Atë e bir dënohen me nga 16 vjet burg për vrasje
Shkodër- Gjykata e shkallës së parë në Shkodër ka dhënë sot vendimin për Tom e Klodian Mrinën nga Velipoja. Ata akuzohen për vrasjen e ndodhur më 18 nëntor të vitit të shkuar në Reç të Velipojës ku mbeti e vrarë Antoneta Tanushi dhe u plagos Fatjon Luka.
Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Tonin Sterkaj ka vendosur deklarimin fajtor për babë e bir, Tom e Klodian Mrina, përkatësisht 50 dhe 22-vjeç për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese, e kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentative si dhe armëmbatje pa leje.
“Tom Mrina u dënua me 16 vjet e 8 muaj burgim, ndërsa Klodian Mrina me 16 vjet burgim, pasi atyre u zbritet 1/3 e dënimit, në zbatim të gjykimit të shkurtuar”- thanë burimet e gjykatës .
Avokati mbrojtës Qazim Gjonaj kishte kërkuar pafajësi për Tom Mrinën dhe ndryshim të akuzës për Klodian Mrinën nga vrasje në rrethana cilësuese, në vrasje nga pakujdesia dhe plagosje me dashje.
Akuza e përfaqësuar nga prokurori Vat Stakaj kishte kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për Klodian Mrinën dhe 25 vjet për Tom Mrinën. Ky i fundit kishte kërkuar drejtësi për veten, pasi nuk ka pranuar se ka qenë i përfshirë në vrasje dhe mëshirë për djalin e tij Klodianin, e cili që në fillim kishte marrë përsipër autorësinë e ngjarjes duke shpjeguar se ka pasur si qëllim të vriste Fatjon Lukën, të cilin e kishte ndjekur dhe herë të tjera për ta vrarë.
Ai ka pohuar se në errësirë ka qëlluar për të vrarë Fatjonin, i cili është plagosur dhe nuk e ka ditur se është vrarë Antoneta Tanushi, që ka qenë në makinë me objektin e sulmit.