E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Arrest shtëpie” për tre të pandehurit e akuzuar për zhdukjen e Remzi Hoxhës

Autori i Lajmit: Red,
Gjykata e Krimeve të Rënda dha të dielën masën e sigurisë “arrest shtëpie” për tre nga të pandehurit e akuzuar për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro- maqedonas, Remzi Hoxha. Në një seancë të zhvilluar me dyer të mbyllura në Gjykatën e Krimeve të Rënda, gjyqtari i çështjes Fran Prendi ka pranuar kërkesën e prokurorisë, e cila kërkoi masën arrest shtëpie për Arben Sefgjinin, ish-drejtues i degës së SHIK në Tiranë, (aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve), Avni Koldashin e Budion Mecen, ish-inspektorë të SHIK-ut, ndërsa i pandehuri i katërt Ilir Kumbaro, ish-drejtues në SHIK, i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Dosja hetimore është dorëzuar pak ditë më parë në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Katër të pandehurit janë dyshuar, për veprat penale "rrëmbim personi" dhe "torturës me pasoja të rënda". Dosja "Hoxha" do të përfaqësohet në gjykatë nga 5 prokurorë, të cilët për 11 vite me radhë kanë hetuar rrëmbimin e tij. Remzi Hoxha rezulton i zhdukur më 21 tetor të vitit 1995. Seanca e parë do të zhvillohet më 16 maj.

Ky lajm është publikuar: 05/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›