Arresti i dy holandezeve bëhet çështje diplomatike
JOHANESBURG-është skandaloze që në kokën e dy femrave të rëndojë dënimi me burg për shkak se veshën funde me ngjyrë portokalli brenda një stadiumi. është kthyer në një çështje diplomatike arrestimi i dy tifozeve seksi të Holandës nga ana e policisë afrikano-jugore në fund të ndeshjes ndaj Danimarkës. Ato akuzohen se kanë bërë publicitet të ndaluar në stadium për birrën "Bavaria", ndërkohë që "Budweiser" është sponsori i Botërorit. Dje, ministri i jashtëm holandez Maksim Verhagen ka reaguar me tone mjaft të ashpra ndaj FIFA-s dhe autoriteteve vendase. "Arresti dhe akuza janë një reagim jo proporcional. Nëse Afrika e Jugut dhe FIFA kanë ndërmend të persekutojnë një shoqëri për publicitet të paligjshëm, le të merren me të dhe jo me qytetaret e thjeshta që mbajnë një minifund ngjyrë portokalli", është shprehur Verhagen. çështja shpërtheu gjatë ndeshjes Holandë-Danimarkë. Në fillim të ndeshjes, në tribuna u dukën 36 tifoze të veshura me ngjyrë portokalli, të dërguara nga prodhuesi i birrës "Bavaria". Problemi qëndron në faktin se sponsor zyrtar i Botërorit është një tjetër birrë, "Budweiser". Kështu, vajzat që kishin fituar vëmendjen e fotografëve janë ftuar të largohen nga stadiumi "Soccer City" i Johanesburgut. çështja dukej e zgjidhur, por vetë FIFA ka kërkuar përjashtimin dhe arrestimin e tyre. Barbara Kastelein dhe Mirthe Njuport janë emrat e vajzave, të cilat kanë dalë dje përpara gjykatës në Afrikën e Jugut. Procesi është shtyrë për më 22 qershor kur për dy vajzat do të merret edhe vendimi. "Këto vajza, që bënin pjesë në një grup më të madh, dyshohet se janë përfshirë në aktivitete komerciale të paligjshme", shpjegoi koloneli i policisë Vishnu Naidu. Ndërkohë, FIFA ka bërë të ditur se kjo është një vepër penale në Afrikën e Jugut.
(d.b/BalkanWeb)
(d.b/BalkanWeb)