E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdekja e 17-vjeçares, mjeku rrezikon pezullimin

Tiranë- Mjeku Xhevahir Hoxhallari, i cili është marrë nën hetim nga prokuroria e Tiranës lidhur me vdekjen e pacientes 17-vjeçare Matilda Petriti, pas një operacioni në bajame, rrezikon të pezullohet nga detyra.

Lajmi bëhet i ditur nga burimet zyratre pranë organit të akuzës, sipas të cilave prokuroria ka kërkuar marrjen e masës nga gjykata. “Prokirporia ka kërkuar që gjykata të marrë si masë, pezullimin nga detyra për mjekun Xhevahir Hoxhallari”- thanë burimet.

Pas kësaj kërkese, tashmë zyrtare, radha është e gjykatës. Është pikërisht gjykata, ajo që duhet të marrë në shqyrtim kërkesën që ka mbërritur në adresë të saj. Mësohet se ajo do të merret në shqyrtim në ditët në vijim e pastaj do të jepet edhe verdikti, nëse do të zbatohet apo jo kërkesa e prokurorisë.

Mjeku Xhevahir Hoxhallari po hetohet nga organi i akuzës, i akuzuar për mjekim të pakujdesshëm në lidhje me vdekjen e pacientes 17-vjeçare Matilda Petriti, në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë.

Adoleshentja humbi jetën si pasojë e një hemoragjie pas një operacioni në bajame, ndërkohë që familjarët e saj akuzuan fill pas tragjedisë mjekët për neglizhencë, duke u bërë fajtor për këtë ngjarje. Pas kësaj, nisën hetimet dhe një radhë ekspertizash për të hedhur dritë rreth fajësisë, ose pafajësisë së mjekëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›