë vënë në pranga Genc Panozaqin dhe dy personat e tjerë. Janë denoncimet e dy personave në zonën e Orikumit për këto hektarë, që kanë vënë në lëvizje nisjen e hetimeve. Një denoncues kishte pretendimin se ka mbetur pa pronë, ndërsa personi tjetër që do të përfitonte nga një shpronësim, ka pasur zhvendosje të pronës që i është dhënë. Për sa i përket një vijimi të mundshëm të hetimeve, mësohet se ato mund të vijojnë për agjencinë e qendrës së kthimit dhe kompensimit të pronave.
****
“Verifikimet e para kanë nxjerrë dhjetëra abuzime. Te tre këta persona shpërndanin pronat sipas dëshirës së tyre, pa pasur aspak nevojë për dokumente. Madje në shumë raste as që kanë pritur përgjigje nga hipotekat për të parë nëse tokat ishin të zëna apo jo. Masakrimi që i është bërëtokave është pa kufij. Në disa raste tokat janë ndarë sipas bindjeve partiake”,- thanë dje burimet e grupit hetimor të çështjes. Sipas tyre, tokat janë dhënë krejtësisht në kundërshtim me ligjin. Procedura kërkon që pronarët të jenë të pajisur me dokumente të kohës së mbretit Zog ose më të hershme.
Arrestimi
Hetuesit e çështjes pohuan dje se arrestimet janë përshpejtuar nga një detaj i vogël që ka nxjerrë hetimi. “Ne mësuam se Genci Panozaqi, ish-drejtor i Zyrës Rajonale të kthimit e kompensimit të pronave, kishte disa viza Shengen dhe mund të ikte nëse mësonte se ndaj tij kishte nisur hetimi. Pothuajse të gjithë në Vlorë e dinin për këto abuzime. Madje disa prej tokave u ishin dhënë “të fortëve” të Vlorës”,- thanë hetuesit.
Verifikimet
Pasuria e të tre të arrestuarve për skandalin e djeshëm të tokave në Vlorë, do të kalojë në sitën e hetuesve të çështjes. Dyshimet e para janë se këta persona kanë krijuar të ardhura të shumta në mënyrë të paligjshme. “Që nesër (sot) do të nisim me verifikimin e llogarive të tyre bankare por edhe të transaksioneve që kanë kryer. Në rast se rezulton që të kenë pasuri të dyshimtë, ajo do të sekuestrohet menjëherë”, -thanë burimet.
Kush janë tre zyrtarët e arrestuar
Genc Panozaqi ka punuar si mësues matematike në shkolla të qytetit. Në vitin 2005 Panozaqi u gjend përballë Arben Isarajt në zonën elektorale 95, ku kandidoi për deputet nën siglën e së djathtës. Por humbja në zgjedhje bëri që Panozaqi të emërohet në një tjetër detyrë, atë të kryetarit të zyrës së kthimit dhe kompensimit të pronave në qarkun e Vlorës. Vetëm gjashtë muaj më parë ai paraqiti dorëheqjen e parevokueshme nga ky institucion, dorëheqje për të cilën zyrtarisht nuk u dha asnjë motivim. Panozaqi ka qenë gjithmonë i përfshirë në strukturat e degës së PD-së të Vlorës, ku edhe ka ushtruar detyrën e sekretarit të kësaj dege, detyrë të cilën e ushtron aktualisht. Në marrëdhënie familjare ai është kunat me zv ministrin e Brendshëm, Ferdinand Pone, dhe është i martuar dhe me dy fëmijë. Ndërsa Sokol Kuçaj, jurist në zyrën e kthimit dhe kompensimit të pronave, u largua një muaj më parë, nga vetë strukturat e kësaj agjencie. Së bashku me katër punonjës të tjerë të kësaj zyre, largimi u motivua me një numër të madh ankesash nga qytetarët për ta. Fatmir Xhema, vijonte detyrën e topografit në zyrën e kthimit dhe kompensimit të pronave në qarkun e Vlorës.