"Brenda vitit të ardhshëm KE jep vlerësimin e tij"
E pyetur lidhur me miratimin e kërkesës për anëtarësim të Shqipërisë nga Këshilli i Ministrave të BE-së, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, tha se e konsideron ditën e marrjes së këtij vendimi "si ditën më të rëndësishme për vendin pas hyrjes në NATO". Jo thjesht shqyrtohet një kërkesë, e cila është bërë në fund të prillit, tha ajo, por tregohet mbështetja që vendet e BE-së tregojnë për Shqipërinë nëpërmjet një vote unanime dhe konfirmohet intensifikimi i marrëdhënieve me BE-në. "Unë e konsideroj pranimin e kësaj kërkese si një vendim politik, për të cilin nuk kishim dyshim që do të ishte pozitiv, por nuk mund të shpreheshim pa u certifikuar zgjedhjet nga ndërkombëtarët dhe pa u vënë vula mbi to, si zgjedhje që plotësuan pjesën më të madhe të standardeve", tha Bregu. Nuk do të ishte marrë ky vendim nga këshilli, vijoi ajo, nëse e kundërta do të kishte ndodhur me zgjedhjet. "Vota unanime e ministrave të Jashtëm të BE-së është një konfirmim se nuk ka më kthim prapa në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian", ngulmoi ajo. Pyetjes se sa kohë do t‘i duhet Shqipërisë të presë për të marrë statusin e vendit kandidat, duke iu referuar edhe deklaratës së djeshme të Kryeministrit Berisha, ministrja iu përgjigj se "ajo që ka rëndësi është cilësia e procesit, pasi në fund të fundit të meritosh anëtarësimin në BE, do të thotë konsolidim i demokracisë në vend dhe shtetit të së drejtës. Për sa i përket radhës së procedurave teknike, ministrja sqaroi mediat se komisionit i duhet rreth 1 muaj kohë të përpilojë pyetjet, pra pyetësori do të mbërrijë brenda muajit dhjetor, ndërkohë që administrata shqiptare do të nisë menjëherë punën për përgjigjet. Pas dorëzimit të përgjigjeve nga qeveria jonë, komisioni do të vlerësojë informacionin e dhënë. Ky vlerësim pritet të bëhet brenda vitit që vjen.