E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Të arrestohet çdo zyrtar i korruptuar, qoftë edhe i LSI-së

Meqenëse ju u ndalët në luftën kundër korrupsionit, jo më larg se mbrëmë kanë ndaluar këshilltarin e ministrit të Ekonomisë, z. Belegu. Cili është komenti juaj?
Institucionet e zbatimit të ligjit janë të ftuara që të veprojnë ndaj cilitdo zyrtari të lartë të LSI, PD, PS, pushtetit vendor, të çdo partie tjetër apo pa parti. Çdo njeri që shkel ligjin, çdo njeri i cili ka probleme me zbatimin e detyrës së tij apo detyrimin ndaj ligjit, duhet të përgjigjet dhe e theksoj edhe një herë tjetër, prokuroria dhe organet e zbatimit të ligjit, do të kenë gjithnjë mbështetjen time më të plotë dhe të LSI-së për të goditur korrupsionin jo me fjalë, jo me retorikë, por me veprime konkrete pa asnjë dallim politik dhe origjinë se nga vjen ky zyrtar i lartë apo se kush e ka emëruar. Madje, jam i bindur se do të forcohet lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, do të shtohen rastet dhe shembujt e tjerë në të ardhmen, sepse kjo është rruga që forcon shtetin ligjor, kjo është rruga që afron anëtarësimin e Shqipërisë me BE.
A mendoni që duhet bërë një kontroll ndaj të gjithë atyre personave që kohët e fundit janë punësuar në administratë?
LSI është e angazhuar në radhë të parë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Unë e kam thënë edhe më parë dhe e rikonfirmoj edhe një herë tjetër. Ndaj cilitdo që abuzon me detyrën, që shkel ligjet, unë e ftoj drejtësinë, prokurorinë, të veprojë pa asnjë keqardhje, sepse ne duhet t‘i japim fund kulturës së papërgjegjshmërisë në ushtrimin e detyrës apo të injorimit të ligjit nga cilindo. Dhe unë jam i bindur se ky është edhe vullneti i PD-së dhe dëshiroj që ky të jetë edhe vullneti i opozitës dhe madje shumë shpejt, edhe me konsensusin e opozitës, ne të heqim përfundimisht edhe imunitetet, se ju e dini që kjo do ndërhyrje në Kushtetutë dhe kjo është një kërkesë që vjen nga procesi i integrimit europian. Askush nuk duhet të jetë i mbrojtur në shkeljen e ligjit, përkundrazi duhet të veprojë ligji ndaj cilitdo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›