Arrest me burg për katër drejtuesit e "Darfo"-s
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor ka zyrtarizuar masën e arrestit "Arrest me burg" për katër ish-drejtuesit e ish-"Darfo"-s në Elbasan, "Albkrom" në të njëjtën uzinë, atë të ferro-kromit, rreth shtatë kilometra në perëndim të Elbasanit. Sipas burimeve zyrtare, bëhet e ditur se rreth orës 19 të dy netëve më parë, është bërë ekzekutimi i akuzës për veprën penale të "Vjedhjes për shkak të detyrës" ndaj Artur Belegut, 31 vjeç, lindur dhe banues në lagjen "28 Nëntori" në Elbasan, me detyrë, magazinier në "Darfo", Tonin Gjonaj, 58 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Tiranë, ish-drejtor i "Darfo"-s, Fatos Pengu, 48 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Durrës, ish-përgjegjës i "Darfo"-s dhe Eduart Belegu, 46 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, ish-administrator i "Darfo"-s. Sipas burimeve zyrtare, arrestimi i tyre u bë, pasi ndaj tyre kishte filluar procedimi penal në shkurt të vitit 2008. Të gjithë kanë qenë punonjës të firmës koncesionare "Darfo" dhe për një periudhë 5-vjeçare, gjithmonë sipas burimit në fjalë, kanë kryer vjedhje të pronës shtetërore në bashkëpunim. Në bazë të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, është vendosur masa e "arrestit me burg" për kryerjen e veprës penale "Vjedhje për shkak të detyrës", e parashikuar nga neni 135 dhe 25 i Kodit Penal. Materialet procedurale për ndalimin e shtetasve të sipërpërmendur i kanë kaluar për kompetencë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.
Be.Dy
Be.Dy